Asnjë ambasador nuk mund të na shpëtojë nga vetja!!



Donald Lu dhe VlahutinNga Ervis Iljazaj*

Duket se për Shqipërinë është një moment historik, një moment kyç ky, i cili me shumë gjasa kërkon t’i japë fund periudhës së gjatë të tranzicionit. Ajo që më shumë se çdo gjë tjetër kemi kërkuar gjatë gjithë kësaj kohe, drejtësia e cila në vetvete kupton lirinë, është kthyer në axhendën kryesore të përfaqësuesve tanë. Fatkeqësisht kjo drejtësi është jo shumë e dëshiruar nga vetë këta të fundit, sesa e imponuar nga aleatët tanë ndërkombëtarë, që lirinë dhe drejtësinë e kanë në themel të shtetit dhe shoqërisë së tyre. Në momente historike, çdokush ka mundësinë të lërë gjurmët e tij dhe të lajë “hesapet” me të shkuarën dhe veprën e tij.

Në pamje të parë apo nga deklaratat publike, të gjitha forcat dhe aktorët politikë janë dakord në “parim” me Reformën në Drejtësi edhe pse duket qartë që është një pozicion i imponuar dhe populist. 95% e shqiptarëve, sipas sondazheve, e duan këtë reformë. Në fakt, shumë prej tyre, po t’i pyesësh se çfarë përmban në thelb kjo reformë, nuk do të dinë të japin përgjigje. Dëshira e tyre përkthehet me besimin që kanë tek ambasadorët e huaj, si e vetmja shpresë që mund të ndryshojë fatet e këtij vendi. Dëshira për liri nga abuzimi i pushtetit dhe arroganca e tij, liri që shikohet vetëm te ëndrra europiane, i kthen ambasadorët në garant se kjo klasë politike do të ndryshojë.

Të ndodhur përballë këtij presioni popullor, parlamenti shqiptar s’ka rrugë tjetër, prandaj dhe konsiderohet si normale pjesëmarrja e ambasadorëve të huaj deri në mbledhjet e partive politike. Përtej diskutimeve mbi sovranitetin e humbur apo jo të Shqipërisë, aleatët tanë më shumë sesa përballë institucioneve ndërkombëtare, kanë vendosur klasën politike shqiptare përballë popullit të saj.

Nëse ka një defekt demokracia, është pikërisht fakti që ka nevojë për konsensus të përhershëm. Konsensus që shpesh herë çon në vendimmarrje populiste dhe jo efikase, vendime politike, të cilat duhen të përkthehen menjëherë në vota, pavarësisht janë të duhurat apo jo. Zgjedhjet parlamentare janë në prag dhe me sa duket kjo e Reformës në Drejtësi dhe raporti me të do jetë sfida më e madhe që politika do të ketë në këto zgjedhje. Një garë që me shumë gjasa do të zhvillohet midis të drejtëve dhe të padrejtëve.

Është kaq e rëndësishme drejtësia sa që çdo gjë mund të durojë një shoqëri përveç padrejtësisë, të cilën nuk e fal asnjëherë. Politikanët tanë këtë gjë e dinë mjaft mirë. Aq e vërtetë është kjo, saqë çështjet e drejtësisë kudo ato shfaqen, janë kthyer në kryefjalën e diskursit publik, deri në atë pikë sa vendosin pushtetet në garë me njëra-tjetrën, se cila do të marrë flamurin e drejtësisë. Për fat të keq, duke anashkaluar të gjitha mekanizmat e procedurës normale të një shteti demokratik, vetëm drejtësi nuk jepet, por në emër të popullit i bëjnë padrejtësitë më të mëdha vendit.

Të gjithë e duan Reformën në Drejtësi, por askush nuk e di nëse ajo bëhet garant që nesër të kemi një klasë politike më të mirë, një gjyqësor jo të korruptuar dhe zhvillim ekonomik, i cili për të gjitha institucionet e rëndësishme ndërkombëtare është i lidhur ngushtë edhe me këtë reformë. Mënyra se si ky proces po zhvillohet, lë për të dëshiruar dhe të bën skeptik, pasi nuk po vjen si pasojë e një vullneti politik normal. Nuk kemi të bëjmë me një arritje të shoqërisë dhe politikës, por imponim nga aleatët tanë. Të kuptohemi, falë Zotit që i kemi këta aleatë, sepse në një mënyrë apo në një tjetër janë e vetmja pikë referimi i shpresave tona. Në këto 25 vite tranzicion nuk kemi arritur të formojmë një shtet të së drejtës dhe të krijojmë një klasë politike të denjë për një emër të tillë. Kjo tregon më së miri se të gjitha problemet tona nuk do të zgjidhen me një shkop magjik të drejtësisë të ardhur si dhuratë nga lart, sepse jo çdo gjë e dhuruar është e merituar. Për më tepër, kjo do të na jepte iluzionin e krijimit të një drejtësie, që në të vërtetë duket si fasadë e një muri të shkatërruar.

Vetëm në momentin që do të jemi të vetëdijshëm që drejtësia është fryt i marrëveshjeve tona shoqërore dhe demokracia është e vetmja “lojë” në qytet, të cilën do të dimë ta luajmë pa na marrë prej dore ndërkombëtarët, vetëm atëherë mund të themi që kemi ndërtuar një shoqëri vërtet të drejtë. Në të kundërt, me gjithë dëshirën e mirë të aleatëve tanë, asnjë ambasador, qoftë ky edhe ai i vendit më të fuqishëm dhe demokratik në Botë, nuk do të mund të na shpëtojë nga vetja!

*pedagog, UET

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Bashkim Dedja: E vërteta e ligjit që u dërgua në Venecia

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese pranon se variantet e ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit...
Read More