Babai: Mjekët më vranë djalin, prokuroria dhe gjykata mbyllin hetimet

mjekBabai i një 24-vjeçari që ka humbur jetën në Spitalin Psikiatrik në Tiranë, ka denoncuar në prokurori humbjen e të birit, por akuza e ka pushuar çështjen. Ai i është drejtuar Gjykatës, e cila gjithashtu ka vendosur që të mos hetohet më për këtë rast. Babai akuzon stafin mjekësor, të cilët sipas tij kanë shkelur protokollin e mjekimit.

Babai i një pacienti që ka humbur jetën, ka denoncuar mjekët e Spitalit Psikiatrik në Tiranë për vrasje, por drejtësia ka mbyllur çështjen, duke pushuar hetimet.

Sipas dosjes penale për vdekjen e 24-vjeçarit Bledar Ramaj, prokuroria ka regjistruar hetimin për ngjarjen e ndodhur më 31 gusht të vitit të kaluar.

Mësohet se në këtë datë, policia është njoftuar se në morgun pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore është dërguar një person, i cili kishte humbur jetën. Punonjësit e policisë kanë shkuar në vend dhe kanë identifikuar personin, i cili ishte Bledar Ramaj.

Sipas informacioneve ka rezultuar se ky shtetas kishte gjetur vdekjen në urgjencën e QSUT, ku kishte ardhur në gjendje të rënduar nga spitali nr. 5 (shërbimi psikiatrik).

Nga punonjësit e policisë është këqyrur vendi i ngjarjes, pikërisht dhoma e izolimit, e cila ndodhet në katin e parë të këtij spitali, ku ka qenë i izoluar Bledari, pasi vuante nga çrregullime mendore.

Nga këqyrja nuk ka rezultuar të kishte njolla gjaku në vendngjarje.

Dhoma ishte në gjendje të rregullt me një shtrat dhe një jastëk. Është pyetur infermieri, i cili ka shpjeguar se pacienti i kishte ikur nga duart dhe në prani të disa personave me shpejtësi ishte përplasur te dera kryesore dhe kishte rënë pa ndjenja.

Në këtë moment kanë njoftuar ambulancën dhe pacientin e kishin dërguar te urgjenca e QSUT, ku kishte ndërruar jetë.

Është pyetur mjekja e shërbimit psikiatrik, e cila ka shpjeguar se pacienti kishte ardhur në gjendje shumë të rënduar një ditë më parë në spital dhe ka pasur qepje në vende të ndryshme të trupit, si dhe ne vesh. Atij i është hapur kartela përkatëse, e cila i është vënë në dispozicion mjekësisë ligjore.

Nga këqyrja e jashtme nuk janë konstatuar dëmtime në kokë, por në pjesën anësore të gjoksit dhe pjesë të ndryshme të trupit janë konstatuar të gërvishtura dhe të qepura.

Është marrë vendim për kryerjen e aktit të ekspertimit mjeko-ligjor, i cili do të përcaktonte shkakun e vdekjes.

Fillimisht, prokuroria konstatoi se kemi të bëjmë me vdekje natyrale, për shkak se viktima është përplasur, është rrëzuar dhe si pasojë ka ardhur kardiomiopathia hypertrofike koncentrike me mekanizmin e ishemisë akute të miokardit.

Më pas është vendosur mosfillimi i procedimit penal. Duke mos qenë dakord me këtë vendim, babai i të ndjerit Bledar Ramaj, brenda afatit ligjor 5-ditor, i është drejtuar gjykatës duke e kundërshtuar atë.

Si në kërkesë, ashtu dhe gjatë gjykimit, kërkuesi dhe mbrojtësja e tij pretenduan se vendimi i mosfillimit i prokurorisë nuk është i drejtë e për pasojë duhet të prishet dhe hetimet të vazhdojnë.

Babai i viktimës ka pretenduar se nuk është përcaktuar qartë shkaku i vdekjes së të ndjerit Bledar Ramaj. Sipas familjareve të tij, ai nuk ka vuajtur nga zemra dhe është e çuditshme që një djalë i ri 24-vjeçar të vdesë nga zemra, pa qenë i sëmurë më parë.

Vdekja e Bledarit është e dyshimtë, pasi infermieret në orën 17:00 i kanë injektuar një ampulë promethazine.

Ky fakt është pasqyruar në kartelë. Vetëm pas dy orë e gjysmë, konkretisht në orën 19:30-19:45 i kanë bërë serum me antibiotik dhe promethazine muskulare, terapi kjo, që nga mjekja është përcaktuar të bëhej në mbrëmje.

Kjo dozë e dyfishtë promethazine muskulare mund të ketë çuar në mospërballimin nga zemra e të ndjerit të kësaj doze ilaçi, në një interval kohe prej dy orë e gjysmë.

Megjithatë, gjykata nuk ka pranuar ankesën e të atit të viktimës, duke pretenduar se prokuroria ka vepruar me të drejtë, duke u bazuar tek akti i ekspertimit.

Në fund, gjyqtari Petrit Çomo vendosi të rrëzojë kërkesën e familjarëve të të ndjerit, duke legjitimuar veprimet e mjekëve, pavarësisht dyshimeve të mëdha.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Perëndimi e vendos propagandën ruse në krah të ISIS

Rusia është angazhuar të sulmojë Perëndimin përmes medias, propagandës dhe financimit të...
Read More