Artan Cuku, tre pistat e vrasjes: Kromi, Vlora dhe Daka

artan-cuku

Pesë ditë pas ekzekutimit në derën e shtëpisë të komisarit Artan Cuku, Prokuroria e Krimeve të Rënda konfirmon se i ka regjistruar hetimet mbi dyshimet e vrasjes për shkak të detyrës. Për të zbuluar autorët, prokurorët janë fokusuar në tre pista kryesore. Njëra prej tyre ka lidhje me konkurrencën. Informacionet paraprake tregojnë se Cuku, si administrator i një policie private, kishte pasur përplasje kohët e fundit me përfaqësues të një shoqërie të ruajtjes fizike për disa miniera kromi.

Por ndërkohë, drejtuesit e Krimeve të Rënda kanë urdhëruar verifikimin e dosjeve më të përfolura në të cilat ka qenë i angazhuar gjatë 16 viteve si zyrtar i Policisë së Shtetit, komisari Artan Cuku. Njëra nga dosjet më të dyshimta, shpjegojnë burimet, ka lidhje me urdhrin e Cukut për të rihapur hetimet ndaj një grupi trafikantësh në Vlorë. Ka të dhëna se për këtë urdhër, komisar Cuku, në atë kohë drejtor i Policisë së Vlorës, është kërcënuar me jetë. Pista e tretë, po aq e fortë është ajo e vrasjes për gjakmarrje. Vite më parë, teksa Cuku merrte në pyetje Agim Dakën për të zbuluar vendndodhjen e vëllait të tij të kërkuar, i riu humbi jetën në ambientet e komisariatit.

Kjo ngjarje, e ndodhur 12 vite më parë, pas hetimeve të prokurorisë u mbyll si vetëvrasje, por që megjithatë ky episod e ndoqi Cukun gjatë në karrierën dhe jetën e tij. Megjithatë, ditët e fundit anëtarë të familjes Daka pohuan se këtë çështje e kishin mbyllur, me një negociatë të zhvilluar në xhami me komisarin. Një vit më parë vëllai i Dakës, Bujar Daka, shkaku i përplasjes me komisar Cukun, u lirua nga burgu. Ai ishte arrestuar pikërisht ditën e funeralit të vëllait të tij.

Ndërkohë, në bazë të ekspertizës balistike, specialistët e seksionit të krimeve ndaj jetës në Policinë e Tiranës kanë dalë në përfundimin se në atentatin ku mbeti i vrarë ish-drejtori i lartë i policisë, Artan Cuku, nuk ka pasur qitje në krah të kundërt. Kjo do të thotë se ndryshe nga sa u aludua fillimisht, i ndjeri nuk ka qenë i armatosur dhe të dyja armët e përdorura në krim i përkasin autorit ose autorëve. Megjithatë, për plotësimin e disa elementëve të tjerë mbi pikëpyetjet që ka ngritur kjo ngjarje, ekspertët kriminalistë janë në pritje të analizave kimike dhe biologjike. Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka regjistruar dosjen për dyshimet se vrasja e komisarit është kryer për shkak të gjakmarrjes, megjithëse të gjithë anëtarët e familjes së Agim Dakës kanë mohuar përfshirjen e tyre në vrasjen e ish-zyrtarit të lartë të policisë. Një tjetër pistë ku po hetohet dhe po kryen verifikime është ajo për shkak të detyrës si drejtor i policisë së Vlorës, por edhe ajo për shkak të konkurrencës në fushën e policive private, ku ky i fundit administronte një shoqëri të ruajtjes fizike.

Shkruar Nga
More from Revista User

“Big Brother” këtë vit do të jetë krejtësisht ndryshe, zbuloni risitë…

Pasi përfundoi sezonin e parë të “Dua të të bëj të lumtur”,...
Read More