Arsimi i lartë falas, pranë realitetit në Nju Jork

new-york

Nju Jorku pritet të bëhet shteti i parë amerikan që do të ofrojë kolegj katër vjeçar pa pagesë për studentët. Nga kjo nismë, e propozuar nga guvernatori dhe e sapo miratuar nga legjislatura shtetërore, pritet të përfitojnë gati një milion familje të klasës punëtore, pasi ajo parashikon një tavan për të ardhurat.

Ai që filloi si një diskutim kombëtar në fillim të fushatës presidenciale, po bëhet tani realitet në Nju Jork. E ashtuquajtura “bursa e ekselencës”, parashikon një buxhet vjetor prej 150 milionë dollarësh për shkollim, dhe është një përgjigje ndaj ndaj kërkesave të shumta për shkollim falas në kolegjet shtetërore në mbarë Shtetet e Bashkuara.

Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo iu përgjigj kësaj thirrjeje me një program që u ofrohet studentëve që vijnë nga familjet me të ardhura vjetore deri në 125 mijë dollar në vit.

Studentët Teresa Lafferty dhe Nick Keil, besojnë se programi duhet të shërbej si një model për pjesën tjetër të vendit.

“Nuk duhet të ngarkohemi me një barrë financiare kaq të rëndë dhe të ndjehemi të skllavëruar për gjithë jetën duke paguar një shumë kaq të madhe parash që është marramendëse.”

“Të gjithë miqtë e mi që jetojnë në Angli, Francë apo vende të tjera të Evropës pasi edukimi atje është shumë më i lirë dhe thjesht paguajnë taksa më të larta, kanë mundësi më të mira për të studiuar, në krahasim me këtu, ku modeli i kolegjeve është ndërtuar për fitime.”

Por për familjet me të ardhura më të larta, si ajo e studentes së ardhshme Zaina dhe nënën e saj Farina Shariff, programi nuk është shtrirë sa duhet.

“Shpresoj, të paktën në të ardhmen, të ngrihet tavani i të ardhurave që të përfitojmë edhe ne pasi në formën e tanishme ne do të hyjmë në një borxh prej mbi 200 mijë dollarësh”, thotë Farina Shariff, nëna e studentes.

“Më vë në pozitë pasi shpresoja të shkoja në shkollë pa pagesë, por paketa e ndihmës financiare që më japin disa shkolla nuk është e mjaftueshme për mua”, thotë Zaina Shariff.

Kritikët ndërkohë, besojnë se programai është I papërballueshëm dhe do të shterojë buxhetin. Sekretarja amerikane e Arsimit Betsy DeVos u tregua skeptike gjatë seancës për konfirmimin e saj duke thënë se “asgjë në jetë nuk është falas”.

Përfitimet nga programi i kolegjit pa pagesë në Nju Jork pritet të jenë rreth 7,700 dollarë për student në vit, për banorët e Nju Jorkut, një shtet që renditet i 12 në mbarë Amerikën për universitetet shtetërore më të lira. Por studentët që kualifikohen duhet të paguajnë vetë shpenzimet e strehimit, ushqimit dhe ato për librat. Pas diplomimit, përfituesit duhet të jetojnë ose punojnë në shtetin e Nju Jorkut për aq vite sa kanë përfituar nga programi.

Shkruar Nga
More from Revista User

“Metallica” performancë krah flamurit kuq e zi

Jemi mësuar tashmë t’a shohim flamurin kuq e zi në shumë vende...
Read More