Arian Leka: Bukuria e tradicionalistëve VS Bukurisë së re – për një estetikë ndryshe

 
 

Studimet letrare kanë hedhur dritë mbi dokumente që dëshmojnë se, pas ardhjes në pushtet të Partisë Komuniste shqiptare, Bukuria – si kategori estetike – do të merrte më pak vëmendje sesa qëllimi që iu ngarkua letërsisë së re në përmbushjen e misionit në jetën politike, shoqërore dhe kulturore.

Letërsia e atyre viteve ofroi gjuhë të koduar dhe ikonografi të veçantë jo vetëm në artet figurative, por në të gjitha format e shprehjes artistike, përfshi këtu edhe poezinë si art i fjalës, duke implikuar brenda skemës zyrtare të artit jo vetëm të angazhuarit e militantët e vetëshpallur, por edhe artistë apolitikë, të çliruar nga marrëdhëniet detyruese, siç ishte rasti i Lasgush Poradecit apo i Ali Asllanit.

Kjo shpërfillje ndaj Bukurisë nuk erdhi si pasojë e ndonjë refuzimi që i bënte kësaj kategorie faktori postmodernist i viteve ‘40-’50 – i cili i nënvleftësoi format e bukurisë pararendëse e tradicionale, bashkë hierarkinë e saj.

Refuzimi erdhi për shkak të përfshirjes së artit të ri në të njëjtën strukturë me ideologjinë. Përmbi këto mospranimi i estetikës së trashëguar ndodhi sidomos për shkak të zëvendësimit të “bukurisë së trashëguar” me socializmin, i cili u trajtua si përmasa më e lartë, sublime e Bukurisë, siç nënvizon studiuesja Nina Dimitrieva.

Një qasje e tillë ndaj konceptit estetik e bën më të dallueshme kundërvënien mes së Bukurës tradicionale dhe Bukurisë së Re, me të cilën do të përfaqësoheshion poetët shqiptarë mes viteve ’60, te të cilët vërehen zona ngjashmërie me rrymat letrare moderne të mesit të shekullit XX.

Lidhur me këto ngjashmëri, historishkrimi i letërsive të ngjashme ka arritur në përfundimin se arti i prodhuar nën metodën e realizmit socialist paraqitet i ngjashëm në disa pika jo vetëm me artin totalitar të Gjermanisë naziste, por edhe me surrealizmin, realizmin magjik, ku elementet e avangardave shfaqen jo në rrafshin letrar, por në atë psikologjik, siç pohon studiuesi Boris Groys.

Në këtë këndvështrim edhe poetët shqiptarë të viteve ’60 krijuan atë formë të realizmit, që në të vërtetë ishte një realizëm atipik, një (anti)realizëm, (i)realizëm a hiperrealizëm, që abstragon realitetin në dobi të së ardhmes. Bashkë me realizmin ai art krijoi realitete imagjinare, të pritshme, futuristike, të cilat nuk kanë lidhje me ndonjë realitet imediat, duke prodhuar kështu dukurinë e simulacrum-it në letërsi.

Ndërkohë që poetët paraardhes të viteve ’45-‘50 kishin krijuar thjesht një simulim të realitetit, si pasqryrim / imitim të një procesi që ndodh realisht në jetë dhe që për t’u dëshmuar nuk ndiente nevojën e artit revolucionar. Prej këtej bëhet interesant vëzhgimi i pranisë së reales brendashkruar letërsisë së realizmit socialist (a ka realizëm), por edhe këqyrja e cilësisë së këtij realizmi, lloji i këtij realizmi dhe roli i tij i veçantë (ç’lloj realizmi?). Thënë ndryshe: a ishte përnjimend realizëm ai i realizmit socialist, apo “e vetmja gjë absolutisht e re në lidhje me realizmin socialist ishte vetëm termi” (Katerina Clark).

Nëse për poetët e vitve ‘45-‘50 përshkrimi i realitetit kishte si qëllim ta ndërtonte në mënyrë të menjëhershme dhe të atypëratyshme realitetin, për autorët e viteve ’60 ky realitet i gatshëm letrar dhe faktik njëherazi – ky “ready made” i postmodernistëve – duhej transformuar sipas paradigmës që e shndërronte realitetin e së tashmes në utopinë letrare të së ardhmes, përpunuar si një skenar futurisik.

Janë të dukshme faktet e polemikës mes “poetëve të vjetër” dhe “letrarëve të rinj”, të cilët iu kundërvunë, në disa raste pa lëshime, formës tradicionale të shfaqjes së Bukurisë të cilët, duke shpallur kundërshti ndaj “realizmës së gjallë, vepëronjëse”, ndaj “realizmit progresiv”, promovuan prirjen për “ta pasuruar botën me një bukuri e re” – strukturë mendimi kjo e futuristëve.

Por kjo polemikë lidhur me marrëdhënien e letërsisë ndaj realitetit nuk lindi pas luftës, sikundër mendohet ndonjëhrë, pasi teza se autorët e rinj duhet “të frymëzohen nga jeta jonë…e përditëshme” dhe se “futurizmat, dadaizmat, ermetizmat e tjera kësodore lindin e perndojnë” ndeshen më herët, si rastin e artikullit të Nexhat Hakiut, me titull “Letërsia kombëtare”, botuar në “Bashkimi i Kombit”, që në gusht të vitit 1944.

Për ta zbuluar më qartë se cilat zona preku debati mes “të rinjve” dhe “të vjetërve”, “tradicionalistëve” dhe “novatorëve” për një estetikë ndryshe, mund të shqyrtohet kronika letrare të kohës, duke filluar nga gazeta “Bashkimi” e vitit 1945 e cila, ndërsa vijoi me vite, arriti kulmin 15 vjet më vonë, me polemikat e botuara në gazetën “Drita” në verë dhe vjeshtën e parë të vitit 1961.

Por para kësaj mund të vërejmë se mënyra e ofrimin të modelit sovjetik në artin letrar nuk është një dukuri përjashtimisht shqiptare pasi, po të këqyrim më me vëmendje ndodhitë në Europën Lindore deri në vitet ’50 do të vërejmë lëvizje të njëjta e të ngjashme, që nga krijimi i institucioneve artistike, organizimi i lëvizjeve me frymë zhdanoviste, përjashtime dhe ndëshkime të artistëve me formim të ndryshëm ideologjik, organizimin e konkurseve të para me tematikë të diktuar letrare apo shpallje të planeve 2 vjeçare për shkrimtarët e artistët, si në Poloni, në Çekosllovaki, në Hungari, në Gjermaninë Lindore ashtu edhe në Shqipëri.

Në brendi të dëshmive të letërsisë shqiptare mes viteve 1945 – 1961 vërehet se kundërvënia, polemika e debati mes “tradicionalistëve” dhe “novatorëve” nuk bëhej thjesht për metrikën, për vargun e lirë të të rinjve, për tetërrokshin apo dhjetërrokshin tradicional.

Ajo polemikë bëhej mbi të gjitha për estetikë të re, më të përpunuar, brenda të vetmes formë të lejuar-imponuar të artit realist. Në tekstet e botuara më herët ishte vënë re dallimi, por polemikat në faqet e gazetës “Drita” të vitit 1961, shfaqën haptazi se mes brezave letrarë nuk kishte thjesht dallime, por mospajtime dhe kundërshti për estetikë dhe shprehi ndryshe.

Për të ilustruar këtë mospajtim ndaj tradicionalistëve, që ishin haptazi kundër frymës së sjellë në poezinë shqiptare prej “poetëve të rinj”, do të ishte i mjaftueshëm citimi i disa prej titujve nga diskutimet e Ismail Kadaresë (Asgjë tragjike s’ka ndodhur, asnjë traditë s’është mohuar) dhe të Fatos Arapit (Nuk na e ka fajin vargu) botuar “Drita”, korrik 1961.

Debati letrar përfshiu mes palëve hierarkinë më të lartë të shtetit, pa lënë mënjanë as Enver Hoxhën që, për të mos bërë të pakënaqur asnjërën nga palët, në mbledhjen e gjerë me shkrimtarët dhe artistët më 11 korrik 1961, deklaroi se “letërsia dhe artet janë zhvilluar në rrugë të drejtë dhe se ajo pasurohet çdo ditë e më shumë.”

Është interesante të vëzhgohet ndërkaq se si shpërthimet e sulmeve të tradicionalistëve ndaj të rinjve fashiten përmes një akti: ngritjen simbolike të “flamurit të bardhë” nga Mark Gurakuqit, i cili përmes një poezie ku gjendet edhe vargu “dorëzimi i stafetës në dorë dhe të sigurt” shpall mbylljen e përkohshme të debatit, në dobi të poezisë së re. Vjersha me titull “Shokëve të rinj poetë” tingëllon e shkruar si me porosi.

Ajo, bashkë me vjershën “Poezia” botohet më 3 shtator 1961, në faqen 2 të gazetës “Drita”, në të njëjtin numër ku ishte botuar edhe atikulli i Dritëro Agollit, “Traditë, natyrisht, por jo shtampë”, që i kundërvihej me shembuj ilustrues dhe jo pak përqeshës, prapambetjes së krijimtarisë së tradicionalistëve.

Shenja më e qartë e pranimit të humbjes dhe e shtrirjes së dorës së pajtimit ndaj “poetëve të rinj” janë vargjet e krijimit me titull “Poezi”, në të cilin Mark Gurakuqi –një nga mbrojtësit e tradicionalizmit, të qëllimores dhe estetikës së vjetër në poezisë shqiptare – pohon se “rrug ma t’gjana don sot poezija”.

Për të dëshmuar daljen jo pa dhimbje nga muzeu i klisheve letrare të fazës së parë të realizmit socialist, ky autor merr hua fjalorin poetik të “avantgardës” së poezisë së re shqiptare, ky mes të tjerash ndeshen edhe fjalët sputnik, antena, korpus metalit, tension i naltë, bateri, torno uzinash, kozmos, anije kozmike – fjalor ky krejt i ri, modern dhe novator për poezinë shqiptare, i ndeshur më herët, që në janar të viti 1961, kur Ismail Kadare botoi në gazetën “Drita” poezinë “Skicë e qytetit t’arthmë”.

Por nëse duhet kërkuar një pikënisje për ta hetuar dallimet mes poezisë së viteve 1945-1950 dhe poezisë së viteve ’60 një fillim domethënës mund të ishte funksioni mimetik, qëllimi dokumentues dhe raportimi i ndodhisë. Poezia e viteve ’45-’50, ishte vënë në rolin e dëshmitarit, që riprodhonte, por nuk abstragoi mbi realitetin.

Ajo krijimtari u dha thjesht forma rimuara ideve politike, ngjarjeve të ditës dhe realitetit të ri, siç vërehet nga titujt e botuar në “Literatura jonë”, “Letërsia jonë” “Nëntori” dhe “Drita” nga viti 1947 – 1961, të tilla si: Prak më prak, Bjeri çekiçit. Tak…Tuk…Po ngrihet fshati më i ri. Afshi i ri (Aleks Çaçi); Kremlini (Lame Kodra), Ndalo! Punëtorit (Zihni Sako) Stadium; Muratori; Qumshti i parë (Vehbi Bala). Pa mjete dhe kërkime të reja stilistikore, ajo poezi u formatua në përputhje me “Planin dyvjeçar të shtetit dhe detyrave të shkrimtarëve”, botuar në “Literatura jonë”, No. 6. Gusht, 1949.

Poezia e viteve ’60 i shpronësoi gjithashtu poetët e brezit paraardhës edhe nga tema e atdheut, që shihej si zona e sigurt tradicionalistëve. Me krijimtarinë e Ismail Kadaresë, Fatos Arapit, Dritëro Agollit apo Dhori Qirjazit, ajo temë, dhe pse me emfazë e pathos, njohu transformim, pasi atdheu i këtyre poetëve nuk ishte atdheu imediat, por atdheu dinamik, që i takonte së ardhmes (socialiste) – terma këto që janë pjesë frymëzimit dhe e aksionit futurist.

Mimetizmit të paraardhësve ata i kundërvunë demiurgun e avangardave, ndaj dhe poezia e tyre shpesh i adresohet qiejve dhe ruan frymëzimin mesianike të të dërguarve në tokë, që u flasin masave për të ardhmen.

Por ngjashmëria estetike me prejardhje nga “avantgardat” nuk kishte shpëtuar pa u vënë re edhe nga poetët tradicionalistë të viteve ’50. Ata nuk e humbën rastin për t’i kritikuar, madje akuzuar poetët e rinj për temat kushtuar kozmosit dhe shkëputje nga realiteti.

Kanosëse tingëllojnë cilësimet se përdorimi i “vargjeve të lira duhet parë si fenomen negativ” e bashkë me to mbërritën edhe qortimet për vargje të shkruara në gjendje “gjysmë dehjeje” – kupto dalldia futuriste – dhe për “shthurjet që nuk duheshin lejuar në art”, të cilave u bashkohen vërejtjet lidhur me “mbeturinat e dekadentizmit” dhe trajtime “temash me frymë […] surealiste, futuriste”. Ndaj edhe si tipar, poezia e viteve ’60 duket se vjen me pamjen e apokaliptike të një “avantgarde” (cilësuar si novatore), brenda qerthullit të mbyllur të poetikës shqiptare të atyre viteve.

Veçse nga ana tjetër termi “avantgardë”, me gjithë shpirtin ikonoklastik të poezisë së viteve ’60 kundrejt poezisë thjesht realiste të paraardhësve, nuk e përmbush kuptimin e përgjithshëm të termit. Edhe pse me dallime të thella ndaj poezisë paraardhëse poezia shqiptare e vitveve ’60 mbetet pjesë e një projekti artistik që i kushtohet artit me frymëzim ideologjik.

Kjo pasi, me gjithë qëllimet transformuese e ndonse ndihet natyrshëm një avantgardë estetike përballë paraardhësve, vetë skema e përgjithshme e realizmit socialist, ku kjo letërsi u përfshi, zyrtarisht dhe para së gjithash mbetet një projekt historik kushtuar historisë së artit proletar nën skemën e përgjithshme teleologjike të historisë marksiste, siç shton Groys, me ambicje për të zbatuar një projekt të qëllimshëm utopik, atë të telekomandimit të realitetit drejt së ardhmes, “futurizmit” vendas, lokal, e cili, duke iu kundërvënë formalisht artit të avantgardave, në fakt e imitoi atë dhe krijoi lidhje marrëdhënie në largësi.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Rama e dinte që do largohej? Reagon Tahiri: Ja pse ika!

Sa shumë spekulime që ka ngjallur lajmi për largimin e Saimir Tahirit...
Read More