Arratia e drejtuesve të policisë, akti i fundit i një procesi të dështuar

Nga Ervis Iljazaj

Lajmi i arratisjes të disa ish-drejtuesve të policisë, për të cilët prokuroria ka kërkuar arrestimin për shkak të akuzës së implikimit të tyre në trafikimin e lëndëve narkotike, ka shkaktuar një tërmet mediatik dhe institucional. Akuza dhe kundërakuza kanë pasuar në drejtim të policisë dhe prokurorisë për dështimin e ekzekutimit të këtyre urdhër-arresteve.

Nga ana e opozitës kanë ardhur akuza direkte për policinë e shtetit për dekonspirimin e urdhrit të prokurorisë me qëllim pengimin e hetimeve të kësaj çështjeje, që prej muajsh po mban të mbërthyer opinionin publik.

Ndoshta, ka patur vërtet dekonspirim nga ana e policisë, pasi askush nga institucionet ligjzbatuese të Shqipërisë nuk janë imun nga korrupsioni dhe këtë e dinë të gjithë. Megjithatë, në të gjithë këtë histori, problemi më i madh nuk është ky. Mosarrestimi i ish-drejtuesve të policisë që akuzohen për implikimin e tyre në trafikimin e lëndëve narkotike është shenjë e një hetimi të dështuar totalisht.

Është e qartë tashmë që ka patur një problem të trafikimit të lëndëve narkotike dhe implikimin e disa punonjësve të shtetit shqiptar, pa të cilët nuk do ishte e mundur të trafikoheshin sasi kaq të mëdha. Në mos janë të implikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, janë përgjegjës për moskontrollin e territorit. I gjithë ky fenomen nuk do të ishte i mundur pa një strukturë që vepron në mënyrë të organizuar. E megjithatë, duket që i gjithë procesi i hetimit për këtë strukturë ka dështuar.

Në radhë të parë, kur bëhet një hetim për një grup të organizuar kriminal, hetimet shtrihen në mënyrë të plotë dhe afatgjatë, hetime të cilat çojnë në nxjerrjen e urdhër-arresteve në bllok, për të gjithë anëtarët e organizatës që janë implikuar. Kudo, edhe në vendet fqinjë tanët apo përtej tyre, sa herë që hetohet një organizatë apo strukturë e përfshirë në afera të tilla, prokuroria mbas hetimeve të gjata nxjerr 10 apo 15 urdhër-arreste në varësi të situatës. Ndërkohë, në rastin konkret të Shqipërisë, nxirret nga një urdhër-arrest çdo javë, duke bërë të dyshojmë se më shumë me këto hetime po luhet politikisht, se sa ka një vullnet real për të dënuar të gjithë ata që janë përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. Në këtë kuptim, hetimi për përgjegjësit e trafikimit të lëndëve narkotike si një çështje e tërë ka dështuar. Ka dështuar për shkak të mungesës së një hetimi profesional dhe të plotë. Kështu që, edhe në rastin e arratisjes së ish-punonjësve të policisë nuk kish si të ndodhte ndryshe. Që nga momenti i kërkesës për arrestimin e ish-ministrit të Rendit, të gjitha ata punonjës policie që e kanë ndjerë veten të rrezikuar, sigurisht që janë munduar të fshijnë çdo provë implikimi dhe kanë marrë masat për t’u larguar, e nuk do prisnin prokurorinë qetësisht në shtëpitë e tyre. E gjitha kjo ka ndodhur për shkak të një hetimi gjysmak, i cili me shumë mundësi, do të përfundojë me asnjë të arrestuar për përgjegjësit e vërtetë.

Në radhë të dytë, shumë gazetarë, janë kthyer në zëdhënës të policisë të shtetit apo të prokurorisë, duke nxjerrë në publik hetime apo procese më parë se sa ato të fillojnë në mënyrë zyrtare, duke zbuluar çdo sekret hetimor apo proces hetimi. Duket qartë që ka një komunikim të këtyre organeve me disa gazetarë, komunikim që nuk është aspak institucional por me qëllime që askush s’mund ta dijë se për çfarë.

Për këto arsye, ekziston rreziku që për trafikimin e lëndëve narkotike dhe përfshirjen e punonjësve të shtetit shqiptar, në fund të kësaj historie, nuk do të ketë asnjë përgjegjës, por si shumë herë të tjera do të përfundojë në konsum mediatik dhe politik.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ymeri: Libri është gjithmonë në modë

Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, i ftuar në Forumet UET...
Read More