Arkitektët me artistët: Kundër shembjes së Teatrit, godina është e fortë, të rikonstruktohet

Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar dje në ditët e protestës së të hënës u janë bashkuar edhe arkitektët, duke sjellë arsyet pse janë kundër shembjes së godinës. Më shumë se 100 artistët nuk janë lejuar të hyjnë sërish në teatër, por në oborrin e saj kanë deklaruar se paralel me lëvizjen e tyre çështjen e Teatrit do ta çojnë në gjykatë

Nuk do të lejojnë shembjen e Teatrit Kombëtar, dhe derisa të mbledhin të gjithë informacionin e duhur për nisjen e procesit gjyqësor artistët do të jenë në shesh. Kastriot Çipi ka thënë se janë në fazën e zbulimit të së vërtetës dhe shumë shpejt do të finalizojnë lëvizjen e tyre në një proces gjyqësor kundër Kryeministrit për shkeljen e ligjit për trashëgiminë kulturore. Në fakt kjo deklaratë nga ana e Çipit u bë pas pyetjes përse nuk e zgjidhin këtë çështje me rrugë juridike, ku për herë të parë edhe u artikulua se janë të hapur për t’ju sugjeruar një studio avokatie.

Dy sindikatat ajo e skenës së pavarur, dhe sindikata e artistëve të skenës dhe ekranit janë organizuar në Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit të cilat prej një muaji presin të zgjidhet konflikti përmes grumbullimeve që po bëjnë çdo javë, ditë të hënë, në mjediset e Teatrit Kombëtar. Dy çështje vazhdojnë të jenë ende të pazgjidhura: ligji për artin, si dhe fati i godinës së Teatrit Kombëtar. Për të parën, ligji për artin nga reagimi i fundit i ministres së Kulturës është mësuar se do të jetë e hapur për ndryshime në amendime. Por asnjë sinjal nuk i ka dërguar SASE për të biseduar. Ndërsa për çështjen e dytë, është furtuna më e madhe e ngritur pas vitit 1999. U zbulua projekti, u bë dëgjesë publike me artistë të ftuar selektivë, por që ka marrë një rrjedhë të papritur kur nga ministrja e kulturës, sërish u tha se ishte vetëm një projekt ide, dhe ende nuk ka një përfundim mbi fatin e godinës. Artistët vazhdojnë të mblidhen në oborr duke shtuar rrethin e aktorëve, por edhe qytetarëve, dhe së fundi duke u përfshirë edhe arkitektët. Këta të fundit edhe më të indinjuar pasi ata janë shpërfillur krejtësisht nga Kryeministri në gjithë këtë proces, duke e konsideruar arbitrar ndërhyrjen dhe përjashtimin nga zona historike godinën aktuale të Teatrit Kombëtar. Ata janë shprehur kundër shembjes, duke thënë madje se nga analizat e bërë prej specialist se Teatrit rrezikon nuk është veçse një farsë. I vetmi problem për teatrin është mungesa e rikonstruksionit të tij. Për këtë Arben Biçoku ka mbajtur dje një fjalë të gjatë duke shpjeguar dekadën kur arkitektura neoklasike hyri në histori, ku pjesë e saj u bë edhe Shqipëria, me godinat e trashëguara si Teatri Kombëtar, krahas godinave të tjera si hotel Dajti, Kryeministria apo Banka e Shqipërisë. Biçoku dha arsyen: “Jemi kundër projektit të propozuar, pasi është i disbalancuar me atë çka kërkon të marrë privati me atë çka jep. Një arsye pse unë mendoj se nuk duhet të tjetërsohet ky territor është se Tiranës gjatë dekadës së fundit nga 2008 deri aktualisht, i janë përgatitur tri plane rregulluese, është analizuar shumë gjatë nga ne urbanistët, dhe një nga konkluzionet është se ky qytet ka shumë të mangët territorin publik dhe që ky të funksionojë normalisht duhet patjetër të shtohen trojet publike. Këtu në vend që të shpronësohen territore private për arsye publike për t’u bërë investime publike që i nevojiten këtij qyteti, qofshin investime të natyrës kulturore apo në shkolla apo çdo lloj aktiviteti tjetër shoqëror, këtu kërkohet e kundërta; toka publike t’i kalojë privatit. Ndërkohë ajo çfarë propozohet, që në zhargon janë quajtur kulla, nuk janë kulla, por është një pallat i stërmadh, një volum i tërë, me disa xhepa. Është një intensitet ndërtimi rreth katër herë më e madhe se ç’propozohet në gjithë pjesët e tjera qendrore të Tiranës. Cili është motivi që bëhet ky propozim? Një arsye tjetër pse unë jam kundra këtij projekti është arsyeja se çfarë përfaqëson në vetvete kjo ndërtesë. Kjo ndërtesë përfaqëson një pikë të rëndësishme në zhvillimin arkitektonik në qytetin e Tiranës. Gjithë kjo dekadë 1920- ‘30 dhe ’40 në vendet kryesore europiane kanë qenë dekada ku ndeshen dy filozofi të të projektuarit në arkitekturë. Ajo çka vinte nga shekulli i 19-të që përfaqësohej me një neoklasicizëm të rinovuar, me atë që kishte filluar të lindte që ishte arkitektura moderne. Praktikisht çfarë shohim në Shqipëri në atë periudhë apo në Tiranë, ne shohim ndërtesën e Bankës së Shqipërisë siç është në Durrës që është akoma në këmbë edhe sot, të cilin e ka marrë banka e kursimit; një ndërtesë e propozuar me frymë neoklasike. I njëjti autor me propozimin e parë që sjell për Bankën e Shqipërisë në Tiranë më 1931, i takon një varianti neoklasik. Pak vite më pas më 1935-1936, e revizionon veten duke sjellë një arkitekturë racionaliste ajo që shohim sot të realizuar. Arkitekti tjetër që propozoi bllokun e ministrive solli një frymë neoklasiciste shumë të stilizuar që e quajmë eklektizëm, stil që u bë me ministrinë por nuk u përsërit më në Tiranë. Pastaj nisin objekte të arkitekturës moderne me Bankën e Shqipërisë, me Teatrin, me këtë ndërtesë që në atë kohë u quajt rrethi italo-shqiptare Skëndërbeg, dhe destinohet për aktivitete kulturore, kishte salla teatri, kinema, restorant, salla ballosh dhe funksione rekreative. Dhe është vazhduar me një sërë kompleksesh me sheshin “Nënë Tereza”, me kryeministrinë me hotel Dajtin, që janë të gjitha objekte të frymës modern. Kjo ndërtesë, përveçse sjell një arkitekturë moderne për kohën e zhvesh nga shumë dekoracionet, pikërisht këtë tentonte arkitektura modern dhe racionaliste dhe, ta bënte në një gjuhë sa më njerëzore sa më të përmbajtur”.

Sipas arkitektit godina ka edhe një fakt të ri, shumë të rëndësishëm që lidhet me teknologjinë e ndërtimit të tij, ku teatri ishte një risi për kohën në Shqipëri. Teatri ishte objekti i parë i parafabrikuar. “Është diskutuar, se është një objekt i bërë i përkohshëm. Kam diskutuar me njerëz specialistë të cilët më kanë thënë se janë bërë analizat dhe përgjigja ka qenë se janë në gjendje jashtëzakonisht të mirë, sikur janë vënë sot. Pra gjithë historia që është gjendja e keqe ka të bëjë me faktin që në këtë ambient nuk është vënë dorë në mirëmbajtje. Nuk është rikonstruktuar. Është dashur pa nuk është vënë dorë”. Biçoku beson se asgjë nuk ka mbërritur rastësisht në këtë pikë, duke kujtuar një deklaratë të Kumbaros më 2015 se nuk do hidhet asnjë qindarkë për Teatrin. Ndërsa arkitekti është kundër shembjes, shprehet se fatale ka qenë dhe heqja e kësaj godinë nga mbrojtja në vitin 2017, duke thënë se “është ardhur në një mënyrë të përgatitur hap pas hapi për të arritur tek ajo deklaratë që tha kryeministri kur tha se Teatri do shembet”.

Arkitekti Kreshnik Merxhani që e ka të lidhur jetën jo me ndërtime të reja, por restaurime dhe konservime, tha se “Ideja se restaurimi i godinave është më i shtrenjtë se ndërtimi nga e ara është një mit, dhe se ka pasur indinjim mes arkitektëve se si është sjellë propozimi i ri pa asnjë proces, dhe transparencë, pa asnjë takimi me grupet e interesit, për të parë se çfarë vlerash ka vërtetë ky objekt përtej atij margjinalizimi që u munduam t’i japin formë një pjesë e politikanëve. Ne donim transparencë e ndjeshmëri, jo vetëm për objektin e Teatrit Kombëtar por për, atë që njihet si aksi monumental, si pjesë e kujtesës së qytetit, kryeqytetit shqiptar. Nuk ka asnjë arsye, logjikë për të marrë një akt eliminimi për një objekt si ai i Teatrit Kombëtar”. Rudi Sata, kryetar i Sindikatës së Artistëve dhe Punonjësve të TKOBAP ka bërë thirrje që kryeministri Edi Rama të ndiqet penalisht, ndërsa ka deklaruar se nuk do të lejohet që të shembet Teatri Kombëtar. “Të ndiqet penalisht kryeministri. Ta vëmë me shpatulla pas muri”, -tha ai. Gjatë dëgjesës me artistë dhe qytetarë pasditen e sotme në ambientet e jashtme mes Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental ishin të pranishëm edhe arkitektë. Shkrimtari Behar Gjoka tha se “Një qytet pa teatër është si një njeri pa gojë. Si ka mundësi që ministrja Kumbaro nuk di që ka projekt, kur ai është prej vitesh në kokën e Ramës”. Regjisori Bujar Kapexhiu ftoi Ramën që të tërhiqet nga vendimi për të shembur teatrin. “Miku im, tërhiqu thuaj s’do të shembet. Tërheqja është zemërgjerësi, të presim”. Aktori Arben Derhemi është shprehur se artistët nuk do të lejojnë që të shembet teatri. “Teatri Kombëtar nuk do të shembet”, -tha ai. V.M

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Nga çizmja te toleranca, çfarë po ndodh me Monën?

Nga Ervis Iljazaj Monika Kryemadhi ka komentuar ditën e djeshme largimin e...
Read More