ARDIAN VEHBIU: Shqiptarët janë popull i djathtë



Ardian Vehbiu 1

Ndër ata që militojnë në shtypin e shkruar, Ardian Vehbiu është nga të paktët prej të cilëve mund të mësosh diçka. Komentatoriati shqiptar, më së shumti është një vargëzim leqesh politike e mllefesh të fryra cit nëpër kafene. Me Vehbiun, me shtjellimet e tij që nuk mund të emërtohen- ato janë diçka mes sprovës, komentit, analizës (kjo në anën e vet mund të jetë linguistike, historike etj), mund të marrësh frymë thellë. Ngaqë të lexuarit e mirë shkakton domosdoshmërisht edhe buzëqeshje, gjithashtu të vësh buzën në gaz. Kështu edhe me këtë intervistë, të cilën pasi e lexon duket sikur ke lëçitur një libër shumë të mirë (shoqëruar me volinë moderne të të shpenzuarit të vetëm 10 minutave). Dhe, sigurisht, me dëshirimin për ta rilexuar.

1-Dita e Çlirimit: 28 apo 29 nëntori?
Nuk them dot shumë – gjithsesi, 29 nëntori do të ketë qenë datë e vendosur në tavolinë. Mirëpo është e drejtë të kemi dy festa (dy kremtime), meqë një datë e vetme nuk e mban dot, edhe shpalljen e Pavarësisë kombëtare, edhe atë të çlirimit prej pushtuesit nazi-fashist.

2-Shenjat e cilit pushtues duken më qartë në fizionominë sociale shqiptare?
Pa dyshim të osmanëve – por unë nuk do t’i quaja ‘pushtues’, siç quajmë, bie fjala, italianët e Luftës së 2-të Botërore; më mirë e më saktë t’u themi ‘sundues.’

3-Kur themi ‘qytet’ në kuptimin ‘polis’ cili prej vendbanimeve shqiptare e meriton këtë emërtim?
Korça, do të thosha. Qytet provincial (detyrimisht provincial), por i admirueshëm.

4-WikiLeaks, mirë apo keq?
Gjithnjë kam dyshuar se është operacion i kombinuar, shërbimesh sekrete që veprojnë për interesat e tyre. E mira që sjellin këto ‘pikime’, do kuptuar më shumë si efekt anësor.

5-Gegnishtja apo standardi?
Standardi, si standard; gegnishtja, si pasurim dhe si pasuri e gjuhës dhe e kulturës. Gjithsesi, i shoh si dy instanca të pakrahasueshme; sa kohë që në krahasim me standardin, të cilin e flet shteti shqiptar, gegnishtja është më shumë një dëshirë, një psherëtimë, një sëmbim.

6-Shqipëri etnike, apo kështu si jemi mjafton?
Le të punojmë, kështu si jemi, për ta përgatitur një bashkim kombëtar të mundshëm, nëse do ta bëjmë nesër.

7-A ka një rrezik neo-otoman për Shqipërinë?
Unë nuk do ta quaja ‘rrezik’. Është një mundësi strategjike, që një llokmë e madhe e Ballkanit të përfundojë nën influencën turke, sidomos nëse integrimi europian (yni dhe i Turqisë vetë) dështojnë. Por nuk është se më lemeris ideja e një Turqie të nesërme, si “Gjermani” e Ballkanit – sa kohë që kjo Turqi është moderne, shekullare dhe me fytyrë të kthyer nga Atlantiku. Përkundrazi, një Turqi e sunduar nga islamistët besoj se do të mbyllej në vetvete dhe nuk do të kishte ndonjë interes për ekspansion në Ballkan.

8-A ka pasur një rrezik anglo-amerikan për Shqipërinë?
Po ‘rreziku’ anglo-amerikan u bë realitet – sa kohë që Enver Hoxha erdhi në pushtet, në 1944-ën, me ndihmën dhe mbështetjen e vendosur të aleatëve; në atë kohë aleatët ishin anglot dhe amerikanët, ndërsa Bashkimi Sovjetik ekzistonte vetëm për komunistët. Titoja vërtet mund të ketë mbështetur Partinë Komuniste Shqiptare, por luftën nacional-çlirimtare e mbështetën anglezët dhe amerikanët; jo vetëm ngaqë e njohën, por edhe materialisht.

9-Si do i përshkruanit gjurmët në histori të Ahmet Zogut, Enver Hoxhës, Sali Berishës…
Kjo pyetje kërkon një monografi për t’iu përgjigjur. Për Enver Hoxhën dhe Sali Berishën është ende herët të flasim; edhe pse i pari ishte doemos një diktator i egër produkt i mendësisë provinciale fashiste, një Stalin në miniaturë, me instinktet e një dandy-je të demoduar perëndimor; Berisha ndërkohë është ende pjesë e së tashmes, mermer nga i cili ende nuk ka dalë statuja, nëse mund të shprehem kështu. Sa për Zogun, ky ishte një zgjatim disi i vyshkur i Perandorisë Osmane; një nënmbret i zoti, por i mbetur pa mbretin e vet.

10-Ballist, legalist, partizan apo asnjanës?
Partizan; nëse nuk do të dija ato që nuk dinin partizanët asokohe.

11-A ishte Partia Komuniste Shqiptare vepër e jugosllavëve?
Po. Të paktën ashtu duket me aq sa dimë sot, në çdo pikëpamje.

12-Në rrafsh simbolik, si do e shpjegonit Hamza Kastriotin?
Një tjetër provë se sa pak e kuptojmë Mesjetën, deri edhe mesjetën arbërore. Për njerëz si Skënderbeu dhe Hamzai dhe Moisi Golemi, lufta e arbërve të krishterë me osmanët ishte vetëm një nga ndarjet e universit social në dy pjesë, ajo horizontalja; tjetra kish të bënte me ndarjen klasore ose vertikale. Ishin bujarë, silleshin si bujarë mes tyre; prandaj edhe i ndërronin besëlidhjet dhe vetë besën sipas dëshirës dhe interesit – dhe nuk ndëshkoheshin. Jam i sigurt se edhe Gjergji vetë do të ndihej më i afërt shpirtërisht me një pasha turk, sesa me një bujk të vetin.

13-Po mbretëreshën Geraldinë?
Një zbukurim, një ornament, një qershizë mbi një tortë, të sendërgjuar shpejt e shpejt mbi një bakllava.

14-Partizani, Tirana, Dinamo, Vllaznia apo Besa?
Tirana, Tirana, Tirana.

15-A është frymëzuese figura e Krishtit?
Është, në shumë drejtime. Nuk e kuptoj dot kulturën perëndimore, pa Krishtin si qendër të rëndesës; sikurse nuk e kuptoj dot, po të mjaftohem vetëm me Krishtin si qendër të rëndesës.

16-Nëse do i përballnit si simbole fetare, historike, sociale por edhe kulturore, cili ka ndikuar më shumë historinë e njerëzimit, Krishti apo Muhameti?
Krishti, nëse flasim nga pikëpamja e zhvillimeve historike; por kjo vetëm ngaqë te Krishti kanë besuar perëndimorët, të cilët kanë sunduar planetin deri më sot. Gjithsesi, ky sundim nuk ka të bëjë aq me krishtërimin, një fe po aq orientale sa edhe Islami, por me teknologjinë dhe ndikimin e qytetërimit klasik grek në fuqitë europiane të krishtera.

17-Besëtytnitë; i njihni, i sundoni apo ju sundojnë?
Shpesh i lejoj të më sundojnë… por më tepër si rituale, ose ceremoni të qasjes ndaj së përditshmes, ose një sistem semiotik për të shpjeguar të pashpjegueshmen, çfarë është produkt i rastësisë (të cilën ne nuk e kuptojmë dot mirë).

18-Si do e përkufizonit Haxhi Qamilin?
Një prezervativ i fryrë si tullumbace nga kundërshtarët e tij, që gjithnjë kanë nevojë për alibi morale, për të sulmuar dhe poshtëruar myslimanët e sotëm shqiptarë. Përtej këtij përdorimi, që do ta quaja propagandistik, Haxhi Qamili mund të shpjegohet vetëm në kontekstin e kohës së vet, dhe larg moralit kombëtarist.
19-A është Gjergj Kastrioti mishërimi i pragmatizmit dhe njëkohësisht indiferencës fetare të shqiptarëve?
E kemi bërë të duket ashtu; por ai ka qenë mishërim i feudalit të kohës – i gatshëm për të ndërruar flamur, nëse ia kërkonin interesat. Por interesat e tij ende nuk i kemi shpjeguar dot deri në fund, për fat të mirë të historianëve. Gjithsesi, Gjergj Kastrioti i shërbeu besnikërisht Vatikanit; nuk ka asnjë arsye pse të mos e mendojmë si të krishterë të devotshëm, që besonte se, duke iu kundërvënë osmanëve, po bënte punën e Zotit. Përkundrazi, unë jam skeptik – për aq sa vlen mendimi im – ndaj interpretimeve kombëtariste që u bëhen motiveve të Gjergjit; kinse ai luftonte për Shqipërinë (ose më saktë, për ‘Arbërinë’). Më mirë të themi, se si fisnik i kohës së vet, ai luftonte për nderin e vet dhe të familjes, për pronat e veta dhe të bujarëve me të cilët kish lidhur besën, për fenë e vet të krishterë. Tek e fundit, synimi ideal i tij do të ishte çlirimi i Kostandinopojës dhe zbythja përfundimtare e osmanëve nga Ballkani (dhe Evropa), jo kurora e mbretërisë fiktive të Arbërisë; për këtë edhe bashkëpunonte me aleatët e vet në Itali, përfshi këtu edhe Napolin, Vatikanin dhe Venedikun.

20-‘Mbahu nëno mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë’…premtim romantik, apo përshkruese e rolit të diasporës në jetën e Shqipërisë?
Është thjesht një bejte. Djemtë në Amerikë, si të tillë, ose si agjenci a institucion, kanë mbetur shumë mbrapa zhvillimeve në Shqipëri, qoftë edhe për shkak të këtyre bejteve.

21-Feja e shqiptarit është shqiptaria! A është një kredo e tejkaluar?
Jo, aspak. Vetëm se duhet përshtatur si formulë, dhe bartur me kujdes nga retorika në taktikë.

22- Për këtë diell! Për ideal të Partisë! Për nder të familjes; Për Shqipëri apo, për Zotin?
Për këtë diell! Drita vjen para gjithçkaje tjetër.

23-Tradita dhe folklori shqiptar njohin pritën dhe jo duelin. Pse?
Ndoshta për shkak të një vizioni fatalist ndaj botës; vdekja e tjetrit ishte e shkruar tashmë, madje vetë ai tjetri e kish shkruar, me veprimet e veta (ose të familjes); prita nuk ishte veçse një gjest i detyruar, një barrë për t’u hequr, një gisht që tërhiqte këmbëzën, për të vënë në vend vullnetin e ‘kolektivitetit’. Përkundrazi, dueli parakupton një liri të ndërgjegjes dhe të individit, një sfidë ndaj paracaktimit, në mos një mundësi shëlbimi – shekullar, jo hyjnor.

24-A është Kanuni libri më pak i lexuar dhe më shumë i interpretuar ndër shqiptarë?
Unë do t’ua lija vetëm antropologëve, historianëve dhe sociologëve që ta lexonin; përndryshe, Kanuni është koleksion, pak a shumë artificial, automatizmash të ligjit zakonor, të cilat kanë vepruar veç në momentin kur dikujt i është dashur t’u referohet. Por sot vlera e tij e përdorimit është kryesisht të shërbejë si alibi për çdo produkt dhe efekt të patologjisë sociale të popullsive që i besojnë.

25-A keni menduar ndonjëherë ‘ky vend nuk bëhet’?
Për fat të keq, po.

26-Kur dëgjoni ‘o sa mirë me qenë shqiptar!’ sikletoseni apo rrëqetheni?
Gjithnjë sikletosem. Është thënie që më neverit.

27-Poet Kombëtar: Fishta apo Naimi? Pse?
Kronologjikisht, Naimi vjen përpara Fishtës. Edhe kulturorisht, Naimi është më ekumenik, më përfshirës, më vizionar dhe idealist, si krijesë e periudhës më të shëndetshme të Rilindjes. Fishta është krijesë e gegnishtes, kërkon mund e përkushtim për ta transplantuar në indin thjesht kombëtar, përtej gjeografive krahinore. Artistikisht, ndoshta Fishta si poet yni qëndron më lart; por vetëm ngaqë Naimi e shkroi shqipen e vet i pari, duke ia rrjepur, me shumë dhimbje, lëkurën që ia kishin veshur bejtexhinjtë.

28-Ç’do të thotë për ju ‘e djathtë’ dhe, a ekziston e djathta shqiptare?
E djathta është zotimi ndaj pronës, hierarkive sociale, rregullit, fesë, traditës dhe flamurit. Shqiptarët janë të djathtë nga natyra etnokulturore, ose psikologjikisht; por politikën tani për tani e bëjnë vetëm si të majtë.

29-A shihni vazhdimësi të PPSH në PSSH?
Patjetër. E shoh si vazhdimësi dhe si barrë prej Sizifi, që e ka penguar Partinë Socialiste të luajë rol, si forcë e majtë dhe aktive në jetën e sotme; meqë ka një kontradiktë të përjetuar si plagë, midis nevojave të politikës së majtë dhe nevojave të tjera, për t’i fituar dhe mbajtur votën masës së trashëguar nga e shkuara, e cila e refuzon të sotmen për arsye shpesh triviale.

30- 1913, 1939, 1944, 1997…cilin do konsideronit ‘Vit të mbrapshtë’?
Vitin 1997, sepse ai i vrau shpresat për një rilindje politike dhe kulturore të shqiptarëve pas traumës totalitare, shpresa që ishin aq të forta dhe prekëse në fund të viteve 1980.

31- Ka një alarm rreth ekzistencës së shtypit të shkruar. A do dhe si mund të mbijetojë?
Nuk besoj se do të mbijetojë sikurse i mbijetoi dje radios dhe televizionit – konkurrenca nga versionet online do ta mbytë herët a vonë. Të ardhmen e gazetave dhe të periodikëve javorë e shoh më tepër në fushën e refleksionit, ose si instrumente të mendimit; sa kohë që lajmet tani publiku nuk pret t’i marrë nga gazeta. Edhe në Shqipëri, gazetën e merr kryesisht brezi i vjetër – çka e ka kushtëzuar disi edhe vetë gazetarinë e shtypur, duke e detyruar të merret me gjithfarë temash nostalgjike dhe pornografike-totalitare. Por ç’do të ndodhë kur ky brez i vjetër të dalë nga skena?

32-Cila është pyetja që gjithmonë keni dashur të bëni, dhe kujt?
Nuk më mundon ndonjë pyetje e tillë.

33-Cila është pyetja që gjithmonë keni dashur t’ju bëjnë?
Kam një pyetje të tillë që pres të ma bëjnë, dhe njëkohësisht druaj se do të ma bëjnë. Pyetja: Çfarë të motivon?

Arkiv

loading...
Shkruar Nga
More from Revista User

70% e meshkujve, “frikë” nga femrat me tatuazhe

Në Francë, 15% e femrave eksperimentojnë me të paktën një tattoo. Në...
Read More