Audio-përgjimi që tronditi politikën

Partia Demokratike publikoi dje audio-përgjimin ku dëgjohet biseda mes një personi i cili ishte dënuar më parë në Itali për trafik droge, ndërsa kërkon nga Agron Xhafaj (të cilin e njihte që në Itali) që t’i mundësojë “një rrugë”… Biseda e plotë mes tyre dhe dyshimet se vëllai i ministrit e ka vijuar aktivitetin e trafikut të narkotikëve edhe në Shqipëri. Çfarë pritet të ndodhë me ministrin Xhafaj dhe reagimi i PS-së duke ia “ngushtuar” edhe më shumë lakun…

Telashet për ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj u dukën sikur po mbylleshin me kalimin e ditëve, por tashmë ngjan se është fillimi i një fundi që mund të shkojë deri në dorëheqje të tij, për shkak të përfshirjes së të vëllait në një tjetër dyshim për trafik droge. Partia Demokratike publikoi dje një audio-përgjim, ku sipas saj në këtë bisedë është një person i dënuar në Itali për trafik droge dhe Agron Xhafaj. I dënuari, (në audio-përgjim është shënuar si Bashkëpunëtori X), i kërkon vëllait të ministrit që të mundësojë mënyrën që ai të “bëjë një rrugë”, duke nënkuptuar trafikimin e lëndëve narkotike. “Në të kaluarën, bashkëpunëtori X dhe Agron Xhafaj kanë punuar së bashku në trafikun e drogës, por kur bashkëpunëtori X u dënua me burg në Itali, Agron Xhafaj nuk u interesua kurrë për të. Takimi mes tyre zhvillohet pasi bashkëpunëtori X ka dalë nga burgu, ka ardhur në Shqipëri dhe i kërkon ndihmë Agron Xhafajt t’i gjejë ngarkesë me kanabis dhe ta punësojë si skafist për të bërë një rrugë Italie, sepse ka mbetur pa para” -shprehen deputetët e PD-së Enkelejd Alibeaj dhe Ervin Salianji, të cilët publikuan materialet, më se komprometuese. Gjatë bisedës, Agron Xhafaj tenton ta shmangë sa më shumë, duke ia bërë të qartë se gjërat nuk ishin mirë dhe se “ata plehrat po flasin keq për të dhe vëllanë”. Në këtë bisedë të shkurtër lihet të kuptohet se bëhet fjalë për një trafik të lëndëve narkotike, ku Agron Xhafaj gjen edhe zgjidhjen për këtë rast. “Dëgjo tani, ti e kupton si janë gjërat. Këta plehrat po na sulmojnë shumë ore. Do të të çoj unë te Ermali ore, është shoku im i ngushtë” -dëgjohet Xhafaj të thotë. Në një moment ai përmend edhe situatën në të cilën ndodhet dhe sulmet që sipas tij po i vijnë, duke kujtuar edhe vëllanë, ministrin Fatmir Xhafaj. “Dëgjo, hera e parë dhe e fundit dhe mos na bjer më në qafë. Se po na sulmojnë shumë ore. Shiko dhe vëllanë (Fatmir Xhafaj). Shumë fare po na sulmojnë. Të jetë hera e parë dhe e fundit”. Kjo është një pjesë e përgjimit, por sipas përfaqësuesve të Partisë Demokratike, fakti është i qartë se Agron Xhafaj në këtë rast ka mundësuar trafikimin e lëndëve narkotike, duke e dërguar personin e interesuar te një mik i tij me emrin Ermal.

Përgjimet e reja

Partia Demokratike çështjen e vëllait të Fatmir Xhafajt nuk e ka lënë vetëm me publikimin pak ditë më parë të vendimit të Gjykatës së Lartë të Italisë që e dënonte përfundimisht Agron Xhafajn me 7.2 vjet burg. Gjithashtu, PD ngre dyshimin se Fatmir Xhafaj, në kohën kur ishte kryetar i Komisionit të Ligjeve, vendosi dy nene në ligjin për ekstradimet, duke e pamundësuar ekstradimin e vëllait të tij drejt Italisë dhe gjithashtu ai nuk mund të arrestohet as në Shqipëri. Përfaqësuesit e PS-së, Ulsi Manja dhe Vasilika Hysi pretendojnë se këto nene të shtuara në draftin përfundimtar të ligjit të Reformës në Drejtësi, ishin në frymë të Konventës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe nën ndikimin e përfaqësuesve të EURALIUS dhe OBDAT. Po ende pa u shuar këto dyshime, Partia Demokratike siguroi të tjera materiale komprometuese nëpërmjet audio-përgjimit të publikuar mesditën e djeshme. Këtë herë duket se situata nuk është aspak në favor të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Vëllai i ministrit takon një person të dënuar më parë në Itali dhe e orienton që të shkojë dhe takojë një tjetër person që mundëson për të “bërë një rrugë” për trafikimin e narkotikëve. “Bashkëpunëtori X ndoqi rrugën e treguar nga Agron Xhafaj, bleu kanabis tek trafikantët nën urdhrat e vëllait të Ministrit të Brendshëm, i qetë dhe pa ndjekjen e policisë” -thuhet në reagimin e PD-së.

PS sinjale “kundër” Xhafajt…

Pa kaluar as një orë nga jehona e audio-përgjimit, Partia Socialiste, nëpërmjet kryetarit të grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla reagoi, duke përmendur edhe “përgjegjësi” morale për ministrin Xhafaj. Edhe pse vuri në dyshim autenticitetin e përgjimit, njëkohësisht ftoi prokurorinë që ky rast të hetohej. “A është audio autentik dhe nëse do të ishte e vërtetë atëherë kemi të bëjmë me një provë që implikon penalisht vëllanë e ministrit dhe moralisht këtë të fundit, por a është autentik, apo inskenim i radhës në përpjekje të vazhdueshme të Saliut dhe Lulit për të baltosur këdo që u del përpara në orvatjen e tyre për të penguar me çdo kusht çeljen e negociatave me BE dhe për të luftuar edhe drejtësinë e re prej të cilës kanë të drejtë të jenë shumë të tmerruar, kësaj pyetje i jep përgjigje vetëm prokuroria dhe askush tjetër, prej momentit kur ajo fillon hetimin” – tha Balla. Deputeti Balla insistoi në hetimet e thelluara të çështjes, duke kërkuar që në çdo rast nëse janë të vërteta vëllai i ministrit të mbajë përgjegjësi ligjore, ndërsa nëse vërtetohet e kundërta që është një inskenim, edhe akuzatorët të vihen para përgjegjësisë. “Jo vetëm ne por çdo shqiptar i zakonshëm në këtë vend duhet të dijë të vërtetën, për ne nuk është askush mbi ligjin dhe askush nuk e bën dot përveç organeve të drejtësisë. Presim me padurim të mësojmë të vërtetën me bindjen se ose duhet të ndëshkohet i akuzuari nëse është fajtor, ose të ndëshkohen akuzuesit nëse janë regjisorë të kësaj shfaqjeje”-shtoi Balla. Ndonëse prokuroria nuk ka reaguar zyrtarisht për audio-përgjimin, pritet që edhe kjo çështje të merret në hetim në ditët në vijim dhe do të kërkohet zyrtarisht që Partia Demokratike të dorëzojë materialet audio-përgjuese për kryerjen e mëtejshme të hetimeve. Aktualisht Agron Xhafaj po hetohet nga prokuroria për pasurinë e tij, për të zbuluar nëse është vënë nga aktivitete kriminale, apo në mënyrë të ligjshme. Të paktën zyrtarisht kjo është konfirmuar nga ana e institucionit të akuzës. Rasti nuk është aq i lehtë për t’u kaluar me batuta dhe ironi nga ana e mazhorancës, pasi aktualisht ish-ministri Saimir Tahiri është në “arrest shtëpie” i dyshuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, ndërsa ministri aktual ende mbetet në “akuzën morale” mbi veprimtarinë e paligjshme të vëllait të tij, i dënuar për trafik droge në Itali, por i dyshuar edhe për të njëjtën veprimtari edhe në Shqipëri.

 

Audio-përgjimi i publikuar nga PD

Bashkëpunëtori X: Ca bëre? Si ke qenë nga shtëpia?

Agroni: Mirë o mirë, ti mirë?

Bashkëpunëtori X: Mirë.

Agroni: Mirë keni qenë? Ca bëre ndonjë gjë?

Bashkëpunëtori X: Mirë.

Agroni: Si ia kalove? Ca bëre ndonjë gjë të re?

Bashkëpunëtori X: Mirë vëlla mirë. dëgjo ore, se për atë muhabetin që të mora në telefon, po puna është që…

Agroni: Një herë më ke marrë mua në telefon ti. Ndonjë gjë të re ca ke bërë?

Bashkëpunëtori X: Hiç, ja erdha për atë që të thashë, për të bërë rrugën.

Agroni: Dëgjo tani, ti e kupton si janë gjërat. Këta plehrat po na sulmojnë shumë ore.

Agroni: (Përmend një fjali me 5-6 fjalë, por nuk kuptohet mirë)

Agroni: Do të të çoj unë te Ermali ore, është shoku im i ngushtë.

Bashkëpunëtori X: Të faleminderit (2-3 fjalë që s’kuptohen). Se erdha ngaqë jam keq vëlla. Se nuk erdha nga e mira.

Agroni: Dëgjo, hera e parë dhe e fundit dhe mos na bjer më në qafë. Se po na sulmojnë shumë ore. Shiko dhe vëllanë (Fatmir Xhafaj). Shumë fare po na sulmojnë. Të jetë hera e parë dhe e fundit.

Bashkëpunëtori X: E mirë vlla mirë.

Agroni: Mirë pra, ndonjë gjë tjetër car ke bërë?

Bashkëpunëtori X: Hiç asgjë.

Agroni: Na kanë nxjerrë emrin. Mos më bjer më në qafë, aman të keqen. Ata të tjerët në Itali, e shikon (thotë 2-3 fjalë që nuk kuptohen, sepse flasin njëkohësisht me bashkëpunëtorin X).

Bashkëpunëtori X: Mirë vlla mirë, (thotë 2-3 fjalë që nuk kuptohen)/ Ne duke pirë kafe jemi, s’e vrasim mendjen.

Agroni: Ndonjë gjë tjetër nga shpia?

Bashkëpunëtori X: Mirë të gjithë. Ti vetë?

Agroni: Mirë, mirë.

Bashkëpunëtori X: Mirë o vlla rrofsh, faleminderit.

Agroni: Po na sulmojnë ata, keq fare.

Bashkëpunëtori X: Mirë, mirë.

Agroni: Kalofsh mirë.

Bashkëpunëtori X: Faleminderit njëherë për të gjitha. S’të nxjerr asnjë problem. Rrofsh edhe për kafen.

Agroni: Aman o të keqen vlla, hera e parë dhe e fundit, mos më bjer më në qafë.

Bashkëpunëtori X: Po ik o se s’të bie më në qafë, po kisha një problem se kam një hall dhe unë. Ta bëra si vëlla.

Agroni: Po gjërat nuk e shikon si janë?

Bashkëpunëtori X: Se e njohim njëri-tjetrin.

Agroni: Ata në Itali janë zbërthyer komplet ore.

Bashkëpunëtori X: Mirë o vlla mirë, hajde rrofsh. Do e takoj unë Ermalin. Pa merak.

Agroni: Te Ermali vëlla.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

A përputhen politikat e Administratës Trump dhe kancelarive diplomatike në Ballkan?

Nga Ervis Iljazaj Mohimi i vizës për Adriatik Llallën nga ana e...
Read More