Arjan Konomi: Nuk besoj tek fjalia “të dua gjithë jetën”

“Kam zgjedhur të jem beqar, i lirë e për këtë miqtë e mi më kanë zili…”. Gazetari Arjan Konomi ka qenë i ftuari i radhës në Klubin e librit në Universitetin Europian të Tiranës me Alda Bardhylin për të folur për librin “Saga e jetëve legjendë”, por nuk ka shmangur as rrëfimin për jetën e tij private.  

Duke folur për jetën dramatike të personazheve që ka zgjedhur për ti sjellë në një libër Winston Churchill, Katerina e Madhe, Albert Speer, Caravaggio, Maria Callas dhe Albert Einstein, ai tha se të gjithë ata kishin pasur dashuri të mëdha por në fund nuk ishin të lumtur.

E tillë ishte dhe Maria Callas, e cila pavarësisht jetës me jahte e lukse që i jepte Onasis ishte e jo e lumtur. I pyetur mbi dashurinë, Konomi u shpreh se ai besonte tek dashuria si një formë e cila i bën të lirë njerëzit, dhe jo tek betimet se “do të dua për gjithë jetën”.

“Mendoj se betimet që njerëzit bëjnë për dashuri të përjetshme, apo se “do të dua gjithë jetën” është i tepërt. Nuk besoj në këtë lloj dashurie. Njeriu duhet të ketë lirinë si në dashuri ashtu edhe në jetë”,- tha Konomi.

Dhe pse i përket një brezi që besonin në dashuri platonike, Konomi tha se “dashuria platonike nuk ekziston, pasi dashuria nuk është e tillë nëse nuk është e plotë”.

“Nëse një dashuri nuk ka lidhje fizike nuk funksionon, dashuria është e tillë vetëm me seks”,- tha Konomi. Gazetari tregoi se ishte shkëputur nga gazetaria aktive për të jetuar në Vuno, për ta njohur veten në një tjetër dimension, por edhe për t’iu përkushtuar shkrimit të një librit.

“Por nuk është se kam pasur ndonjë ofertë që do më mbante në Tiranë”,- tha ai. Sipas tij, fakti që në Shqipëri janë shtuar divorcet është një fakt që tregon emancipimin e femrës.

Duke folur për përvojën si gazetar në Itali, dhe kthimin në Shqipëri, Konomi tha se ishte një zgjedhje e vetëdijshme pasi jeta sociale në Tiranë, kafenetë ku mund të bisedosh gjatë janë një formë që tregojnë zhvillim.

Duke folur për librin ai tha se “Lindi rastësisht duke qenë pasioni im leximi i biografive dhe njohja e jetëve qoftë publike, qoftë të jetës private të personazheve të famshëm që kanë ndikuar dhe kanë shënuar ndryshime rrënjësore në historinë njerëzore”. Sipas tij, asgjë nuk i bën bashkë këto personazhe përveç pothuajse mitologjisë që ata përmbajnë në ditët e tyre mes suksesit, dështimit, dhimbjes, ambicies, erudicionit, kontroversialitetit e ndonjëherë e çmendurisë.

“Njohja e tyre nuk përbën vetëm një kuriozitet, por është një hap drejt kulturës, drejt njohurisë, drejt një formimi. Ky libër për mua është për të kënaqur mendjet që janë të etura për njohje , për një mendje kozmopolite në kërkim të kulturës dhe erudicionit. Nuk kam bërë asnjë gjë të jashtëzakonshme, sepse janë vetë jetët e këtyre qoftë publike, qoftë private të jashtëzakonshme.

Unë jam përpjekur dhe shpresoj ta kem arritur ti kem sjellë ato tek publiku në një mënyrë të këndshme për t’u lexuar”, shtoi ai. Por pse një legjendë dhe një sagë së bashku?

“Me të vërtetë ka diçka të pabesueshme në jetët e tyre që i ndan nga gjithë ato jetë të tjera të njerëzve te zakonshëm dhe që natyrisht për mua përbëjnë një legjendë mitologjikë edhe pse të vërtete. Jetët e këtyre personazheve nuk mbarojnë dhe ndërtojnë një sagë, dhe pse jo nëse do të kem kohë do të bëj edhe vazhdimin e kësaj sage me personazhe të tjerë po kaq të rëndësishëm dhe interesantë”,- tha Konomi.

Tashmë ai ka nisur të shkruajë një libër për jetën e Aleksandrit të madh, ku spikat dhe dashuria e tij fatale me mikun e ngushtë.

32447339_2110376629206850_6176389801755803648_n
 
Shkruar Nga
More from Redaksia

“Dukesh e mrekullueshme”: Princ Harry mezi i mban lotët

Meghan Markle dukej e mrekullueshme me fustanin e saj të thjeshtë, por...
Read More