Arta Marku merr detyrën, Llalla ikën me ‘targa gjermane’


Merr zyrtarisht detyrën Prokurorja e re e Përgjithshme, Arta Marku.

Ajo mbërriti nga Shkodra në Tiranë mëngjesin e së martës.

Marku pati një takim prej rreth gjysmë ore me Adriatik Llallën, që mbante këtë post deri një ditë më parë.

Më pas Llalla u largua nga ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme.

Në rrjet bëri përshtypje largimi i tij me një makinë tip Benz me targa gjermane.

Prej kohësh në mediat sociale spekulohet se familja e Llallës është larguar drejt Gjermanisë.

Zonja Marku u zgjodh një ditë më parë kryeprokurore e përkohshme mes tensionesh në Kuvend. Mazhoranca votoi me 69 vota pro, dy kundër dhe dy abstenim.

Votimi është realizuar nën protestën e deputetëve të mazhorancës, që hodhën në seancë edhe tymuese.

Menjëherë pas kësaj, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla kërkoi shtyrjen e seancës për votimet e tjera të rendit të ditës.

Ndërkohë, jashtë Parlamentit protestuesit e opozitës u përleshën me policinë.

Dy persona u lënduan si pasojë e përplasjeve.

Votimi i Arta Markut si Prokurore e Përgjithshme ka nxitur mediat që të gjejnë ‘lidhjet’ e saj me politikën.

Fillimisht u raportua se ajo ka nisur karrierën në kohën kur kreu socialist i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja ishte kryeprokuror në Shkodër.

Më pas u tha se ajo nuk ka shumë përvojë me dosje të rëndësishme.

Ndërsa tani thuhet se Marku vjen nga një familje e djathtë.

Deputeti i Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu ka akuzuar PD-në për imoralitet për shkak se kundërshton emërimin e Arta Markut në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, ndërkohë që ajo rrjedh nga një familje e djathtë dhe ka lidhje me ish-deputeten demokrate, Albina Deda.

Ndreu shkruan se Deda është gruaja e dajës së Arta Markut, ndërkohë që nëna e kryeprokurores është aktiviste e spikatur e PD-së në Fushë-Arrëz.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Bill Emmott: Përgatitja për luftërat tregtare të Trump

  A është presidenti i SHBA-së Donald Trump ai që maoistët dikur...
Read More