Asnjë rregullore nuk mund të përjashtojë Kryetarin e Opozitës nga Parlamenti

Nga Ervis Iljazaj

Si rrallë ndonjëherë, Kryetari i Opozitës është përjashtuar nga seanca parlamentare për shkak se në gjykimin e drejtuesit të seancës ka shkelur rregulloren e Parlamentit.

Në vitet e fundit jemi mësuar mos ta shohim në institucionin më të rëndësishëm të shtetit Kryetarin e Opozitës. Precedentët e krijuar nga Rama më parë, dhe Basha pas tij, krijuan profilin e Kryetarit të Opozitës jashtë Parlamentit. Ky është një handikap i madh për jetën parlamentare.

Pas shumë vitesh, tashmë Kryetari i Opozitës gjendet në Parlament, aty ku duhet ta ketë vendin, për të krijuar alternativën qeverisëse, kaq thelbësore për demokracinë.

Gramoz Ruçi ka të drejtë kur thotë se rregullorja duhet aplikuar njësoj për të gjithë, por, Kryetari i Opozitës nuk është të gjithë. Është pushtet dhe institucion, pavarësisht se kush e mban atë post.

Pa hyrë fare në diskutimin nëse Basha e shkeli rregulloren apo jo, ndoshta dhe e shkeli, por kjo nuk ka kurrfarë rëndësie, dhe nuk mund të shërbejë si arsye për ta përjashtuar atë nga seanca parlamentare. Nuk ka rregullore që mund të përjashtojë opozitën nga Parlamenti, apo institucionin më të lartë të saj përfaqësues që është Kryetari i saj.

Sepse në një shtet demokratik, opozita është më e rëndësishme se çfarëdo mazhorance politike e momentit. Në të kundërt shkohet drejt mungesës së alternativës që është jetike për regjimin demokratik.

Gramoz Ruçi e ka nisur funksionin e tij të Kryetarit të Kuvendit dhe është duke e drejtuar atë, sipas natyrës së tij. Njihet tashmë natyra e tij burokratike dhe respektimi i rregullave. Shumë mirë që është kështu, por të jesh Kryetar Kuvendi është më shumë se kaq.

Ky institucion shërben si një gjykatës për të drejtuar punimet parlamentare brenda frymës së një shteti demokratik që Shqipëria pretendon se është. Funksioni i tij kryesor është patjetër zbatimi i rregullores dhe çuarjes së Parlamentit në një vendimmarrje. Prandaj sa herë që bllokohen punimet, siç mund të ishte rasti i Bashës, ai ka për të detyrë të gjejë një formë për t’i çuar përpara ato. Megjithatë vendimmarrja e Parlamentit nuk ka asnjë sens, nëse përjashtohet Kryetari i Opozitës.

Sigurisht, Kryetari i Kuvendit mund të gjendet, sidomos në Shqipëri, përballë dilemave të tilla, dhe është detyra e tij të gjejë një rrugëzgjidhje pa cenuar parimet e parlamentarizmit.

Por, ky funksion nuk zhvillohet gjithmonë duke zbatuar në mënyrë strikte rregulloren e Parlamentit. Ndonjëherë për hir të jetës parlamentare dhe stabilitetit të institucionit më të rëndësishëm në një demokraci, vendimmarrja duhet të kalojë përtej rregullores.

Prandaj Kryetari i Kuvendit në Republikat Parlamentare është një gjykatës. Sepse e ka për detyrë të marrë në shqyrtim të gjitha rrethanat, të analizojë çdo kontekst për të arritur në një vendim.

Vendimi i Gramoz Ruçit në këtë rast, ishte i gabuar dhe i nxituar. Të kuptohemi, ai nuk ka shkelur asnjë ligj, asnjë nen të rregullores parlamentare. Por, në këtë rast, duhet të kalonte përtej tyre dhe të tregohej në lartësinë e staturës që kërkon një post i tillë, siç është ai i Kryetarit të Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit ka të drejtën politike dhe kushtetuese të interpretojë rregulloren e Parlamentit në funksion të misionit që i ngarkon Kushtetuta, pavarësisht neneve të caktuara. Dhe nuk ka mision më të rëndësishëm për të, se sa garantimi i pjesëmarrjes së opozitës në çdo seancë parlamentare. Sepse rregullorja nuk lexohet vetëm në germë, por dhe në frymë.

Këtë herë, fatkeqësisht, një gjë e tillë nuk ndodhi. Kjo përbën një nga ato ditët e jetës parlamentare që duhet fshirë menjëherë nga kujtesa politike.

Kryetari i Opozitës është populli shqiptar. A mund të përjashtohet populli nga Parlamenti, të cilit i jep mandatin për ta përfaqësuar në çdo vendim?

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Prokuroria kërkon arrestimin e Tahirit

Prokuroria kërkon heqjen e imunitetit për arrestimin e deputetit Saimir Tahiri. Shkak...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.