Arroganca ndjell luftë

Nga Naum Mara*

Protesta e opozitës bëhet për arsye të pafuqisë së saj për të bërë politikë ndryshe, shkruan Mara. Ai thotë se edhe qeveria edhe opozita janë të tilla sepse vendi ynë këtë kapacitet ka. 

Ne kemi këtë qeveri që kemi. E kemi se çdo popull meriton qeverinë që ka. Ne kemi këtë opozitë që kemi. E kemi të tillë, për arsye të ngjashme me atë të shprehur më sipër. Është e natyrshme, që opozita të bëjë përpjekje për të rrëzuar qeverinë. Reagimi i parë i qeveritarëve duhet të jetë, që të mendohet se ç’mund të bëhet për t’i dhënë fund paqësisht protestës. Dhe për këtë bëhen deklarata zyrtare, jepen intervista nga eksponentët kryesorë dhe punohet edhe me kanale jopublike për të gjetur një kompromis. Kështu veprohet në demokracitë e konsoliduara. Qeveritë mundohen të nxjerrin vendin nga kriza, edhe kur janë të bindura se kriza është e krijuar artificialisht nga opozita apo edhe nga segmente të tjera të shoqërisë.

Po ç’po ndodh realisht në Tiranë?

Kreu i mazhorancës, nuk lë rast pa qesëndisur opozitën dhe përpjekjet e saj duke dashur të diskreditojë dhe poshtërojë, kryesisht rivalin e tij në zgjedhjet e ardhshme.

Në anën tjetër, ngre me veglat e tij, çadra paralele, që organizojnë peticione idiote, për një tërësi ligjesh, që tashmë kanë marrë rrugë thjesht nga angazhimi i shkëlqyer i ambasadorit Lu.

Mediat në krah të tij, nuk lënë rast pa fyer, pa ironizuar dhe pa stigmatizuar Lul Bashën dhe çadrën e tij.

Është shumë e lehtë të jesh arrogant me të dobëtit! Është njëkohësisht poshtërsia më e madhe që ndodh prej mijëra vjetësh përreth Mesdheut.

Lulëzim Basha dhe kauza e tij e çadrës nuk janë të fortë.

Ka shumë arsye që e bëjnë të tillë.

Protesta është e vonuar.

Protesta nisi në një moment të studiuar jo mirë.

Protesta ka pak përkrahje nga rinia studentore.

Protesta nuk ka mbajtur larg figura të njollosura që kanë qeverisur më parë.

E megjithatë, të protestosh është një e drejtë e shenjtë dhe të protestosh paqësisht është hyjnore.

Dhe Lul Basha po e bën këtë dhe ky është fakti.

Mbi këtë fakt duhet të bazohet reagimi i mazhorancës, për të dhënë një zgjidhje të krizës për hir të Shqipërisë.

Por mazhoranca kujtohet vetëm pas dy javësh të thotë se mund të shtrohemi për bisedime, kur Zgjidhja e Krizës është përgjegjësia e saj . Ndaj kësaj arrogance të pashembullt të Qeverisë, Opozitës i mbeten vetëm dy alternativa: Të mbyllë çadrën e me bisht në shalë të hyjë në Parlament, ose të shkallëzojë veprimet. Dhe dihet se ku të shpie shkallëzimi.

Mandati që ka marrë PS-ja 4 vite me parë ka qenë që të qeverisë dhe në qeverisjen e një vendi, detyra e parë është zgjidhja e krizave. Rama nuk ka marrë mandat të bëjë shpotitësin dhe hokatarin dhe të krekoset kur dikush nga jashtë e mbështet.

Situata e sotme në Tiranë do ketë një kosto të madhe politike për aktorët kryesorë. Por kjo kosto nuk duhet të shtrihet në kurriz të shqiptarëve.

Të parët që duhet të tregojnë përulje duhet të jenë qeveritarët, por ata kanë zgjedhur të jenë arrogantë.

Dhe arroganca e pakufi sjell luftë!

Sidomos në viset tona kur njerëzit mund të vriten edhe pse shihen me inat me njëri-tjetrin.

*publicist

Shkruar Nga
More from revista mapo

Për të humbur me sukses

Nga Edison Ypi Për të humbur me sukses të plotë, llomotit sa...
Read More