Asgjë s’ka ndodhur në PD, gjithmonë janë shitur dhe blerë deputetë

Nga Ervis Iljazaj

Ashtu siç pritej, seanca e parë parlamentare ka shkaktuar një zhurmë mediatike dhe politike më shumë se sa duhet për një ditë të zakonshme politike, që prezupozohet të jetë thjesht ceremoniale.

Këtë klimë të acaruar politike që shoqëroi ndërtimin e  Parlamentit të ri, Partia Demokratike e kishte përgatitur ditë më parë, duke kontestuar fuqishëm  dhe lajmëruar protesta për zgjedhjen e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit të Shqipërisë.

Mirëpo,  dy ditë më vonë , e gjithë vëmendja e opinionit publik është fokusuar brenda Partisë Demokratike, për shkak se dy prej deputetëve të saj, votuan pro zgjedhjes së Gramoz Ruçit si Kryetar Kuvendi.

Edhe sikur të ishte një strategji komunikimi e përgatitur nga Partia Socialiste,  spostimi  i vëmendjes nga emri Ruçit te dy votat  që rrodhën nga grupi parlamentarë i PD-së, nuk do të kishin mbetur kaq të kënaqur me atë që ndodhi pas atij votimi.

Partia Demokratike dështoi politikisht  në kauzën e saj për të kontestuar  kandidaturën e Gramoz Rucit, pasi vendin e saj e mori gjuetia për të gjetur me çdo kusht dy emrat, të cilët votuan ndryshe nga  grupi parlamentarë i PD-së.

Aq e vërtet është kjo, sa që, një ditë më vonë , të gjitha mediat pasqyruan vetëm debatet brenda Partisë Demokratike dhe, protesta politike u harruar menjëherë.

Në këtë spostim të vëmendjes, nga objektivi i  vërtet i Partisë Demokratike, që ishte protesta kundër zgjedhjes së Gramoz Ruçit  te debatet e brendshme, padyshim patën një rol të rëndësishëm dhe kritikët e Lulzim Bashës.

Në  pritje të hapit të tij të parë fals pas rizgjedhjes në krye të Partisë Demokratike, vërshuan me një lum kritikash kundër tij, deri te kërkimi i dorëheqjes, apo te akuzat e paaftësisë për të mbajtur grupin parlamentarë nën kontroll.

Të gjykosh drejtim e një partie politike nga një fakt i tillë, është absurde  dhe s’ka asnjë logjikë politike. Në politikën shqiptare, gjithmonë ka patur shitje dhe blerje deputetësh. Në këtë kuptim ky nuk është një barometër për të matur punën e kryetarit të partisë. Kjo ka ndodhur me Berishën, Nanon, Ramën dhe më këdo që ka qenë në krye të një partie politike, aq më tepër që, rrjedhja e votave nuk është fenomen i politikës shqiptare. Vota e deputetëve kundër linjës së partisë së tyre ndodh kudo në politikën europiane dhe përtej saj.

Po të shtojmë këtu që, rrjedhja e dy votave të  deputetëve të Partisë Demokratike ndodhi në një votim sekret, i gjithë debati nuk ka një vlerë politike, apo të jetë tregues i aftësisë apo i paaftësisë të një kryetari partie. Votimet sekrete, që aplikohen në të gjitha vendet  europiane, në shumicën e rasteve kur ka të bëjë me votë për një person, siç ishte rasti i Ruçit, është votë ndërgjegjeje.

Logjika e votimit sekret është pikërisht kjo. Kur votohet për një person , si zgjedhja e Kryetarit të Kuvendi, Presidentit të Republikës, apo në rastet kur Parlamenti jep miratimin e tij për dënimin e një deputeti me burg, çdo deputet voton në mënyrë sekrete, duke i bërë thirrje ndërgjegjes së tij dhe, jo medoemos vota e tij është pro linjës së partisë që i përket. Ky është ndryshimi midis votës së hapur dhe asaj sekrete. Në votimin e hapur deputetët kanë përgjegjësi politike në raport me partinë dhe më votuesit. Ndërsa, në atë sekret kanë vetëm përgjegjësi kundrejt ndërgjegjes së tyre.

Kryetari i partisë nuk ka asnjë fuqi të kontrollojë ndërgjegjen e çdo deputeti. Andaj, dramaticiteti që u krijuar me rrjedhjen e dy votave nga Partia Demokratike, është një fortunë e ngritur në gotë. Asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur politikisht. Përkundrazi, votimi i Partisë Demokratike ishte më kompakt seç pritej, duke parë kontekstin.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Famullia e Gomsiqes: Selia e “Kanunit” të Gjeçovit

Nëse shumë nga dijetarët e kohës merreshin me punë shkencore në Shkodër...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.