Artistët Mula, Tukiçi dhe Peçi në skenën e Vjenës për festat e Nëntorit

1930426

Në kuadër të festave kombëtare të Shqipërisë, sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare Inva Mula dhe pianisti virtuoz Genc Tukiçi si dhe balerini Eno Peçi, të shoqëruar nga instrumentistët e filarmonisë së Vjenës mbajtën ditët e fundit një koncert në Vjenë. Koncerti u vlerësua nga publiku i mbledhur në sallën “Muth-Saal”, ku ishin të pranishëm shqiptarë që jetojnë, punojnë e studiojnë në Vjenë, si dhe shume dashamirës austriakë e të huaj të Shqipërisë e artit të saj. Gjatë koncertit artistët prezantuan vepra të kompozitorëve të njohur, por edhe perla të muzikës shqiptare, duke përfshirë ato të jugut, veriut dhe jaret shkodrane. Më herët në media pianisti Genc Tukiçi është shprehur se koncerti vjen dhe për të shënuar marrëdhëniet diplomatike mes Austrisë dhe vendit tonë. “Ky koncert shënon edhe 60-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Austrisë dhe Shqipërisë””, ka pohuar pianisti. Artistët gjatë kësaj mbrëmje sollën edhe sharmin francez, duke sjellë veprën e Ernest Chausson, si dhe prezantuan vepra të Listz, Brahms, Dvorak, duke përfshirë më pas edhe muzikën shqiptare. Ai interpretoi edhe pjesën solo Marshi Turk të Moxart, duke ndërlidhur më pas edhe himnin shqiptar dhe atë austriak. “Nuk ka rast më të mirë se sa në Vjenë, që të bëhet kjo ndërlidhje e muzikës”, është shprehur pianisti Tukiçi. Në këtë koncert interpretoi edhe kuarteti i Filarmonisë së Vjenës, ku merr pjesë dhe artisti Edison Pashko, i cili luajti në violonçel. Sopranoja Inva Mula para disa kohësh në Tiranë erdhi si drejtuese e festivalit operistik ndërkombëtar “Marie Kraja”. Për herë të parë nën drejtimin artistik të sopranos së njohur, festivali edhe këtë vit përcolli një program të pasur për publikun si dhe një konkurrim mes zërave të njohur lirikë shqiptarë dhe të huaj. Në vijim të aktivitetit të saj të suksesshëm në skenat e ndryshme operistike botërore erdhi dhe ky koncert në skenën e Vjenës. Edhe në bashkëpunime të tjera që sopranoja e njohur ka pasur me pianistin Genc Tukiçi gjithmonë të dy artistët janë vlerësuar për programin e pasur muzikor, që kanë sjellë për publikun, por koncerti i fundit ishte i veçantë pasi ai i kushtohej festave kombëtare.

Shkruar Nga
More from Revista User

Horoskopi, 22 janar 2017

Dashi 21/3 - 20/4 Ditë mjaft harmonike dhe e mbushur me emocione...
Read More