Aroma e librave, si lexojnë të rinjtë në iPad, letër apo e-book?

Me sloganin “Të gjithë librat janë të rëndësishëm”, për tre ditë në Muzeun Historik Kombëtar vëmendja mbi letërsinë për fëmijë e të rritur jo vetëm ka hapur debate, por dhe një ballafaqim të drejtpërdrejtë me përvojat letrare, ërkshope, laboratore të shkrimit e përkthimit, pikturës duke krijuar një atmosferë multikulturore në Festivalin e Letërsisë për Fëmijë e të Rinj; Përkthyesi Edmond Tupja, studiuesja Kristina Jorgaqi, Lili Sula, përkthyesja Albana Nexhipi, botuesja Marjana Ymeri flasin mbi realitet letrar që ka përfshir vala e tekonologjisë edhe ne vendin tonë: cili është lexuesi i së ardhmes?!

Nuk ishte e papritur përgjigja e një të riu i cili preferonte të lexonte libra në gjuhë të huaj e në iPad, me mendimin se shqipja nuk e përmbushte, aq sa edhe entuziasmi i disa të tjerëve që, duken më të shumtë, se dëshironin lexim shqip, e të preknin letrën, të lexojnë librat e shtypur. Grupe grupe, diku mësonin se si të krijonin një tregim të tyre, një vend tjetër ishte befasia përballë përkthyesit Edmond Tupja, e një vend tjetër letërsia e tyre sillte përvoja shkrimtarësh, të rrëfyer. Një mjedis që furnizon vetëm me libra për fëmijë e të rinj, ku rreth 20 botues kanë zënë hapësirën e katit të parë të Muzeut historik Kombëtar. Me sloganin “Të gjithë librat janë të rëndësishëm”, në tri ditë vemendja mbi letërsinë për fëmijë e të rritur ka hapur debate, jo vetëm si ballafaqim i drejtpërdrejtë me librat e botuar, por si ato bëhen pjesë e jetës, e shoqërisë, e familjes për të ndihmuar lexuesit e së nesërmes. Në Shqipëri është hera e parë që një projekt i tillë, pjesë e programit Europa Krijuese e BE, ku lider është shtëpia botuese “Dituria”, me dy partnere nga Italia dhe Maqedonia, dhe kanë në qendër veprimtari që nxisin dëshirën për lexim nga fëmijë e të rinj, nisur qysh në vitin 2016, dhe mbyllet në qershor 2018.

Para një grupi të rinjsh ishte e pamundur të mos shihje rezistencën e shkrimtarit Edmond Tupja kur i duhej të fliste mbi dashurinë e tij për librin.

I përfshirë në aneks mbi laboratorin krijues për leximin, thirrur Aroma e librave…dilemat e të rinjve aty brenda, bëheshin reale kur në një krah stendat e botuesve kishin gati “blerësit”, por njëkohësisht edhe pyetjet më shqetësuese për to: Po ju lexoni librin elektronik apo iPad?

Libri elektronik apo libri “tradicional”, i shtypur në letër? Por përkthyesi Edmond Tupja e nis në zanafillë reflektimin e tij: “Penaku në librin që kam përkthyer para dy vjetësh “Si një roman”, flet për leximin, si problem familjar dhe shoqëror, aty ai përcakton dhjetë të drejtat që ka lexuesi. E drejta e parë: e drejta të mos lexosh. Ka njerëz që nuk duan të lexojnë, thjesht nuk duan. Në rregull, nuk duan. Tjetra është e drejta për të lexuar: e drejta të lexosh, të kapërcesh faqet, të lexosh…pra kjo nuk i detyron njerëzit të lexojnë domosdoshmërisht. Por unë kutpoj se shoqëria duhet të punojë për të mbetur dashuria për librin. Libri është nga mënyrat më të drejtpërdrejta për t’u formuar si njeri. Sigurisht është interneti, televizori, është filmi, kinemaja, teatri. Por libri ka një gjë të mirë sepse nuk të imponon vizionin e një tjetri. Është shkrimtari dhe ti, romani dhe ti. Ndërsa kur je në televizion është regjisori ndërmjet, qe të imponon mendimin e tij”.

Më tej Tupja ndalet tek marrëdhënia me librin, në disa kushte që frenojnë leximin: “Marrëdhënia, apo kontakti i lexuesit me librin, i njeriut me librin varet nga faktori ekonomik, ai shoqëror. Në një familje që jeton me asistencë nuk mund të blejnë një libër të shtrenjtë, ja u dogj fëmija. Po çfarë ndodh në një familje ku ka prindër analfabetë? Pastaj varet edhe nga mësuesi”. Për Tupën organizime të tilla, si Festivali i letërsisë për fëmijë duhet të bëhet një traditë, por paralel të ketë bashkëpunim edhe me shkollat. “Nuk është fjala vetëm për të shitur libra. Duhet të orientohen politikat, dhe po të bashkëpunojnë institucionet përgjegjëse në këtë drejtim do ishte ideale.”

Ç’ndikim ka teknologjia mbi të rinjtë? Tupja: “Varet çfarë lexon, nëse kalon gjithë ditën në internet. Ky është një problem që ekziston. Qysh në familje kur ulen, dhe secili është me telefonin e tij. Kjo është tepër, shumë individualizuese. Por duhet bërë punë ne shkolla. Dashuria për librin duhet ushqyer qysh në klasën e parë, që nga mënyra kur e merr dhe e mban në duar, dhe e zhgarravisin, jo libri duhet konsiderohet si një objekt i shenjtë. Televizionet kanë probleme të mëdha. Në paketat që blihen ka mjaft dhunë, vetëm dhunë. Televizioni mendoj se po i largon fëmijët, e të rinjtë nga librat. Është një pasivitet i tmerrshëm. Ti vetëm rri e sheh. Nuk lexon dy orë, por vetëm sheh dy orë. Nuk është e njëjta gjë. Kur lexon syri merr, ndërsa kur sheh syri lodhet dhe merr shumë më pak.”. Një nga njerëzit që nuk i ka shkëputur lidhjet me letërsinë për fëmijë, nga të paktët që e njeh mjaft është Pandeli Koçi, i cili merr një pamje tjetër për shqetësimin se çfarë lexojnë fëmijët sot, por edhe të rinjtë duke u shprehur se: “Fëmijët lexojnë me rekomandime, por sa shtrihet në gjithë Shqipërinë. A ka mundësi çdo fëmijë nga veriu në jug, nëpër fshatra që të lexojë një libër. Letërsia për fëmijë gjithmonë ka kërkesa. Ne kemi shumë probleme, se sa nxitet kjo letërsi. Se këtu nuk përfshihet vetëm ajo që kemi aktualisht por e gjithë tradita jonë. Libri për fëmijë, ndryshe nga ay për të rritur, ka nevojën e domosdoshme të ribotimit të vlerave.

Që prej Naimit, dhe ato të realizmit socialist, që pavarsisht moralizmit kanë dhe vlera artistike e humane. Këtu problem qëndron se sa dijnë të zgjedhin nga kjo letërsi. Pas ’90-ës, kemi letërsi por nisur nga botuesit privat vlen të shihet raporti me letërsinë e përkthyer në krahasim me letërsinë për fëmijë me autorë shqiptarë.”

“Gjithsecili prej nesh ka parapelqimet e veta. Unë parapëlqej të lexoj libra prej letre,  të rinjtë parapëlqejnë te lexojne on-line ose libra elektronike; te tjere te degjojne audiolibra. Nuk duhet te paragjykojme. Kjo është thjesht çështje zgjedhjeje. Nuk di ta parashikoj lexuesin e së ardhmes, por di të them se e rëndësishme eshte që njerëzit të kenë dëshirë për të lexuar. Pavaresisht se lexojnë librin tradicionale apo ate elektronik, në thelb ata janë lexues”, thotë studiuesja Kristina Jorgaqi.

A ka shqetësim real për të rinjtë, si lexues dhe letërsinë që lexojnë? Jorgaqi: “Te rinjte pergjithesisht nuk lexojnë dhe ky nuk është vetëm problem shqiptar, është edhe një problem global. Libri ka një konkurrent shumë të forte sot, që është interneti. Nëse duam të afrojmë të rinjtë me librin, duhet të nxisim format e reja të leximit”

Sa i takon një raporti përzgjedhës, të botimit nga letërsi e përkthyer, në krahasim me atë vendas, studiuesja thotë se “Ky lloj “produkti” letrar është shumë i paktë në Shqiperi. Ai duhet të plotësohet me prurje nga jashte. Shtepite botuese duhet të perzgjedhin libra për të rinj, të cilët i lexojnë të rinjtë kudo në botë. Këto libra nuk duhet të vijnë te ne pas një periudhe të gjatë kohe pasi kane dale, pra, nuk duhet të jemi shume të vonuar në përkthimin e tyre. Sot jemi bërë qytetarë globalë. Të rinjtë duhet të kenë mundësinë e blerjes së librave. Këta mund të mos jenë aq të bukur, por të jenë të aksesueshëm nga pjesa më e madhe të rinjve. Eshte e vërtetë që shtëpitë botuese sot nxjerrin libra me cilësi të lartë estetike e grafike, por që janë te kushtueshem. Mund te botohen libra më modestë nga pikëpamja estetike, por të dobishëm për nga problemet qe trajtojne”. Por në thelb, përkthyesi e shkrimtari, Edmond Tupja përcakton dashurinë për librin, pa mohuar se si ai lexohet sot, në letër apo në iPad, tek të rinjtë është e rëndësishme të zgjidhet libri dhe të dijnë përse lexojnë. Tupja: “Libri është një gomone shpëtimi. Është terapi, na jep forcë shpirtërore. Kjo është e vjetër për mua. Që kur isha fëmijë e ndjeja që libri më ndihmonte. Besoj se kam mbetur një fëmijë…Libri është një ndihmë që të një dritare për ndërtimin e vetvetes dhe botës. Nëse do të perifrazoj Hamletin, të rrosh apo të mos rrosh, mendoj se për njeriun e sotëm, është: të lexosh a të mos lexosh! Kjo është e vështirë sidomos për të rinjtë. Tani kemi librin elektronik, por kryesorja është të lexojnë edhe elektronikisht. Ka të tjerë që pëlqejnë të lexojnë librin, si letër. Unë lexoj librin letër, por një mënyrë të lexuari është edhe ajo elektronike. Ato nuk mohojnë njëra tjetrën, por e rëndësishme është që lexuesi duhet të dijë të zgjedhje, e të dijë pse lexon. Kjo është për të përsosur profilin tonë kulturor dhe shoqëror.”

 

Edmond Tupja: Libri në letër apo elektronik? Asnjëra s’mohohet, e rëndësishme nëse lexon

“Libri është një gomone shpëtimi. Është terapi, na jep forcë shpirtërore. Kjo është e vjetër për mua. Që kur isha fëmijë e ndjeja që libri më ndihmonte. Besoj se kam mbetur një fëmijë…Libri është një ndihmë që të një dritare për ndërtimin e vetevetes dhe botës. Nëse do të perifrazoj Hamletin, të rrosh apo të mos rrosh, mendoj se për njeriun e sotëm, është: të lexosh a të mos lexosh! Kjo është e vështirë sidomos për të rinjtë. Tani kemi librin elektronik, por kryesorja është të lexojnë edhe elektronikisht. Ka të tjerë që pëlqejnë të lexojnë librin, si letër. Unë lexoj librin letër, por një mënyrë të lexuari është edhe ajo elektronike. Ato nuk mohojnë njëra tjetrën, por e rëndësishme është që lexuesi duhet të dijë të zgjedhe, e të dijë pse lexon. Kjo është për të përsosur profilin tonë kulturor dhe shoqëror.”

 

 

Anketmi i përbashkët

Të pëlqen të lexosh libra? Përgjigjen nga: Shqipëria, Italia, Maqedonia

Nga Lili Sula

Ky kumtim mbështetet në të dhënat e anketimit “Lexues të fortë dhe të “dobët”: disa përfundime të anketimit për lexueshmërinë”, i cili u mbajt në seminarin ndërkombëtar Letërsia për fëmijë dhe lexuesit e saj: Strategji të reja për nxitjen dhe promovimin e leximit. Ai është pjesë e një studimi krahasues midis partnerëve të tjerë të projektit, përkatësisht Shtëpisë Botuese Tabernakul, Shkup, Maqedoni dhe Agjencisë Kulturore Arcipelago, Napoli, Itali dhe vjen në kuadër të projektit “Lexuesit e së ardhmes”, që realizohet nga shtëpia botues Dituria, mbështetur nga Programi Europa Krijuese e Bashkimit Europian. U anketuan rreth 1100 nxënës në Shqipëri; 1000 në Itali, po kaq në Maqedoni përmes pyetësorëve, dhe në Shqipëri u përgjigjen 930 nxënës. Anketimet u kryen në grupmoshat 6-10, 11-16 vjeç, në Tiranë, Shkodër, Durrës, Kavajë.

Për të shpjeguar zakonet e leximit të këtyre fëmijëve po përgjithësojmë disa prej të dhënave të mbledhura. Vërejmë se  kur prindërit lexojnë, atëherë ka më shumë gjasa që fëmijët të bëhen lexues të fortë. Mbi 60% e të anketuarve në Shqipëri që lexojnë, shprehen se prindërit e tyre lexojnë!  Rritet kjo përqindje me afro 10% në Itali. Grupmosha që lexon më shumë është midis 9-12 vjeç ( 59%). Dukshëm, vajzat lexojnë më shumë se djemtë, dallim gjinor që vjen e theksohet edhe në moshë më të rritur. Në lidhje me pyetjen se çfarë zhanri letrar lexojnë: fëmijët në Shqipëri si dhe në Itali e Maqedoni parapëlqejnë sipas grupmoshave afro 70% përrallat, për fëmijët nga 6-10 vjeç; dhe librat me aventura për fëmijët nga 11-16 vjeç. Librat me “princesha, zana, aventura e Pepa Pig” për grupmoshën 6-9 vjeç dhe librat me aventura e me mistere për moshën 11-16 vjeç janë librat më të preferuar. Një nga veçoritë e marrëdhënieve të fëmijëve me librin në Itali është se 2/3 e tyre pohojnë se shkollat e tyre zhvillojnë veprimtari letrare që promovojnë leximin, përmes takimeve me autorë, pjesëmarrjes në festivale për të rinj, në panaire dhe shumë forma të tjera. Siç thotë Umberto Eco në librin e tij Pape Satan Aleppe: Ka lindur moda e festivaleve! nganjëherë “të tepruara”në Itali. Por nuk ndodh kështu për fëmijët tanë. Dhe situata të ngjashme ka edhe në Maqedoni. Interesante të shënojmë frekuentimin në biblioteka të fëmijëve: në Itali mbi 60% nuk shkojnë në bibliotekë dhe diçka më shumë se  30% e frekuentojnë  bibliotekën. Në Maqedoni 1/3 e nxënësve frekuentojnë bibliotekën e qytetit ose të shkollës. Tek ne, çështja e bibliotekave publike, shkollore  hap një temë të gjerë diskutimi. Vlen të theksojmë se fëmijët tanë nuk e kanë të krijuar këtë marrëdhënie ose e kanë shumë pak në krahasim me vendet e tjera, sepse organizimi dhe funksionimi i bibliotekave tona ka mjaft probleme, që lidhen me vendin e papërshtatshëm, përkushtimin e mësuesit por në radhë të parë me varfërinë e titujve që të ofron biblioteka.

Kam marrë pjesë në disa promovime në kuadër të këtij projekti në shkolla të ndryshme dhe mund të thuhet pa doreza që vetëm biblioteka nuk mund të quhen!

Sa për zonat gjeografike, siç ndodh edhe në Itali dhe Maqedoni, midis veriut më të zhvilluar dhe Jugut më pak të zhvilluar apo brenda një zone me periferinë e saj, edhe në Shqipëri gjen të njëjtat karakteristika. Në Tiranë dhe Vlorë lexohet shumë më tepër sesa në Kavajë dhe Peqin! Pra, dallimet gjeografike, ekonomike, kulturore kanë një rol të rëndësishëm.

Në Tiranë pyetjes Të pëlqen të lexosh Libra? i janë përgjigjur” Shumë” 80% e të anketuarve, kurse në Kavajë vetëm 32%.

Tek ne dhe në vende të vogla përgjithësisht lexohet më shumë letërsi e përkthyer.  Më shumë se 80% e fëmijëve tanë shprehen se letërsia që parapëlqehet më shumë prej tyre është letërsia e huaj, sepse: -Botohen shumë më tepër libra të përkthyer me tematikë tërheqëse;-Janë të shkruar më bukur;-Lexojmë libra që lexojnë moshatarët tanë në botë.

Gjithsesi, në Shqipëri ka një bindje se për shkak të shumë faktorëve të njohur edhe në vende të tjera, por edhe faktorëve lokalë, të cilat i përmendëm apo do t’i përmendim më pas, fëmijët lexojnë më pak. Ka shkolla në fshatrat e Kavajës ku të gjithë nxënësit e klasës kishin lexuar vetëm 2-3 tituj, të cilat në fakt ose ishin të përfshira në librin e leximit ose gjendeshin jetime në bibliotekën e shkollës. Siç kishte një numër të konsideruar nxënësish që nuk kishin kohë të lexonin sepse “ndihmonin prindërit” dhe nuk kishin lexuar asnjë libër jashtëshkollor gjatë gjithë vitit të shkuar! Por kjo jo vetëm në fshatra.

Kemi të njëjtin mendim me kolegët italianë e maqedonas se shprehitë e leximit janë të kushtëzuara dhe përforcohen në shkallë të lartë nga mundësitë për të zhvilluar punë konkrete (kurse, laboratorë, takime me shkrimtarë, artistë, autorë, botues) që ju pëlqejnë fëmijëve. Faktorë të tjerë të rëndësishëm janë të natyrës ambientale, kulturore, sociale, familjare. Mes këtyre vendin e parë e zë shkolla dhe niveli socio-ekonomik

Gjendja ekonomike ka ndikuar në rënien e dëshirës për të lexuar. Sigurisht gjendja ekonomike ka peshën e vet domethënëse, por sipas nesh, edhe një ndryshim në treguesit e të ardhurave, nuk do të përkthehej menjëherë me rritjen e shitjeve të librave, pra edhe në leximin e tyre. Përmirësimi i gjendjes ekonomike nuk përbën të vetmin kusht të domosdoshëm që do të sillte përmirësimin e gjendjes së leximit.  Ndikimi i teknologjisë dhe mundësia për të bërë aktivitete të tjera tërheqëse dhe mungesa e promovimit të leximit janë faktorë me rëndësi për këtë gjendje. Puna me fëmijët për të krijuar shprehi e kulturë leximi mbetet misioni kryesor. Për të realizuar ndryshimin, po e theksoj sërish, është i nevojshëm dhe aktiviteti promocional i leximit, i bashkërenduar me politika publike, shtetërore dhe në nivel bashkish për një plan leximi, të financuar dhe i përditësuar.

***

Duke folur  për të rinjtë dhe kënaqësinë e humbur të leximit, një nga shkrimtarët e njohur sot, Daniel Pennac, shkruan se: “Përgjigjet janë të shumta: zakonisht fajësohen televizionet, video lojërat, kompjuterët dhe në përgjithësi të gjitha teknologjitë e reja, por edhe shkolla dhe shoqëria e konsumit shpesh konsiderohen përgjegjës. Duke i konsideruar  këto shkaqe objektive, shoh që na çlirojnë nga çdo përgjegjësi subjektive: është gjithmonë faji i të tjerëve dhe i një sistemi mbi të cilin nuk kemi kontroll. Shumë e lehtë!” Pra, gjithkush duhet të marrë përgjegjësitë e veta.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Deputet i pavarur: Saimir Tahiri regjistrohet për të folur në Kuvend

Ashtu si do të enjte, në orën 10.00 nisi seanca parlamentare. Opozita...
Read More