Armiqtë e vërtetë të Bashës dhe të PD-së janë pikërisht në kryesi

Nga Arjan Çuri

Nuk është shumë e qartë pse Basha vendosi ta thërrasë pikërisht tani kryesinë e Partisë Demokratike, kur ai nuk e bëri këtë ndoshta atëherë kur duhet ta bënte, në momentin që hartoi listën e mbyllur për deputetët që do të drejtonin këtë legjislaturë. Edhe pse premtoi që për shkak të rrethanave dhe kohëve të ngutshme, kjo do të ishte hera e fundit që ai do t’ia besonte vetëm vetes këtë përgjegjësi të madhe të shpërndarjes së pushtetit legjislativ, që populli opozitar do t’ia besonte atij vetë dhe të djathtës shqiptare. Kështu, Basha, nisur edhe nga deklarimet e tij, duket se ka vendosur që të japë një mesazh të fortë kësaj radhe, ndaj mendojmë se ka qenë pikërisht ky momenti pse thirri një mbledhje të kryesisë. “Sa të jem unë, -tha ai, në PD nuk do të ketë fraksione”. Dhe shumë mirë e tha, sepse edhe në mendimin tonë, fraksionet nuk janë fort në karakterin e organizimit politik të partive të djathta, siç jemi shprehur edhe në shkrimet tona të mëparshme.

Por, mesazhi i fortë që fraksionet nuk duhet të lejohen, duhet të vijë duke u shoqëruar edhe me një qëndrim akoma më të fortë, që nëse jo vetë Basha, por ata që janë pro tij, dhe bashkë me të, duhet ta artikulojnë çdo ditë e më shumë në daljet e tyre publike, sikundër, me të njëjtën forcë, madje edhe me më shumë vendosmëri, aktivizohen elementet anti Basha, që për hir të së vërtetës, duket se janë bërë bajatë fare me mënyrën sesi po e bëjnë publik aktivizmin e tyre politik. Ata e kishin kohën e tyre, mundësinë e tyre për ta sfiduar Bashën, në zgjedhjet për kryetar të PD-së. Jo vetëm që nuk nxorën një figurë të besueshme dhe të respektueshme, por filluan të bënin si fëmijë qaramanë e frikacakë, që ne nuk hyjmë në garë, nëse nuk ikën Basha nga zyra e të tjera pretendime si këto, që nuk kishin asnjë bazë logjike të një konkurrence politike normale. Shkuan deri aty, sa të përmendnin familjarë të tij, të bërtisnin për nxjerrje me dhunë nga zyra të kryetarit, thua se po përmbysnin ndonjë mbret me revolucion, apo të varnin lecka nëpër muret e dritaret e selisë së PD-së, si debatikasit e dikurshëm komunistë, me thirrjet “Basha ik”, duke harruar se shkëlqimi i dikurshëm i tyre dhe i partisë ku militojnë ishte kur mbushën rrugët dhe sheshet e Shqipërisë me parullat “Rama ik”, e të tilla si këto.

Kështu, elegancës së Bashës, dhe përpjekjes së tij për unifikimin e partisë, me idenë se armiku ynë i përbashkët është Rama, dhe asnjë individ tjetër brenda partisë, grupi që ka muaj të tërë që po e sfidon me mënyra jashtëstatutore dhe antidemokratike, i përgjigjet me faktin që ne nuk e kemi fare me Ramën energjinë tonë opozitare, neve nuk na intereson të ikë Rama, neve na intereson të ikësh ti, me hir a me pahir. Madje, sfidanti i vetëshpallur dhe i paprovuar me votë i Bashës, po thërret sërish për marrje me imponim të fateve të partisë në dorë, sikundër proletarët e dikurshëm apo të tanishëm ëndërrojnë të përmbysin me dhunë borgjezinë. Për këtë arsye janë bërë shumë qesharakë, dhe madje, nisur nga kjo gërnjë e tejzgjatur, mund të kenë humbur edhe ndonjë mbështetës që deri tani mund të ketë menduar si ata. Me ato që mund të shoh, mendoj se Basha e ka fituar betejën, jo vetëm me votën gati unanime të anëtarësisë së PD-së për rikonfirmimin e tij, por edhe të elegancës që ka arritur të paraqesë, sa herë që janë tensionuar situatat brenda partisë që drejton, me staturën e një politikani të edukuar në perëndim.

Ja pra, pse edhe gjatë mbledhjes së fundit të kryesisë, që më shumë ngjante me një skenë histeria masive, ku ata që nuk e donin, nga inatet dhe mllefet që ëndrrën e tyre për ta nxjerrë zvarrë prej zyre, nuk e bënë dot realitet, madje as nuk guxuan ta sfidonin përballë anëtarësisë. Kamerat dhe gazetarët që ishin aty jashtë, panë spektakël me njerëzit që lëviznin duar e këmbë dhe bërtisnin me sa kishin në kokë, madje të nesërmen, qarkulluan me video dhe audio, sherret brenda kryesisë, ku përmbajtja e të cilave, fliste më shumë se çdo deklaratë zyrtare e antibashistëve. Çdo gjë ishte e shëmtuar dhe lemeritëse. Dukej sikur të gjithë armiqtë e Bashës, ishin mbledhur në kryesinë e PD-së, njësoj sikundër në Romën e lashtë, armiqtë e vërtetë të Perandorit nuk ishin mesh pushtuesve të huaj, por mes anëtarëve të pabesë të Senatit. Sado që Basha të përsërisë me durim thirrje për qetësi e t’u thotë senatorëve të kryesisë së tij se armiku është Rama, ata në axhendën e tyre, kanë një tjetër armik, dhe ai është pikërisht Basha, dhe askush tjetër.

Prandaj, ka ardhur koha që kjo farsë dhe shfaqje e shëmtuar të marrë fund përfundimisht. Nuk mundet që PD-ja të ketë luksin, që sherret dhe qejfmbetjet brenda senatorëve të saj të vjetër dhe të rinj, të zgjatin pafundësisht. Beteja u bë edhe u mbyll. Basha fitoi, antibashistët humbën. E megjithatë, sërish Basha, u ka dhënë një tjetër rrugë, të qëndrojnë e të kontribuojnë brenda PD-së, pa mbjellë përçarje e shpallur fraksione, derisa t’u vijë dita, që ta sfidojnë sërish përballë anëtarësisë. Por duket se në këtë pikë që janë, senatorët nuk duan të kthehen më mbrapsht, ata nuk do t’i binden më Bashës, dhe as që do të marrin më direktiva prej tij, për të luftuar kundërshtarin e përbashkët politik. Ata e kanë me të dhe me askënd tjetër, madje emrin e tij e kanë vënë edhe në flamurin e revolucionit, që e ngulën në dritaret e selisë që themeloi pluralizmin. E megjithatë, këta, vetëm pluralizmin brendapartiak nuk e durojnë dot fare.

Prandaj, i gjendur në këtë pikë pa kthim, pasi temperatura e vlimit e ka kapur me kohë vlerën e saj maksimale, Bashës i ngelet të bëjë vetëm një gjë. Të hapë zgjedhjet brenda Partisë, në të gjitha nivelet, dhe të tregojë me emër e mbiemër personat, që sipas tij, nuk do të mund ta pranonin si kryetar, në mënyrë që vetë anëtarësia që e mbështeti me aq vendosmëri kur e ripohoi kryetar, të mund të largojë të mllefosurit nga çdo strukturë dhe qelizë drejtuese e PD-së. Sepse kështu siç janë gjërat, ai nuk mund të punojë i qetë që të rrisë kuotimet e partisë së tij, në zgjedhjet lokale që janë shumë afër. Ata që e kanë problem ta pranojnë Bashën për kryetar, për çdo lloj arsye që të kenë në kokën e tyre, që nuk ua paragjykon njeri, mirë është të mos rikandidojnë as në kryesi, as në këshillin kombëtar dhe askund tjetër, pikërisht me idenë se nuk janë dakort me vendimin që ka marrë anëtarësia ku ata bëjnë pjesë. Le të bëhen edhe ndryshimet statutore të nevojshme, që çdo sfidant, që e ndjen veten të fortë, dhe që mund të mbledhë një numër të caktuar firmash të anëtarësisë, të mund ta sfidojë Bashën, sa herë që ka zgjedhje të rregullta, si edhe të saktësohet se kur Kryetari jep dorëheqje e kur jo.

Vetëm kështu, do të disiplinohen njëherë e përgjithmonë, ata që nuk janë dakord me Bashën, dhe ne nuk po sulmojmë faktin që ata nuk janë në një mendje me të, pasi në çdo forcë politike ka individë të tillë që mendojnë lirshëm e me kokën e tyre. Ne atakojmë faktin, që duhet të vijë një moment, dhe kjo duhet të kishte ndodhur natyrshëm, nëse do të ekzistonte kultura politike e bindjes ndaj vullnetit të shumicës dhe përunjësia për të pritur që të përmbushet koha dhe kushtet kur duhet sfiduar Kryetari.

Nuk mund të jetë çdo ditë e jetës së PD-së, ditë lufte kundër kryetarit, pasi kjo forcë që drejton opozitën ka shumë punë për të bërë në ofrimin e një alternative qeverisëse më të mirë se ajo ekzistuese. Nëse thirrjes së Bashës për ta parë armikun diku tjetër jashtë partisë, askush në kryesi apo anëtarësi nuk ia vë veshin, kjo do të thotë, se Basha duhet të kuptojë tashmë, se armiku i tij i vërtetë nuk është Rama, por senatorët e pabindur që i ka në kryesi dhe në kryesitë e niveleve të mëposhtme. Duhet t’i kërkojë anëtarësisë që t’i japë një kryesi të re, një këshill të ri, pra një parti të re, në të gjitha nivelet që të jetë bashkëpunuese me të, në mënyrë që ai të bëjë një opozitarizëm të shëndetshëm parlamentar dhe ekstraparlamentar.

Në të kundërt, urojmë, që ndonjë nga ata senatorë që shfaqën sjellje vulgare e të dhunshme, që Basha me tolerancën e vetë, e fal sot, të mos çohet nesër dhe t’i ngulë një thikë tjetër pas shpine, si dikur perandorit romak. Kohët ndryshojnë, por dobësitë dhe pasionet njerëzore, sidomos tundimet e pushtetit, mbeten gjithmonë të njëjtat.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Filmi “Elvis Walks Home”, në Montreal World Film Festival

Filmi “Elvis Walks Home” me regji nga Fatmir Koçi do të marrë...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.