Arrestimi i kryebashkiakut të Lezhës është aksion i drejtësisë apo i politikës?

Nga Ervis Iljazaj

Që nga momenti që në krye të Prokurorisë shqiptare erdhi Arta Marku, drejtësia ka ndërmarrë disa hetime të rëndësishme për disa ish-zyrtarë për abuzimin me pushtetin ose me fondet publike. Kjo është një shenjë e mirë, që më së paku, ka një iniciativë të organeve hetuese kundrejt pushtetarëve.

Është e dukshme që ka një lëvizje për mirë të prokurorisë dhe të policisë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, dhe kjo vlen për t’u përshëndetur.

Rasti i fundit është rasti i kryebashkiakut të Lezhës, që dje është vënë nën pranga me akuzën e tjetërsimit të pronës. Në këtë kuptim, duhet shpresuar që më në fund, ka ardhur dita që drejtësia shqiptare është trimëruar në raportime politikën.

Mirëpo, ka dhe një shenjë e cila të bën shumë të dyshosh, nëse këto arrestime janë aksion i drejtësisë apo i politikës. Sepse deri më tani, të gjitha arrestimet për pushtetarë të ndryshëm, janë pothuajse të gjithë të një force politike, asaj të opozitës. Në këtë kuptim prokuroria shqiptare për të na bindur se luftën kundër korrupsionit dhe krimit e ka seriozisht dhe nuk janë thjesht porosi politike, ka një test të madh përpara. Është testi i hetimit dhe të pushtetarëve aktuale, që deri më tani nuk ka ndodhur.

Ndoshta është herët të flasim për këto dyshime, por faktet deri më tani legjitimojnë këdo që të ketë dyshime të arsyeshme për punën e prokurorisë së re.

Megjithatë, këtë dilemë që është ngritur në raport me këto arrestime nuk mund ta zgjidhim tani, pa parë vazhdimësinë e punës së Prokurorisë. Por, ka një test të madh për drejtësinë për të treguar se vërtet është e pavarur nga mazhoranca. Është prova që ka ajo me çështjen Tahiri, nëse do të shprehë vullnetin për t’i shkuar deri në fund asaj apo do të bjerë pre e presionit politik.

 

Kushti i vetëm për Shqipërinë për hapjen e negociatave, me sa duket do të jetë lufta ndaj korrupsionit, këtë gjë theksonte raporti i Komisionit Europian për strategjinë e zgjerimit të BE. Lufta ndaj korrupsionit nuk mund të kuptohet ndryshe, përveçse hetimit të pushtetarëve të djeshëm dhe të sotëm. Prandaj, edhe arrestimet e fundit dhe përpjekjet e prokurorisë me hapjen e çështjeve të nxehta apo rihapjen e disa dosjeve që kanë ngelur në prokurori, duhen parë në këtë këndvështrim, ndryshe Shqipëria nuk ka asnjë shans të hapë negociatat. Por, kjo nuk do të thotë që prokuroria shqiptare të hetojë dhe arrestojë, sa për t’i hedhur hi syve Europës, për t’i bindur se këtu drejtësia e re, vërtet po funksionon.

 

Kjo nuk është ajo që kanë pritur shqiptarë për një kohë kaq të gjatë, por një drejtësi që nuk frikësohet nga presioni politik i mazhorancës së radhës. Prandaj, nëse vërtet prokuroria do të na mbushë mendjen se e ka marrë seriozisht vënien e drejtësisë njëherë e mirë, atëherë të na tregojë me fakte, pa toleruar asnjë pushtetar të çfarëdolloj ngjyre politike. Të shpresojmë dhe të presim!

Arta Marku, u zgjodh në një klimë të tensionuar politike dhe me kartonët e vetëm të një forcë politike, kështu që, provat për të treguar vërtet se është aty për të ndarë njëherë raportet e drejtësisë me politikën, janë të shumta dhe serioze. Një nga këto, është me siguri, hetimi ndaj pushtetarëve të mazhorancës. Sepse askush nuk mund të besojë, që në një krah të politikës ndodhen djajtë dhe në një krah tjetër engjëjt.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Klara Buda: Në diktaturë frika i modelonte njerëzit

Dje, në hollin e UET është promovuar romani i Klara Budës, “Pëshpërimë...
Read More