Arrestimi i Tahirit, Këshilli me dy raporte, ja çfarë përmbajnë

Mazhoranca dhe opozita duhet të paraqesin brenda ditës së sotme dy raportet mbi qëndrimin që do mbajnë për kërkesën e prokurorisë për arrestimin e Tahirit. Shumica e majtë propozon hetim, kontroll fizik dhe banese, kufizim i lëvizjes jashtë vendit dhe garanci pasurore. Opozita kërkon arrestim dhe kontroll banese dhe personal. Priten surpriza gjatë votimit të fshehtë

Nga Fejzi Braushi

Kuvendi do të thotë të mërkurën fjalën e fundit nëse ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të arrestohet ose jo lidhur me akuzën për pjesëmarrje në trafikun e drogës të organizuar nga vëllezërit Habilaj. Mazhoranca dhe opozita do të ballafaqohen edhe një herë në seancën e së mërkurës sa i përket debatit të zhvilluar për dy ditë me radhë në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin mbi kërkesën e paraqitur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për arrestimin e deputetit Tahiri. Por kësaj here jo duke debatuar, por nëpërmjet dy raporteve të shkruara, ku përfaqësuesit e shumicës parlamentare në Këshill dhe ata të opozitës do të paraqesin argumentet e tyre dhe propozimet pro dhe kundër kërkesës së prokurorisë. Kështu, përveç argumenteve që do të përfshijnë në këto dy raporte, konkluzioni i secilës palë tashmë dihet. Mazhoranca do të mbështesë vendimin e marrë edhe në mbledhjen e Këshillit dhe nëpërmjet raportit që do të paraqitet do t’i rekomandohet Kuvendit miratimi i kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, Tiranë, vetëm për një pjesë të saj, duke përjashtuar mundësinë e arrestimit. Më konkretisht, raporti i socialistëve, që me shumë mundësi do të lexohet nga deputeti Ulsi Manja, propozon dhënien e autorizimit në radhë të parë për kontrollin personal dhe të banesës së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Saimir Tahiri. Kjo edhe si pjesë e kërkesës së paraqitur nga Prokuroria. Ndërkohë që socialistët shkojnë edhe më tej kësaj kërkese duke përfshirë si pjesë e këtij autorizimi edhe ndalimin e Saimir Tahirit për të dalë jashtë shtetit, detyrimin për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, si dhe ndalimin dhe detyrimin për qëndrimin në një vend të caktuar. Po ashtu, raporti i socialistëve parashikon mundësinë që Prokuroria të kërkojë në Gjykatën e Krimeve të Rënda edhe marrjen e masës së lënies nga deputeti Tahiri i garancisë pasurore. Ndërkohë që ata në raport hedhin poshtë pjesën kryesore të kërkesës së prokurorisë dhe që ka të bëjë me dhënien e autorizimit për arrestimin e Tahirit. Kjo bazuar mbi një sërë argumentesh dhe që kanë të bëjnë me mosparaqitjen e provave të duhura nga ana e Prokurorisë që vërtetojnë dyshimet e përfshirjes së Tahirit në trafikun e drogës, por edhe të rrezikshmërisë që paraqet ai si individ për të prishur provat gjatë procesit të hetimit. Në këtë mënyrë, sipas socialistëve, nuk ka asnjë pengesë që deputeti Tahiri, i cili nga Prokuroria akuzohet për “korrupsion pasiv”, të mund të hetohet pa shkelur Kushtetutën. Nga ana tjetër, demokratët dhe deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ashtu siç bënë të ditur edhe në përfundim të mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, do të paraqesin një raport të tyrin, i cili pritet të lexohet në seancë nga deputeti Enkelejd Alibeaj. Ndryshe nga socialistët, ata kanë bërë të ditur se do të mbështesin plotësisht kërkesën e paraqitur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ku përfshihet edhe arrestimi dhe heqja e lirisë për ish-ministrin Saimir Tahiri. Më konkretisht opozita do të paraqesë një raport ku do i rekomandohet Kuvendit miratimi i kërkesës të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimeve të Rënda, Tiranë, për dhënien e autorizimit për arrestimin, ose heqjen e lirisë, kontrollin personal dhe të banesës së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Saimir Tahiri. Në këtë raport mësohet se opozita i ka qëndruar argumentit se faktet dhe provat Prokuroria mund t’i paraqesë vetëm përpara Gjykatës dhe jo para Kuvendit. Sipas tyre, dosja e Prokurorisë i përmbush kushtet për t’i dhënë të drejtë organit të akuzës për arrestimin e deputetit Tahiri. Natyrisht që demokratët në raportin e tyre do të krijojnë opinion bazuar mbi provat e paraqitura nga Prokuroria, ato të bëra publike për mediet, por edhe mbi provat e paraqitura vetëm për deputetët e Këshillit, të konsideruara si “sekret hetimor”. Të dyja palët, pra si mazhoranca dhe opozita kanë kohë deri sot në orën 14, për të dorëzuar në Zyrën e Protokollit të Kuvendit raportet respektive.

Rregullorja

Neni 118 i Rregullores së Kuvendit përcakton dhe hapat që duhet të ndjekë seanca plenare në rastin e votimit të kërkesës së prokurorisë për heqje imuniteti dhe arrestimin e një deputeti. Në të dyja rastet, rregulli është i njëjtë dhe shqyrtimi i kërkesës për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose arrestimin e një deputeti vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës pasardhëse, pas paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Ndërkohë që më pas përfaqësuesi në Këshillin për Rregulloren, Mandatin dhe Imunitetin paraqet para seancës raportin e miratuar. Në rastin konkret për shkak të mosdakordësisë mes anëtarëve, Këshilli do të paraqitet me dy raporte, ku një përfaqësues i mazhorancës dhe opozitës do të paraqesin raportet respektive. Rregullorja përcakton se raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi dhe se Kuvendi vendos me votim të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Në rastin konkret seanca duhet të votojë me shumicë votash se cilin raport do të miratojë. Për shkak se votimi është i fshehtë dhe çështja është me ndjeshmëri të lartë politike dhe jo vetëm, pritet me interes dhe vota që do të shprehin deputetët. Në fakt ky votim do të jetë një provë për të dyja palët, për socialistët të cilët duhet të garantojnë minimalisht votat e tyre për të patur të sigurt miratimin e raportit që do paraqesin vetë, ndërsa opozitës i duhet që të sigurojë të paktën votat e veta për të treguar se rrjedhja që ndodhi në rastin e votimit të Ruçit si kryetar Kuvendi ishte thjesht një gabim. Ndërkohë që në rast se asnjë prej këtyre raporteve nuk merr shumicën e nevojshme të votave, pra shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm në votim, atëherë Kuvendi nuk ka arritur të marrë vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose të arrestimit të deputetit. Në këtë rast kërkesa e prokurorisë konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.

Opozita

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ishin në një qëndrim dje për të mbështetur kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj deklaroi dje një konferencë për shtyp se, provat e paraqitura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për arrestimin e Tahirit dhe vendosjen para drejtësisë, janë jo vetëm bindëse, por edhe tronditëse. “…Ajo çfarë po ndodh është se PS-ja në komisionin e mandateve dhe imunitetit, me urdhër të Edi Ramës, nuk lejoi drejtësinë të funksionojë. I dha kohë Saimir Tahirit të zhdukë çdo provë dhe objekt komprometues, në shtëpi dhe në ministri, duke qenë se Edi Rama ka vënë gjithë shtetin në dispozicion të paktit kriminal. Pakti është që Tahiri t’ia hedhë pa u lagur, në mënyrë që të shpëtojë dhe Rama me të tijtë. Përndryshe, nëse miratohej kërkesa e prokurorisë, Tahiri në rënien e tij, do të merrte me vete Edi Ramën, për shkak të dëshmive dhe materialeve të rënda që ka për të. Edhe pse drejtësia italiane solli mijëra faqe ku provohet katërcipërisht përfshirja e Tahirit, dhuratat me diamante që ka përfituar, miliona euro në muaj, 20 milionë euro që i duheshin për fushatën, ai sërish u mor në mbrojtje nga Edi Rama, iu dha koha e mjaftueshme të prishë provat, e të kërcënojë dëshmitarët, përmes rrjetit kriminal që ka në kontroll…”, -tha ai. Për Alibeajn rregulli ligjor në këtë rast është i thjeshtë. “Parlamenti gjykon vetëm legjitimitetin dhe ligjshmërinë e kërkesës, nuk pranon dhe nuk gjykon prova, se nuk është gjykatë. Në asnjë ligj, edhe as në Rregulloren e Kuvendit për heqjen e imunitetit nuk është thënë që duhet të paraqiten prova, por vetëm kërkesë. Parlamenti gjykon politikisht dhe jo si gjykatë. Me urdhër të Ramës, parlamenti u kthye në hetuesi dhe gjykatë kundër prokurorisë. Rama dhe Xhafaj sulmuan ashpër prokurorët. Saimir Tahiri u lejua të sulmojë, dhunojë dhe kërcënojë prokurorët…”, -tha ai. Sipas tij, lidhja e Tahirit me krimin daton që para se të bëhej ministër. “Lidhja e Tahirit me krimin ka ndodhur shumë përpara se të bëhej ministër: ai ka qenë një nga njerëzit që ka përdorur banda dhe kriminelë në zgjedhjet e vitit 2013. Ai u bë ministër i Brendshëm, nga Rama, si garanci për kriminelët… Me Ramën, drejtësia ka rënë, shteti ka rënë, vettingu ka rënë. Është në fuqi vetëm kupola mafioze. Por shqiptarët janë sot më të vetëdijësuar se kurrë, dhe nuk kanë çfarë presin më për të marrë në dorë fatet e vendit…”, -tha ai. Më herët edhe Lulzim Basha përmes një konference për shtyp kishte hedhur akuza të forta ndaj Ramës nisur nga një takim që ky i fundit kishte pasur me drejtues të policisë. “Qëllimi i daljes së Edi Ramës para drejtuesve më të lartë të policisë ishte t’u jepte garanci publike kriminelëve se pavarësisht ngjarjeve të fundit, ai e ka në kontroll policinë, se Saimir Tahiri është i sigurt, se interesat e krimit janë të mbrojtura e nuk do të preken…”, -tha ai. Edhe LSI është në të njëjtën linjë. Kryetari i grupit parlamentar i LSI-së, Petrit Vasili, deklaroi dje se Rama duhet të vendosë të mërkurën nëse është me drejtësinë apo jo. “Të mërkurën ky kryeministër, i cili llomotit pa fund në një llogore, pa sens, pa kuptim, që nuk të çon asgjëkund, ka një provë shumë të qartë dhe evidente, të vendoset me krimin apo të vendoset kundër tij. Bëhet fjalë për krim të organizuar dhe të strukturuar, të vendoset në anën e ligjit apo të vendoset në anën e antiligjit. Të vendoset në anën e parlamentit aktiv që ndihmon dhe mbështet organet e prokurorisë që të bëjnë drejtësi, të zbulojnë të vërteta të rënda, shumë të rënda, të cilat opinionit i duhen për t’u shëndoshur dhe Shqipërisë për të qenë më e qetë, apo do të mbulojë këto të vërteta. Është më së fundmi për atë Reformë në Drejtësi për të cilën u çor dhe u lodh vite të tëra, ku të gjithë e kuptuan që ishte thjesht dhe vetëm një farsë për të kapur Drejtësinë, e cila më së fundmi do të dënonte të pafajshmit dhe do të mbulonte thellësisht të fajshmit, sikurse po bën edhe sot…”, -tha Vasili.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi Read More