Ardian Ndreca: E vetmja shoqatë e suksesshme në Shqipni asht Mafia

25057_10151345460168921_1568306932_n

Ardian Ndreca, profesor në Universitetin Urbaniana në Romë, është mik dhe bashkëpunëtor i revistës dhe gazetës MAPO. Por nuk është kjo arsyeja se pse u ftua për t’iu përgjigjur pyetësorit tonë: ai është një zë i veçantë i mendimit dhe shkrimit shqip. Megjithëse jeton në Itali, e sheh Shqipërinë pa syzet romantike të të larguarit, e, gjithashtu, pa dozat e përçmimit që nganjëherë i kapin ata që e çojnë jetën në Perëndim. Por sidomos për atë se ai është kundërthënës dhe jo domosdoshmërisht kundërthënës për modën e të qenit i tillë. Në fakt, atë e bëjnë kundërthënës dijet, që do të thotë leximet. Që, nëse ndalesh për një çast, kupton se ato që ai thotë e dikujt i duken jashtë normës, fare mirë mund të jenë norma një ditë. Ai ndoshta veç i paraprin me anë të mendimit. Kështu edhe me gegnishten, variantin e shqipes që ai përdor në vend të standardit: një gjuhë e kthjellët, gjithë metafora e satirë, plot me hone ku rriten lulet e së mirës. Intervista e Ardian Ndrecës është si ekstrakt i një libri të mirë. Dhe kaq. Për t’iu kthyer bashkëbisedimit me të.

 

1-Dita e Çlirimit: 28 apo 29 nëntori?

Në qoftë se duem me festue fitoren mbi nazi-fashizmin, mund të kremtojmë 9 majin. Por as 28 dhe as 29 nandori 1944 nuk kanë shenjue ndonji çlirim për kombin shqiptar, mbasi në nji anë humbëm Kosovën dhe Çamërinë, e në anën tjetër nji tirani e re do t’u mohonte shqiptarve edhe liritë ma elementare. Fakti që tiranët ishin vëllaznit tanë, nuk mjafton për me festue fillimin e nji tiranie. Liria mbetë gjithmonë dhurata ma e shtrenjtë, dhe ketë dhuratë askush ma gjatë dhe ma keq se regjimi i Enver Hoxhës nuk ia ka mohue shqiptarëve.

2-Shenjat e cilit pushtues duken më qartë në fizionominë sociale shqiptare?

Pasojat e pushtimin osman janë ma të dukshme. Në fakt komunizmi shqiptar shpalosi tiparet e nji despotizmi të veçantë, pse u zhvillue mbi nji nënshtresë orientale, që e bani ma regresiv dhe të damshëm për shqiptarët.

3-Kur themi ‘qytet’, në kuptimin ‘polis’ cili prej vendbanimeve shqiptare e meriton këtë emërtim?

Në antikitet nuk mjaftonte që nji qytet i rrethuem me mure të ishte polis, Babilonia për shembull mbetej nji ethnos. Polis asht nji organizëm me nji identitet të përcaktuem, me nji frymëmarrje politike e me ndërgjegje qytetare të atillë që nuk lejon mbijetesën e elementeve që rrezikojnë dukshëm shoqninë civile dhe bashkëjetesën. Vendosni vetë tashti nëse kemi ndopak polis në Shqipni!

4-WikiLeaks, mirë apo keq?

Mirë, edhe pse i panevojshëm.

5-Gegnishtja apo standardi?

Vetë gjuha me të cilën ju përgjegjem do të mjaftonte. Megjithatë, nuk jam anmik i standardit. Mendoj se anmiqtë ma të mëdhaj të tij janë ata që s’e respektojnë edhe kur e mbrojnë. Kjo ndodh pse janë dogmatikë në shpirt, por në anën tjetër marrin frymë dhe përçojnë në shkrimin e tyne ndryshimet që ka pësue standardi në këto vite.

Ka disa zvarranikë që e ndërrojnë lëkurën për me u rritë dhe për me lëvizë ma mirë. Mendoni sikur ato reptilë të ishin mbrenda nji korace hekuri standard! Do të ishin ma të sigurt, por edhe vdekjen do ta kishin të sigurueme.

6-Shqipëri etnike, apo kështu si jemi mjafton?

Koha e shteteve kombtare ka kalue. Ne duhet të vlerësojmë pakicat dhe të shkojmë drejt integrimit europian, atje do të gjejmë vetveten dhe miqsinë me popujt e tjerë. Lëvizjet populiste, tezat romantike dhe sloganet përkatëse më duken të neveritshme në kushtet e sotme kur nevojitet nji impenjim politik dhe jo lëvizje transversale gjoja kombtare. Në fakt, e vetmja shoqatë transversale e suksesshme në Shqipni asht Mafia.

7-A ka një rrezik neo-otoman për Shqipërinë?

Jo.

8-A ka patur një rrezik anglo-amerikan për Shqipërinë?

Jo.

9-Si do i përshkruanit gjurmët në histori të Ahmet Zogut, Enver Hoxhës, Sali Berishës…

Mendoj se i pari s’ka asgja të përbashkët me dy tjerët, të cilët kanë mjaft gjana të përbashkëta. Kanë jetue njikohsisht në të njejtin qytet, kanë qenë antar të së njejtës parti dhe ndoshta ia kanë shtërngue dorën njeni-tjetrit. Zakonisht urrejtjet e thella burojnë prej dashunive intensive.

10-Ballist, legalist, partizan apo asnjanës?

As ballist dhe as partizan (komunist) pse nuk jam i majtë. Legalist jo, pse jam republikan. Asnjianës? Në kohë furtunash shumë anije fundosen edhe në liman, e ketë gja e ka tregue ma së mirit historia jonë e vonshme. Për me i pasë duert e pastra duhet t’i mbajsh gjithmonë në xhepa, por s’di sesa mund të shërbejë kjo gja!

11-A ishte Partia Komuniste Shqiptare vepër e jugosllavëve?

Padyshim që po. Pjellë e tyne do të thoja dhe sherbtore e bindun. Kjo gja pengoi nji aleancë mbarëkombtare gjatë Luftës së Dytë Botnore, pse jugosllavët e kishin të qartë se nacionalistat shqiptarë do të kërkonin Kosovën.

12-Në rrafsh simbolik, si do e shpjegonit Hamza Kastriotin?

A e keni mendue se kur flitet për kryetrimin e Krujës ne njohim si emnin me të cilin e thirrën osmanët: Skënderbeg, si emnin e tij të pagëzimit: Gjergj. Kurse për Hamzanë, edhe pse ky ishte pagzue, nuk e dijmë emnin e tij arbnor. Gjysma turke e tija fitoi mbi gjakun arbnor. Kjo gja ndodh vazhdimisht ndër ne, edhe sot e kësaj dite.

13-Po mbretëreshën Geraldinë?

Pjesa ma europiane e Mbretnisë shqiptare. Fisnike dhe plot hir, cilësi të mjaftueshme këto për nji grue për me qenë fatkeqe ndër shqiptarë.

14-Partizani, Tirana, Dinamo, Vllaznia apo Besa?

Vetëm Vllaznia. E kur flas kam ndër mend Vllazninë e gjysmës së viteve ’80. Skuadër mbresëlanëse. Disa prej lojtarëve i kisha në shkollë e në lagje, ndonji tjetër si A. Hafizin e kisha mësues fizkulture. Kujtoj emocionet që i dhuruene tifozave të Vllaznisë lojtarët e talentuem si: F. Rragami, Hafizi, Paçrami, Borshi, Zmijani, Luçi, Jera e shumë të tjerë. Ajo që të bante përshtypje asokohe ishte qytetaria e tifozave shkodranë, të cilët dinin me respektue kundërshtarin dhe me mbajtë gjallë frymën sportive.

15-A është frymëzuese figura e Krishtit?

Mjafton t’i hedhim nji sy artit botnor: letërsisë, pikturës, skulpturës, muzikës etj. Aq asht frymzuese figura e Krishtit, mesianizmi i tij, sa që anmiqtë ma të mëdhaj të krishtënimit, e këtu po përmendi vetëm ata ma të fundit: nazizmin dhe komunizmin, kanë mëtue me e zëvendsue atë me vetveten.

16-Nëse do i përballnit si simbole fetare, historike, sociale, por edhe kulturore, cili ka ndikuar më shumë historinë e njerëzimit, Krishti apo Muhamedi?

Besoj se ma sipër u përgjegja mjaft qartë.

17-Bestytnitë; i njihni, i sundoni apo ju sundojnë?

Bestytnia asht po aq anmike e arsyes sa edhe e besimit të vërtetë. Në rrafshin njerzor ndiej vetëm përbuzje për bestytninë, pse besoj thellësisht te forca e arsyes dhe tek arsyet e zemrës.

18-Si do e përkufizonit Haxhi Qamilin?

Shqiptari perfekt, ashtu siç e duen anmiqtë e Shqipnisë. Prandaj edhe “haxhiqamilizëm” ka mbetë si përçansim për ata që duen shkatrrimin e atdheut. S’asht e rastit që adhuruesi ma i madh i tij ishte vetë Enver Hoxha.

19-A është Gjergj Kastrioti mishërimi i pragmatizmit dhe njëkohësisht indiferencës fetare të shqiptarëve? 

Nji mendim i tillë asht antihistorik dhe do ta zhveshte qëndresën e Kastriotit prej thelbit të saj. Asokohe përkatësia jonë europiane përfshinte edhe identitetin fetar, heroi ynë kombtar ishte i vetëdijshëm për atë çka po bante dhe qëndroi deri në fund pa luhatje. Pragmatizmi karakterizoi disa princa të tjerë ballkanas, ne shqiptarët e kemi të vështirë me qenë pragmatikë. Shpeshherë për ne krenia asht gjithçka.

20-‘Mbahu nëno mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë’…premtim romantik apo përshkruese e rolit të Diasporës në jetën e Shqipërisë?

Më kujton emigrantat shqiptarë në Amerikë që blenin bonot e thesarit në vitet ’20 për me shpëtue shtetin shqiptar. Këto janë aktet e mirëfillta të atdhedashunisë, jo pallavrat populiste.

21-Feja e shqiptarit është shqiptaria! A është një kredo e tejkaluar?

Kur Pashko Vasa shkruente këto vargje nji pjesë e shqiptarëve kishin ide të paqarta rreth fesë dhe kombit. Në veçanti synitë identifikonin besimin fetar me përkatësinë kombtare. Ketë gja e ka spjegue në mënyrë të qartë dhe sintetike Mehdi Frashëri te “Problemet shqiptare”. Asokohe nji pjesë e madhe nuk e donin “flamurin me sorrë”, por preferonin atë të dovletit, pse gjoja të shpallunit shqiptarë mohonte besimin e tyne. Këtyne tipave rilindasi shkodran u tregonte se shqiptarizma nuk i mohon kurrkujt sferën private të besimit dhe se besimi nuk mund të identifikohet me kombësinë. Sot jetojmë në kushte krejt tjera, sfera e besimit asht e ndame prej asaj politike, prandaj mendoj se formula mbetet si nji relikte në kujtesën e kombit.

22- Për këtë diell!, Për ideal të Partisë!, Për nder të familjes!, Për Shqipëri! apo, për Zotin!?

Nuk më pëlqejnë betimet. Në qoftë se dikush nuk u beson fjalëve të mia, e ndiej të panevojshme me thirrë si dëshmitarë Zotin apo ndonji entitet tjetër të dukshëm.

23-Tradita dhe folklori shqiptar njohin pritën dhe jo duelin. Pse?

Kjo nuk asht e vërtetë. Studiuesi sllav Spiridion Gopčević te vepra Oberalbanien und seine Liga pohon se “dueli gjyqsor” ka qenë i përhapun edhe ndër shqiptarë. Kur dy fise apo bajraqe donin me caktue nji të drejtë, ata zgjidhnin dy trima që me anë të duelit vendosnin fatet e çeshtjes në fjalë. Edhe eposi i kreshnikëve dëshmon për nji traditë të tillë. Megjithatë prita, mjet i ulët e amoral, ka mbizotnue, e kjo gja përban nji prej anëve ma negative të vetëgjyqësisë. Por prita nuk ka qenë e vetmja mënyrë ekzekutimi, mbasi ka ekzistue edhe “grimja me katund” dhe disa forma tjera.

24-A është Kanuni libri më pak i lexuar dhe më shumë i interpretuar ndër shqiptarë?

Sot Kanuni nuk asht as i lexuem dhe as i interpretuem. Pse si mund të interpretohet diçka që nuk njihet! Ashtu siç kemi gjykatës të mirëfilltë që në emën të ligjit kryejnë padrejtësi, ashtu kemi edhe qytetarë të thjeshtë që në emën të nji ligji që s’ka asnji vlerë kryejnë krime.

Kanuni ka luejt nji rol me randësi deri në vitin 1912. Së pari, duhet dijtë se nuk ekziston vetëm nji kanun: Labëria dhe nji pjesë e Jugut kanë pasë kanunet e tyne. Deri në shpalljen e pamvarsisë, Kanuni ka mbrojtë identitetin tonë kombtar. Mjafton të mendojmë se aty ku ka veprue Kanuni nuk ka mujtë me u rranjosë Sheriati, ligji i pushtuesit, dhe janë ruejt veshjet, zakonet, vlerat dhe, çka asht ma e randësishme, ndjenja e pamvarsisë ligjore prej pushtuesit. Shumica e kryengritjeve prej ‘600-s deri më 1911 e kanë zanafillën e tyne në territoret ku ishte në fuqi Kanuni. Ata që sot i apelohen Kanunit për me justifikue nji krim janë thjeshtë burreca që duen me e nda përgjegjësinë e tyne me nji ligj që nuk ka asnji vlerë.

25-A keni menduar ndonjëherë ‘ky vend nuk bëhet’?

Absolutisht jo.

26-Kur dëgjoni ‘o sa mirë me qenë shqiptar!’ sikletoseni apo rrëqetheni?

Ka disa gjana që ke dëshirë me i ndie, por jo me veshë.

27-Poet Kombëtar: Fishta apo Naimi? Pse?

Sot cilësori “kombtar”, sidomos në ketë lokucion, ka nevojë për shumë sqarime. Naimi më pëlqen për faktin se edhe tue jetue në Stamboll shkruente nji shqipe të pastër në poezinë e tij bukolike e romantike. Nga nji anë asht poet melodioz dhe i dashtun, por nga ana tjetër asht mjaft i cekët. Te Fishta due në mënyrë të veçantë satirikën, e cila, si e gjithë vepra e tij, sot ka nevojë për nji botim kritik të komentuem. Fishta vuen prej faktit se nuk ka studiuesa të denjë për diapazonin e tij, s’ka komentuesa të aftë që të shtjellojnë gjuhën dhe kontekstin e tij. Komentuesi i tij i vetëm mbetë Atë Viktor Volaj me Mrizin e Zanave, ndërsa nji prej shpaluesve ma seriozë ka qenë Tahir Kolgjini, po edhe ky asht marrë vetëm me Lahutën. Sot Fishta lëvdohet, shtrembnohet apo nënvleftësohet pa arsyetime kritike, por thjesht për reaksion ndaj asaj që asht thanë ma parë.

28-Ç’do të thotë për ju ‘e djathtë’ dhe, a ekziston e djathta shqiptare?

Në natyrë e djathta si kahe asht e kundërta e së majtës, në politikë jo gjithmonë.

Padyshim që në Shqipni e djathta ekziston, edhe pse nuk asht e përfaqsueme nga nji parti e caktueme. Tek ne ka pasë në këto vite disa eksponenta të shndritshëm të së djathtës. Po përmendi vetëm disa që i kam njohtë personalisht. Të djathtë kanë qenë Nush Radovani, Ernest Përdoda, Nikë Pavaci, Tomazin Sheldija, Ruzhdi Çoba, Atë Zef Pllumi, Ndrekë Bazhdari. Asht e habitshme sesi në vitet ’90, kur në Shqipni qeveriste PD-ja, disa prej këtyne figurave që kishin qëndrue heroikisht në burgjet e Enver Hoxhës u rrahën barbarisht prej njerzve të lidhun me partinë tashma në pushtet dhe në ndonji rast u detyruen me braktisë atdheun dhe planet e tyne me rithemelue të djathtën shqiptare. Vendin e tyne e zunë figura mediokre, pa kurrfarë horizonti politik. Të qenit i djathtë nuk asht çeshtje gjenetike, por çeshtje botëkuptimi. Kur nji njeri nuk ka asnji lloj botëkuptimi ai mund të jetë potencialisht gjithçka, por realisht nuk asht asgja.

29-A shihni vazhdimësi të PPSh në PSSh?

Vijimsi ideologjike me PPSh nuk ka asnji parti e sotme, ka vijimsi njerëzish dhe mendësish. Po t’i marrim me radhë dy krenët e partive kryesore sot, mund të shohim mjaft qartë se te cila ekziston vazhdimsia me të kaluemen. Ajo që dallonte nji parti totalitare si PPSh prej PD-së, asht se tek e para ka pasë shumë ma tepër heretikë sesa ka sot tek e dyta. Ndërsa PS-ja asht e ndryshme prej PPSh për kaosin dhe mungesën e disiplinës që e karakterizon.

30- 1913, 1939, 1944, 1997…, cilin do konsideronit ‘Vit të mbrapshtë’?

Që të katërt janë vite të mbrapshta, secili në llojin e mënyrën e vet. Por un do të kisha dashtë me gjetë vitet e mbara. Madje do të doja t’i nënvizoja fort. Në shekullin e kaluem si vite të mbara shoh 1912 e 1991. Shumë pak për 100 vjet histori! Ne na mungon njitrajtshmënia, na mungon vullneti me ruejt dhe me konsolidue atë që kemi fitue. Ka diçka thellësisht barbare ndër ne që na shtyn krye disa dekadash me i vra ma të mirët, me shkrumbue gjithçka, me mohue edhe ato gjana pozitive që kemi. Jemi e zeza e vetvetes.

31- Ka një alarm rreth ekzistencës së shtypit të shkruar. A do dhe si mund të mbijetojë?

Nuk e di.

32-Cila është pyetja që gjithmonë keni dashur të bëni dhe kujt?

Pyetjet ia baj vetvetes. Gnothi seauton – njih vetveten, përsëriste Sokrati. Shumë prej atyne pyetjeve mbesin pa përgjegje e kjo më jep forcë me kërkue gjithnji nji sens të matejshëm të asaj që jemi e të asaj që duhet të jemi.

33-Cila është pyetja që gjithmonë keni dashur t’ju bëjnë?

Nuk vuej prej narcizizmit, madje pyetjet e tepërta më bezdisin. Për fat kjo ishte e fundit…

Shkruar Nga
More from Revista User

Ushqime me zero kalori

Tregoni kujdes në përzgjedhjen e disa ushqimeve, do të shohim se jo...
Read More