Asambleja e PS, Rama: Njerëzit s’hanë shifra, fushatë të mirëfilltë fshat më fshat. S’kemi opozitë. Në shtator ndryshime në qeveri e parti…

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ndryshime në qeveri dhe parti në shtator, pas fushatës që do të nisë më 1 maj në takime me qytetarët për bashkëqeverisjen.

“Çfarë ndryshimesh në qeveri në shtator duhet të ndryshojmë, cilat ministra, ministri apo sektor nuk janë në lartësinë e kësaj nevoje, që jo thjesht të tregoj shifra dhe statistika po të kenë vendin e tyre në mendjet e zemrat e atyre që na kanë dhënë besimin. Në fund të kësaj fushate do të shohim cilët anëtarë të kryesisë së partisë duhet të largohen nga kryesia dhe cilët janë të rinjtë që duhet të vijnë”, tha kryeministri.

Kukësi tha ai, shërbeu një mësim për arrogancën për të cilën është etiketuar qeveria. “Kërcënimi që ne të etikohetmi si arrogant. Pse thonë njerëzit që ne qerverisim me arrogancë? Këtë duhet ta kuptojmë që ta ndajmë, cila pjesë e qeverisjes sonë konsiderohet arrogante, sepse është e drejtë dhe bëjmë reforma të dhimbshme, dhe cila pjesë e qeverisjes sonë është padrejtësisht arrogante me njerëzit. Këtë ne duhet ta ndajmë.

Kukësi ishte një mësim shumë i madh për të kuptuar përgjegjësinë tonë, çfarë ne nuk bëmë si duhet dhe çfarë duhet të bëjmë në vijimësi, për mos tu përsëritur gabimi që duke u nisur për një qëllim të mirë, pa marrë mundimin për ta shpjeguar qëllimin të gjendemi përballë një reagimi që në fund të lë në ballë etiketën e arrogantit”,- tha më tej.

Ai tha se nuk do të ketë më ligje pa u konsultuar me njerëzit. “Nuk duhet të kalojmë më ligje të asnjë lloji, pa i bërë më parë transparente për publikun, ne i kemi bërë, po nuk është detyra e njerëzve që të rinë me celular në dorë dhe para kompjuterit që ti kërkojnë, po detyra jonë tua themi, tua nënvizojmë çfarë po bëjmë.

Ashtu sikundër është detyra jonë sot tani, në këtë moment që po flasim, të garantojmë që vetingu në polici të mos krijojë turbulli mes trupave policore dhe ka nevojë jo thjesht të dëgjojnë po dhe të asistohen një për një për ta kuptuar dhe për ta plotësuar atë pjesë të detyrimit që ka ligji. Ashtu sikundër është detyra jonë të bëjmë këtë gjë me të gjitha grupet e interesit dhe komunitetet”,- tha më tej Rama.

Kryeministri dhe kreu i PS-së Edi Rama deklaroi në Asamblenë Parlamentare të PS se nis fushata e mirëfilltë me angazhim maksimal fshat më fshat për të takuar njerëzit.

“Të hyjmë në fushatë të mirëfilltë me angazhimin maksimal të të gjitha forcave tona që nga nvieli i kryesisë së partisë, qeverisë, Asamblesë Kombëtare dhe të gjitha niveleve të dyta të organizimit për të shkuar qark më qark, bashki më bashki dhe fshat më fshat për të folur me njerëzit, jo për çka kemi bërë, po për çka njerëzit presin prej nesh sot dhe për të dëgjuar me shumë vëmendje që të kuptojmë atë që është më e rëndësishmja në këto kushte, kur opozita nuk vjen në Parlament për të sjellë zërin e njerëzve”, tha Rama.

Njerëzit nuk hanë shifra, tha ai dhe maxhoranca nuk jeton në një guackë të shkëputur nga realiteti. “Ne nuk jetojmë në një guackë të shkëputur nga realiteti dhe jemi të kërcënuar seriozisht nga rreziku që të perceptohemi të tillë nga njerëzit.

Njerëzit nuk hanë shifra, nuk e mbushin tavolinën e bukës me statistika, nuk i veshin fëmijët me suksese, dhe në fund të muajit njerëzit nuk llogarisin shifrat, statistikat dhe rezultatet tona po shikojnë ekonominë e tyre familjare.

Kjo do të thotë që është shumë e rëndësishme për ne që të jemi shumë më pranë se sa kemi arritur të jemi deri më sot me njerëzit që me gjithë procesin e qeverisjes ne të jemi mishërimi i ambicieve, shpresave dhe dhimbjeve të tyre. Nuk është e thjeshtë, por e domosdoshme”,- tha ai.

Për Ramën, Shqipëria sot nuk ka opozitë, pasi nuk sfidon me intelekt, por me forcë. “Ne jetojmë sot në një situatë të ndërlikuar në shumë aspekte dhe kemi detyrën të qeverisim pa opozitë. Nuk kemi opozitë. Ajo që kemi është një gërdi individësh dhe grupesh të çoroditura që në pamje të parë duket sikur e bën më të lehtë punën tonë, po në thelb e bën shumë më të vështirë punën tonë.

Sepse një opozitë që nuk të sfidon në intelekt, po fizikisht është një hata e madhe përsa i përket nevojës që ka çdo qeveri në botë që të jetë e sfiduar në intelekt, një opozitë që nuk shkon në parlament si në një kuvend po si në një tapet mundje, është një hata e madhe sepse ndërkohë që ne jemi zgjedhur për të çuar para alternativa, gjendemi në kushtet kur duhet të shtrihemi në një sport që nuk ka lidhje as me politikën po as me sportet e njohura nga federatat ndërkombëtare.

Një opozitë që ka vizion të vetin shpifjen dhe program sharjen, është një opozitë shumë e rrezikshme për ne, jo për rezultatet e zgjedhjeve, por për fuqinë tonë për tu motivuar dhe për të bërë më të mirën”,- vijoi ai.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka paralajmëruar një proces të plotë llogaridhënieje që nis nga 1 maji deri në fund të qershori për 321 njësi administrative, ministra, deputetë e zyrtarë vendorë.

Balla tha se ky proces llogaridhënie do t’i shërbejë një sërë qëllimesh duke nisur me përfshirjen e të gjithë qytetarëve për të jetësuar bashkëqeverisjen me qytetarët dhe më tej me zgjidhjen e ankesave të ndryshme, rritjen e punësimit etj.

Ai theksoi gjithashtu se është themelore përfshirja e drejtpërdrejtë të publikut, e njerëzve të zakonshëm në vlerësimin se cfarë kemi bërë në këto gjashtë muaj të parë të mandatit tonë të dytë, se cfarë nuk kemi bërë, si mund ta kishim bërë më mirë.

FJALA E BALLËS:

Zgjedhjet historike të 25 qershorit 2017 ishin një votëbesim i qartë popullor për programin tonë të bazuar në tre shtylla kryesore, në Shtet, Punë dhe Mirëqënie.

Këto janë edhe shtyllat në të cilat mbështetet Shqipëria Europiane, një projekt që pas rekomandimit pozitiv pa kushte të Komisionit Europian, tanimë është më pranë të qënit realitet se kurrë.
Pa dyshim, mbetet përpara ende një rrugë e gjatë që Shqipëria të shndërrohet në një vend anëtar me të drejta të plota të Bashkimit Europian.

Megjithatë, rekomandimi i Komisionit, është dëshmia më e qartë që vendi po ecën në drejtimin e duhur.
Arritjet e gjashtë muajve të parë të këtij mandati të dytë janë një rikonfirmim se ne, Partia Socialiste, jemi duke zbatuar një për një, të gjitha angazhimet për të cilat shqiptarët e votuan që të qeveriste e vetme, si kurrë më parë në 25 vitet e fundit.

Por në këtë kontekst, duhet të kujtoj se për ne është themelore përfshirja e drejtpërdrejtë të publikut, të njerëzve të zakonshëm në vlerësimin se cfarë ne kemi bërë në këto gjashtë muaj të parë të mandatit tonë të dytë, se cfarë nuk kemi bërë, si mund ta kishim bërë më mirë etj.

E për këtë qëllim është detyruese që ne të fillojmë menjëherë prej ditës së parë të muajit Maj e deri në fund të qershorit një proces të plotë llogaridhënie, në të 321 njësitë administrative të vendit, në të 61 bashkitë dhe 12 qarqet.

Kontrata e besimit e konkretizuar në marrëveshjen e firmosur në fillim të legjislaturës mes meje si Kryetar i Grupit Parlamentar dhe si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste me ministrat ka synuar garantimin e bashkëpunimit mes palëve, për të rritur cilësinë e punës së përbashkët dhe përgjegjshmërinë individuale e kolektive të palëve, në funksion të përmbushjes së detyrimeve që burojnë nga kontrata e Partisë Socialiste me popullin shqiptar, për vitet 2017-2021.

Në përfundim të 180 ditëve të para të mandatit qeverisës, dua t’ju informoj se Grupi Parlamentar ka marrë dhe po merr në analizë seicilin prej ministrave në seanca dëgjimore të hapura të zhvilluara në selinë e Partisë Socialiste, për të shyqyrtuar kontratën e përformancës së seicilit për sektorët që mbulojnë. Gjithashtu është bërë edhe një analizë paraprake për zbatimin e kësaj Marrëveshje sipas metodologjisë së përcaktuar në të.

Në dosjet e punës së kësaj mbledhje Asambleje keni një përmbledhje sintezë të raportimit për cdo Ministri.

Si do të zhvillohet procesi i llogaridhënies publike?
Historia që në këtë vend qeveria apo të zgjedhurit deputetë, kryetarë bashkie japin llogari para zgjedhësve vetëm kur ka zgjedhje, i përket së shkuarës.
Për ne llogaridhënia publike është institucion, është kontrata jonë e bashkqëqeverisjes.

Më lëjoni të rikujtoj këtu se në Zgjedhjet Lokale të vitit 2019, ne kemi vetëm një koalicionin, Aleancën me Qytetarët, përballë kemi një aleancë politikanësh që politikën e duan si mjet për interesat e tyre, jo për interesat e Shqipërisë.

Ne do të jemi me njerëzit e zakonshëm, përballë do të kemi ata që e duan politikën si armë për të ruajtur privilegjet e tyre, jo për të luftuar për njerëzit, të cilëve u kanë marrë votën.
Detyra jonë sot është njerëzve, banorëve të cdo komuniteti në cdo cep të Shqipërisë, t’i krijojmë mundësitë për të qenë pjesë e analizës së 6-muajve të parë të qeverisë qëndrore por edhe 33 mujore të pushtetit vendor nëpërmjet llogaridhënies.

Pjesë e këtij procesi duhet të jetë edhe komunikimi publik i projekteve strategjike që do të realizohen deri në fund të mandatit, që publiku të dijë paraprakisht cdo projekt, qoftë rrugë, qoftë urë, qoftë autostradë, me toll, pa toll, qoftë ujësjellës, qoftë impiant i trajtimit të mbetjeve, qoftë shkollë, qendër shëndetësore.

Pjesë e këtij procesi duhet të jetë edhe komunikimi publik i politikave tona fiskale, politikave tona sociale, masat per shtresat ne nevojë.

Buxheti i vitit 2018 ishte buxheti i parë në Shqipëri që u ndërtua mbi bazën e konsultimeve publike, por përsëri na duhet që llogaridhënia që do fillojmë ta ketë edhe këtë në vëmendje.
Pjesë e këtij procesi duhet të jetë edh intensifikimi i nxitjes së punësimeve nëpërmjet panaireve të punës, sikurse nuk duhet të lemë jashtë vëmendjes eventet sociale ose kulturore, në lançim edhe të sezonit turistik.

Lllogaridhënie publike do të thotë përfshirje e të gjithë qytetarëve pa përjashtim, sepse vetëm kështu jetësohet bashkëqeverisjes me qytetarët.

Në këtë process do të përfshihen të gjithë, Kryeministri, drejtuesit politikë të qarqeve, ministrat, deputetët, kryetarët e bashkive, zëvendësministrat dhe strukturat e tjera përgegjëse. Në cdo takim publik, do të mbahet shënim cdo pyetje, cdo ankesë, cdo sugjerim.

Cdo pyetje duhet të marrë përgjigje. Cdo sugjerim me vlerë të përfshihet në raportin përfundimtar.
Cdo ankesë e drejtë duhet të sqarohet apo të marrë zgjidhje. Në fund të këtij procesi do të hartohet një raport përfundimtar që do ti paraqitet Asamblesë. Pas miratimit nga Asambleja me gjithë rekomandimet, do të integrohet në planet e punës së qeverisë dhe sfidave të mandatit të bashkëqeverisjes.

Gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS, ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj tha se viti 2017 u mbyll me rritjen ekonomike prej 3.84%, ndërsa punësimi është prioriteti i mandatit të dytë të kësaj qeverie.

Ahmetaj u shpreh se politikat fiskale janë të kujdesshme dhe është viti i dytë që qeveria nuk mbledh borxh të ri.

“Shqipëria ka lënë pas skenarin e mundshëm grek të lënë qëllimisht në vitin 2013. Ekonomia pritet të ndjekë një trajektore rritjeje të qëndrueshme.

Kontributin kryesor në rritje vijon ta ketë konsumi, investimet private vendase e të huaja.

Konsumi u rrit 3.14 %, e cila është rritja më e madhe në vite.
Viti 2017 u mbyll me rritjen ekonomike 3.84%. Punësimi është kryefjala e mandatit të dytë.

Papunësia është ende e lartë dhe ka shumë sfidë. Shqipëria ka nisur nga një nivel i ulët i pagës e cila është rritur.

Rritja punësimit largoi vendin nga varfëria. Në vitin 2013 varfëria ishte 37,7%. Sistemi fiskal po redukton pabarazinë.

Politikat fiskale janë të kujdesshme dhe është viti i dytë që qeveria nuk mbledh borxh të ri. Politikat fiskale po ndihmojnë rritjen ekonomike.

Nuk ka rritje çmimesh për qytetarët”- tha Ahmetaj.

Deputetja socialiste, Elisa Spiropali, njëherazi koordinatore për bashkëqeverisjen, e ka nisur fjalën e saj në Asamblenë Kombëtare të PS, me akuza për opozitën.

Spiropali tha se vizioni i opozitës është çadra dhe mjeti çizmja duke kujtuar protestën e PD-së si dhe sulmin e kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi ndaj kryeministrit Edi Rama në seancën ku u zgjodh kryeprokurorja.

“Vizioni i tyre është çadra dhe mjeti është çizmja. I kanë dhënë shenjat se nuk kanë asnjë strategji. Përballë kësaj mësymje ka vetëm një aleat, bashkëqeverisje në çdo cep të territorit”,- u shpreh Spiropali.

Koordinatorja për bashkëqeverisjen drejtoi kritika edhe ndaj krerëve të degëve, për të cilët tha se shpesh bëjnë raportime fiktive.

Kryeministri Edi Rama, ka ngritur tonet në mbledhjen e sotme të Asamblesë Kombëtare jo vetëm ndaj opozitës por edhe ndaj vetë deputetëve të PS-së. Një kritikë kryeministri e ka drejtuar ndaj koordinatores për bashkëqeverisjen Elisa Spiropalli.

Ai tha se, priste që ajo të fliste për gjërat për të cilat është zgjedhur dhe madje të thoshte se cilët kryetarë partie në rrethe duhen shkarkuar.

“Unë prisja nga Spiropali që të thoshte gjërat për të cilat që është zgjedhur. Dhe prisja nga Spiropali se cilët kryetarë partie duhen shkarkuar sot jo nesër për faktin që nuk duan t’ia dinë fare bashkëqeverisjen, me një instrument konkret ta vënë në dispozicion të gjithë njerëzve që rrinë rrugëve për të kapur miq, shok për të marrë një hipotekë.

Si mundet që pas 6 muajsh të kemi bashki ku kryetarët e bashkisë se kanë marrë ende vesh se çfarë duhet të bëjnë.

Deputetët nuk janë zyra puna, nuk janë në përgjegjësinë që të marrin çdo njeri që ka nevojë për punë ta çojnë në punë dhe ti zgjidhin problemet. Deputetëve duhet t’u jepet mundësia që të kenë pikën e referimit ku të drejtojnë njerëzit”, tha Rama.

Duke vijuar me punën e koordinatores, kryeministri theksoi: “Kryetaret ku janë, nuk u kanë dhënë detyrën të merren me punësime, ka që e bëjmë duhen hequr, nuk u ka dhënë njeri detyrën të bëjnë ndërmjetësime, për të rregulluar tërë farefisin, duhen shkarkuar se njerëzit nuk janë qorra e shurdhe dhe nuk u duhet se ca thotë Rama në televizor.

Njerëzve nuk u duhet çfarë thotë Rama në televizor apo çfarë thotë ministri për rritjen ekonomike. Elisa nuk e bëri këtë, sepse nuk e ka bërë detyrën si duhet dhe unë shpresoj që ta bëjë”.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Mbretëresha Elizabeth II adhururese e modës

  Shfaqja e Mbretëreshës së Britanisë së Madhe, Elizabeth II, në rreshtin...
Read More