Atentati me 8 të plagosur në Shkodër: Si e kryen shpërthimin 3 të rinjtë elbasanas

Policia arreston tre të rinj nga Elbasani si autorë të dyshuar të vendosjes së eksplozivit më 13 janar të këtij viti, ku mbetën të plagosur tetë persona në Shkodër, tre prej të cilëve rëndë. Autorët janë fiksuar nga kamerat e sigurisë duke zbritur motoçikletën bombë nga një fugon. Pas shpërthimit largohen drejt Elbasanit. Provat e reja që zbuloi policia.

Zbardhet atentati i përmasave terroriste i ndodhur në Shkodër më 13 janar, ku nga shpërthimi i eksplozivit plagosën tetë persona, tre prej të cilëve rëndë. Lajmin për arrestimin e dy personave të dyshuar si autorë të ngjarjes dhe bashkëpunëtorin e tyre e dha dje drejtori i Policisë së Shkodrës, Gjovalin Loka. “Në orët e para të mëngjesit, si rezultat i mirorganizimit dhe koordinimit, nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, forcat e RENEA-s, FNSH-së së Tiranës si dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, u zhvillua dhe u finalizua operacioni policor Together”. Si rezultat i këtij operacioni u kapën dhe u arrestuan shtetasit Endri Çopja 29 vjeç dhe Argel Lulaj 31 vjeç, të dy banues në Elbasan, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër kishte caktuar masë sigurie “arrest në burg, në mungesë”, për veprat penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe i municionit, shkatërrimi i pronës me eksploziv, të kryera në bashkëpunim”, -tha Lokaj. Gjithashtu, u arrestua në flagrancë edhe Serxho Teta, 24 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe i municionit”. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e tyre janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa celulare, 4 automjete, 2 nga të cilat janë përdorur nga autorët ditën e ngjarjes, 6 000 euro, tre maska dhe fishekë luftarake. Ata dyshohet se në bashkëpunim janë autorë të shpërthimit me eksploziv të ndodhur në lagjen “Rus” të Shkodrës. Atentati tronditi jo vetëm atë lagje të vogël, por mbarë vendin, pasi pamjet që u transmetuan pas shpërthimit ishin të rënda. Si pjesë e këtij operacioni në Elbasan u ndaluan edhe disa persona të tjerë të kapur me armë dhe lëndë narkotike.

Ngjarja

Mesditën e 13 janarit, ndërsa në Drejtorinë e Policisë Shkodër mbahej ceremonia për 105-vjetorin e themelimit të policisë, në lagjen “Rus” u dëgjua një shpërthim i fuqishëm. Pasojat ishin më se tragjike, me tetë persona të plagosur. Nga hetimet e kryera u dyshua se objektiv i këtij atentati ishte Lulzim Kulla, i cili mbeti i plagosur rëndë dhe vijon të jetë ende në spital. Ekspertët përcaktuan se autorët kishin vendosur rreth 900 gramë eksploziv tritol dhe aktivizuan minën e telekomanduar sapo konstatuan se aty pranë po kalonte Lulzim Kulla. Pasojat ishin mjaft të rënda ku veç objektivit, dëmtime të shumta trupore morën edhe shtatë qytetarë të tjerë të cilët po kalonin rastësisht në vendin e ngjarjes. Menjëherë u angazhuan ekspertë të policisë Shkodër, prokurorë dhe specialistë të kriminalistikës të mbërritur nga Tirana. Dyshimet e para ishin se objekt i atentatit ishte Lulzim Kulla, një emër i njohur i botës së krimit në Shkodër dhe rrethinat e tij. Disa herë ishte proceduar penalisht për akuzën e gjobëvënies, heqjes së paligjshme të lirisë, dhe kultivimit të bimëve narkotike. Në çdo rast ai kishte mundur t’i shpëtonte dënimit, pasi gjykatat e shpallën të pafajshëm.

Arrestimet

Autorët gjithçka e kishin përgatitur më së miri, por një gjurmë të rëndësishme e kishin lënë gjatë kohës që përgatiteshin për atentatin. Motoçikletën bombë e vendosën në një fugon dhe kamerat e sigurisë filmuan momentin kur afër vendit të ngjarjes ndalojnë dy automjete një fugon dhe një autoveturë. Pasi zbresin motoçikletën bombë, autorët largohen në një distancë të papërcaktuar, por në momentin e lëvizjes fiksohen edhe nga një kamera tjetër sigurie në dalje të Shkodrës. Duke ndjekur gjurmët e autorëve, ekspertët konkluduan se automjeti fugon kishte dalë nga Elbasani dhe pasi kreu atentatin sërish u kthye në Elbasan. Makina është me targa të rregullta dhe figuron në emër të një personi i cili jeton në Itali. Policia po punon për të verifikuar nëse mjeti është vjedhur dhe përdoruar në atentat apo pronari i saj të jetë implikuar në ngjarje. Përgjatë disa ditëve të dyshuarit janë mbajtur në përgjime telefonike dhe burime nga grupi hetimor shprehen se janë siguruar të dhëna të mjaftueshme për t’i konsideruar përgjegjës të arrestuarit. Pas këtij aksioni të suksesshëm reagoi dje edhe kreu i qeverisë Edi Rama. “Falenderoj dhe nxis Policinë e Shtetit për të vijuar pa pushim më tej punën e mirë. Rezultatet që po vijnë si shpërblim i një pune të palodhur, janë vërtet shumë inkurajuese”, shkruan Rama në Facebook. Pak para tij të njëjtin qëndrim me falënderime mbajti edhe kreu i Ministrisë së Brendshme Fatmir Xhafaj. “Vlerësimet më të mira për drejtuesit dhe oficerët e Policisë kriminale të Drejtorisë Shkodër që në pak javë zhvilluan 2 operacione të shkëlqyera”, thotë Xhafaj. Brenda këtij muaji aksione të suksesshme të policisë konsiderohen edhe arrestimi i pesë personave të dyshuar për vrasjen e Devi Kasmit në Tiranë, ngjarje që u zbulua brenda një jave dhe bllokimi i disa aseteve të dyshuara se kishin për burim veprimtari të paligjshme në Lezhë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Pesë çështje që duhet të zgjidhë Partia Demokratike përtej Statutit

Nga Ervis Iljazaj Kuvendi i Partisë Demokratike shkaktoi debate të mëdha në...
Read More