Arrest shtëpie për zyrtarët e policisë, Tahiri: Gjykata bëri qokën e radhës

gjykata1Mes debatesh dhe akuzash, gjyqtari Arjan Aliaj konfirmoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për zyrtarët e policisë, që dyshohet se kanë përdorur pajisjen e përgjimit në kundërshtim me ligjin. Reagon ministri i Brendshëm: Argumentet e gjykatës, qesharake; dhuna politike ka marrë peng këtë gjyqtar.

Gjykata e Tiranës ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për 2 zyrtarët e policisë, Entiol Xhelilaj dhe Artion Duka, të cilët dyshohen për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Me kërkesë të prokurorisë, Gjykata verifikoi gjatë një seance me dyer të mbyllura kushtet e masës së sigurisë për 2 zyrtarët e policisë dhe vendosi t’i lërë ata në “arrest shtëpie”.

Sipas organit të akuzës, Artion Duka, në cilësinë e drejtorit të Forcave Operacionale, nuk ka marrë masa për administrimin e pajisjes, si edhe për të siguruar që ajo nuk do të përdorej për qëllime të tjera, përveçse trajnimit.

Ndërsa Ention Xhelilaj, me funksion specialist pranë Forcës Operacionale, dyshohet se ka kryer veprime të paautorizuara, siç është përdorimi i mjetit me pajisjen “IMSI Catcher” pa asnjë urdhër me shkrim.

Por oficerët e policisë dhe avokatët e tyre kanë kundërshtuar akuzat e prokurorisë, madje duke debatuar me prokurorin e çështjes.

Që në nisje të seancës, njëri prej zyrtarëve të arrestuar ka shkuar në gjykatë me një valixhe të ngjashme me atë të pajisjes “IMSI Catcher” dhe ka nxjerrë prej saj një karafil.

Më pas, seanca ka vijuar me dyer të mbyllura, ku dy oficerët e arrestuar të policisë kanë kundërshtuar akuzat, duke thënë se nuk kanë kryer asnjë vepër penale, por kanë zbatuar vetëm ligjin.

Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe avokatët e tyre, të cilët i kërkuan gjykatësit Arjan Aliaj të ndryshonte masën e sigurisë, por pa mundur ta realizojnë këtë kërkesë.

Por, prokurori i çështjes, Gjergji Tako, i komunikoi gjykatës se ligji parashikon që personat që do të përdorin pajisje përgjuese duhet të jenë të pajisur me certifikatë sigurie.

Pas lënies në fuqi të masave të sigurisë, të pandehurit dhe avokatët e tyre pritet të apelojnë vendimet në Gjykatën e Apelit.

Në të njëjtën linjë me mbrojtjen e oficerëve të arrestuar ka qenë edhe ministri i Brendshëm, i cili ka avancuar me akuzat e tij ndaj gjyqtarit Arjan Aliaj.

Tahiri tha se gjyqtari është i marrë peng nga politika dhe vendimi i tij tregon se thjesht bëri qokën e radhës, pasi argumentet janë qesharake.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Vrasja në Sharrë dhe çfarë politikanësh kemi

Nga Fitim Zekthi Vrasja dhe fshehja në plehrat e Sharrës e një...
Read More