Axhenda e përjetshme reformuese e Shqipërisë!


Axhenda liberale / 5 – 
Nga Besart Kadia – Sikundër dhe shumë qeveri të tjera postkomuniste, edhe qeveria Rama nuk i shpëton dot axhendës reformuese të Shqipërisë. Që me qeverinë e parë Berisha e vazhduar me qeverinë Nano e sërish Berisha, aspektet kryesore të vendimmarrjes politike lidhen me vendimet për të reformuar vendin drejt ekonomisë së lirë e konkurruese. Reformat fillojnë që me terapinë e shokut, privatizimet e dyqaneve dhe shtëpive, liberalizimi i çmimeve, privatizimi i bankës së kursimeve etj. Të tëra këto reforma të para kanë qenë pjesë e Konsensusit të Washingtonit. Por sot pikëpyetjet ngrihen nëse këto reforma të qeverisë Rama vijnë si kërkesë e brendshme e shoqërisë nga mandati politik, si imponim apo kërkesë e institucioneve ndërkombëtare apo si një mekanizëm shtesë i pamenduar më parë për të legjitimuar pushtet që në vendet në tranzicion nuk janë plotësisht demokratike. Përgjigja ndaj këtyre tre pyetjeve më pas jep një panoramë më të qartë për mundësinë e këtyre reformave që të jenë të suksesshme. Po përse duhen reformat në një ekonomi?

Ka një konsensus mes ekonomistëve se reformat institucionale sjellin rritje ekonomike. Në të gjitha studimet mbi vendet e tranzicionit BERZH arrin në përfundimin se rritja ekonomike nxitet në periudhën afatgjatë nga ato reforma të cilat përafrojnë indikatorët e institucioneve të tregut me ato të vendeve perëndimore. Stabiliteti makroekonomik, investimet shtetërore apo trashëgimia komuniste kanë pak ose aspak ndikim në performancën e zhvillimit ekonomik të vendeve të Europës Lindore. Por pyetja që shtrohet është se kur dihet se reformat janë pozitive për ekonominë, si ka mundësi që ato shtyhen në kohë ose nuk kryhen fare?

Një përgjigje ka të bëjë me faktin se kjo nuk është fushë e ekonomisë, por e politikave ekonomike. Në këtë kuptim teksa ekonomistët bien dakord pa kushte se “energjia duhet paguar nga të gjithë ata që e konsumojnë”, studiuesit e politikave ekonomike kthejnë vëmendjen në faktin se këto reforma implementohen nga politikanë të cilët mendojnë për zgjedhjet e ardhshme dhe për rrjedhojë reformat shtyhen në kohë.

Ndaj në politika ekonomike mendohet se cilat janë ato kushte që duhen plotësuar përpara se të ndërmerren reforma. A duhet të kemi rritje të lartë ekonomike përpara se të ndërmarrin reforma? A i ndërmarrin reformat vetëm qeveritë popullore me kapital të madh politik që mund të amortizojnë kostot afatshkurtra të reformave? A duhet të presim sa kriza ekonomike të bëhet aq evidente sa kushdo që është në pushtet, i majtë apo i djathtë, do t’i ndërmerrte ato? A duhet të tolerojmë e të mbyllim sytë ndaj politikanëve autoritarë që shmangin praktikat demokratike për të çuar përpara shpejt reformat ekonomike? A është më mirë të kërkojnë konsensus ndërpartiak për reformat që ato të jenë të suksesshme në periudhën afatgjatë?

Pyetjet që shtrojnë politikat ekonomike janë të shumta dhe ajo që pranohet është fakti se kushtet paraprake për të ndërmarrë reforma asnjëherë nuk arrihen plotësisht dhe njësoj në të gjitha vendet. Çdo shoqëri ka historinë e saj politike dhe ekonomike ndaj po të rikthehemi në rastin e Shqipërisë shohim se reformat janë kryer gjithnjë nën asistencën e institucioneve ndërkombëtare dhe legjitimimi i tyre kryesisht vjen nga jashtë më tepër se sa nga popullata vendëse dhe kjo ka efekt “win-win” për qeverinë, por jo domosdoshmërisht për publikun dhe suksesin e reformave të ndërmarra.

Së pari, në Shqipëri kush kryen reforma shpërblehet dhe konsumohet pak nga kapitali politik ndryshe nga ç’mendohet gjerësisht. Kryesisht kjo vjen pasi qeveria justifikon reformat si imponim nga jashtë dhe nuk ka erozion të brendshëm politik. Ajo ndjek axhenda që iu shkojnë përshtat axhendave të institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare. Në këtë këndvështrim gjatë mandatit të shkuar, ministri i Financave Shkëlqim Cani komentonte se kredia e marrë nga FMN ishte e domosdoshme për ekonominë. Por nga ana tjetër, kjo kredi jepej vetëm nëse ekonomia jonë ndërmerrte reforma strukturore. Ndaj reformat ishin të pashmangshme se FMN i kërkonte ato dhe kostot në publik duhet t’i mbante qeveria e shkuar e djathtë se ajo la borxh që detyroi qeverinë e majtë të marrë hua nga FMN dhe për këtë arsye të ndërmarrë reforma strukturore të vështira. Pra, argumenti kryesor që ndjekin qeveritë shqiptare është se “reformat imponohen nga jashtë” dhe çdo shtet që është pjesë e ekonomisë globale i ndërmerr ato.

Së dyti, legjitimimi i reformave vjen nga jashtë pavarësisht se iniciohen nga brenda Shqipërisë. Kryeministri Rama është shprehur disa herë se “Reforma në Drejtësi duhet të kalojë sepse kjo na jep mundësi për hapjen e negociatave për në BE”. Për më tepër ministra të tjerë të qeverisë nga nevoja për ekspertizë dhe për financim nga donatorë të ndryshëm shprehen në takime se “dhamë garanci dhe raportuam për reformat te partnerët ndërkombëtarë”. “Të garantosh dhe të raportosh” si ministër i një shteti për reforma që prekin vetëm qytetarët shqiptarë tregon sa e nevojshme është legjitimi nga jashtë për politikëbërjen shqiptare. Gjithashtu, ajo tregon se sa e larmishme dhe jo e njëzëshme bëhet axhenda reformuese kur donatorët dhe ekspertiza e reformave vjen nga SHBA, BE, si dhe shtete të tjera joanëtare të BE-së. Një vëzhgim i shpejtë tregon se të gjitha reformat kryesore kanë patur nga pas një donator të rëndësishëm e të ndryshëm ndërkombëtar, siç janë: reforma në administratën publike, reforma administrative e territoriale, reforma e energjisë elektrike, reforma e pensioneve, reforma sistemit gjyqësor, reforma e ujit etj.

Së treti, reformat ekonomike mund të shtyjnë në kohë demokratizimin e vendit. Sipas Sergei Gurev, krye/ekonomistit të BERZH, qeveritë autoritare në Europën Lindore gjithnjë e më shumë pretendojnë se ata janë më të aftët dhe më të zotët për të çuar reforma të rëndësishme përpara. Ndaj dhe ndërmarrin reforma ekonomike, jo si pasojë e një vizioni të qartë për shoqërinë, por më tepër si një instrument i rëndësishëm legjitimues për të mbajtur pushtetin politik. Por shton ai duke qenë se duan të rrinë në pushtet ata deklarojnë se i kanë kryer reformat pavarësisht se ato nuk janë të plota dhe shpeshherë përfundojnë në “kapitalizëm klientelist” për të qëndruar më gjatë në pushtet. Në një artikull të sponsorizuar në revistën ndërkombëtare “The Economist”, qeveria Rama kërkonte të tërhiqte vëmendjen për faktin se po ndërmerrte reforma duke e portretizuar veten si lider të reformave në Ballkan. Por shqetësimi është se mos ndoshta Shqipëria e katër viteve shkoi drejt modelit që përcjell Sergei Gurev. Ku reformat nuk implementohen plotësisht por ato nisen shpesh për të kërkuar pushtet, por pa i çuar ato kurrë të plota deri në fund. Për shembull reforma territoriale ka sjellë rritje dhe jo ulje të shpenzimeve korrente, ndryshe nga ç’ishte justifikimi i parë për kryerjen e kësaj reforme. Reforma në arsim gjithashtu shfaq mangësi në ligj dhe në implementim e tij dhe duket se asgjë thelbësore s’ka ndryshuar nga viti 2013 për sa i përket institucioneve publike. Reforma e pensioneve kërkon akoma më shumë financim nga buxheti i shtetit dhe në periudhën afatgjatë ka shtuar presionet buxhetore dhe nuk i ka zgjidhur ato. Ky proces gjithashtu frenon qeverinë në incentive për të demokratizuar vendin. Po të shohësh të dhënat e Freedom House, Shqipëria e vitit 2017 performonte më keq se Shqipëria e vitit 2009 në “Indikatorin e Demokracisë”. Në këtë indikator gjithashtu vihet re se ka përkeqësim në korrupsion, pavarësinë e gjyqësorit, qeverisjen lokale, pavarësia e medias apo qeverisja demokratike kombëtare.

Qeveria Rama ka ndërmarrë reforma që në pamje të parë janë jo popullore dhe jo elektorale. Mandati 2013-2017 ka qenë një mandat që nisi njëkohësisht disa procese të mëdha reformuese siç ishte ajo territoriale apo së fundmi e drejtësisë. Por qeveria Rama nuk është përjashtues i trendit 20-vjeçar Berisha-Nano, ai është veçse vazhdues i kësaj “axhende të përjetshme” reformuese të Shqipërisë. Kjo axhendë është e pashmangshme dhe kushdo që i reziston asaj e vendos ekonominë dhe shoqërinë shqiptare në disavantazh në ekonominë europiane dhe globale. Reforma pro treg çojnë në rritje ekonomike sipas BERZH. Institucionet pro-treg duhet të bëhen të plota që të jenë të suksesshme. T’i nisësh ato e të mos i çosh deri në fund të vendos në axhendën e përjetshme reformuese, por nuk të bën reformator.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Vrasja misterioze e motrës së ‘mbretit të prostitucionit’ në Ballkan, çfarë ndodhi 19 vjet më parë?

I njohur si mbreti i prostitucionit në Ballkan, Dilaver Bojku u vra...
Read More