Babeli i administratës/ Shteti i 1001 vulave dhe drejtorëve të Ramës

Të dielën kryeministri shpall ‘qeverinë e vogël’, ndërsa të hënën gjen në tryezë ‘shtetin e madh’ të trashëguar nga koha e mbretit Zog, e diktatorit Enver Hoxha dhe të ‘mballomave të shtetit’ të tranzicionit.

Më shumë se 1000 drejtorë dhe vula që ai duhet të menaxhojë dhe reformojë për të bërë ‘revolucionin’ në administratën shqiptare. Studimi i tre profesorëve të UET, kategorizon për herë të parë, në 9 grupe të gjitha institucionet e ndërmarrjet publike që ‘harxhojnë me thes’ paratë e taksapaguesve.

Grupimi në 10 ministri dhe 100 agjenci i institucioneve për ta bërë funksional shtetin shqiptar

Nga Luljeta Progni

Kryeministri Rama ka paralajmëruar se këtë të diel do të shpallë qeverinë e re. Pritet të jetë një strukturë e re qeverisëse referuar premtimeve të tij për reformimin e administratës publike. Është premtimi më i rëndësishëm i kryeministrit gjatë fushatës së zgjedhjeve të 25 qershorit. E nisi menjëherë pas fitores së 74 mandateve, në fushatën “për qeverisje me qytetarët”. Pak ditë më parë, Rama artikuloi më qartë edhe idenë e ndryshimit të strukturës së qeverisë.

“Si do risistemohet administrata? Që nga mënyra si është strukturuar qeveria, që duhet të ndryshojë; te mënyra se si është ristrukturuar puna e deputetëve, që duhet po ashtu të ndryshojë; dhe patjetër te mënyra si është ristrukturuar çdo mekanizëm e çdo zyrë që duhet të ndryshojë”, -tha Rama pak javë më parë.

Kryeministri ka premtuar se me këtë reformë do ta pastrojë administratën publike nga korrupsioni, të paaftët dhe militantët që kanë zaptuar shtetin për 26 vjet. E ka nisur shpejt valën e shkarkimeve duke detyruar të japin dorëheqje zyrtarë të lartë në disa sektorë të rëndësishëm të administratës publike, siç janë hipotekat, tatimet, shëndetësia e së fundmi, edhe ambasadorët. Por problematika e administratës është shumë më e madhe se kaq dhe e shtrirë shumë më gjerë se kaq, në të gjithë sistemin. Është një problematikë e krijuar për më shumë se një shekull.

Ndërkohë, para një muaji tre profesorë të Universitetit Europian të Tiranës hartuan dhe publikuan një studim për reformimin e administratës publike. Prof. asoc. Arbi Agalliu në Departamentin e Financës, prof. asoc. Hemion Braho, Departamenti Juridik dhe prof. asoc. Roland Lami, Departamenti i Shkencave Sociale propozuan përmes një Policy Paper “sistemimin” e Kullës së Babelit të administratës aktuale shqiptare, me 19 ministri dhe më shumë se 500 institucione. Studimi në thelb paraqet një strukturë të re qeverisëse me 10 ministri dhe 100 institucione.

Në pjesën e dytë të studimit të profesorëve të UET shtjellohen fazat në të cilat ka kaluar administrata shqiptare dhe konkluzioni se kriteri për të shkurtuar ato është tipizimi i tyre.

Studimi

Janë katër momente të historisë së shtetit shqiptar nëpër të cilat kalon ndërtimi i administratës shtetërore. Ai nis me kohën e pavarësisë së Shqipërisë për të kaluar te një ristrukturim në periudhën e Ahmet Zogut, më pas në komunizëm dhe së fundmi, në tranzicion ose në sistemin demokratik që jemi sot. Befas ingranazhi shumë i ngarkuar i administratës shqiptare është bërë tashmë një pengesë absolute për eficiencën. Shumë zyra, shumë shërbime, shumë procedura, mbivendosje kompetencash, institucione të panevojshme, institucione apo ndërmarrje që hanë paratë publike pa asnjë efektivitet.

Grupi i studiuesve të UET, mori në shqyrtim dhe analizoi duke kategorizuar institucionet sipas 9 kategorive duke u përpjekur të identifikojë funksionet bazë të tyre.

Grupi i parë i institucioneve janë ministritë të cilat janë shtuar, janë ndryshuar, janë hapur e mbyllur, bashkuar dhe në gjendjen aktuale kanë mbërritur në 19 ministri, funksionet e të cilave ende nuk janë të definuara siç duhet. Janë që nga institucione me natyrë politikëbërëse deri në institucione që ofrojnë shërbime direkte për qytetarët. Edhe sot e kësaj dite Ministria e Arsimit bën njohjen e diplomave në ministri për mijëra studentë e nxënës që kanë studiuar jashtë vendit. Pra, ka një kontakt pasiv me qytetarët çka është e pazakontë me natyrën e këtij institucioni.

Grupi i dytë i institucioneve janë agjencitë ligjzbatuese të cilat ofrojnë një produkt ose shërbim të detajuar kryesisht me karakter të specializuar por edhe në emër të autoritetit shtetëror, japin ose kontrollojnë licenca e të tjera të kësaj natyre. Në këtë grup ka institucione të një larmishmërie shumë të madhe dhe ato vijnë nga ligje, epoka, studime apo momente politike nga më të ndryshmet, formatimi i tyre është shumë i vështirë. Këtu mendohet se duhet kryer ndërhyrja kryesore e reformës së re në administratën publike.

Grupi i tretë i këtyre institucioneve janë entet rregullatore apo institucionet monitoruese rregullatore ose të certifikimit të cilësisë. Kanë burime nga më të ndryshmet, janë sektoriale apo transversalë deri te krijimi i Inspektoratit Qendror. Por gjithsesi ato të paktën dallohen nga karakteri i tyre certifikues, rregullues apo monitorues, ku herë kanë të drejtën e dhënies së licencës e herë atë të kontrollit të dhënies së licencës. Ndërkohë që funksionet duhet të ishin të ndara. Ato duhet të kontrollonin licenca, leje ose tregje të krijuara diku tjetër.

Grupi i katërt i institucioneve janë institucionet e pavarura. Është një term shumë i zgjeruar dhe shumë i përdorur në Shqipëri për shkak të faktit se nga nevoja për të kufizuar pushtetin e qeverisë, janë krijuar institucione të pavarura, të cilat janë në varësi të parlamentit dhe qeveria ka një lloj ndikimi mbi to. Por ato kanë humbur funksionin sepse ato përgjigjen para askujt dhe shpesh zgjidhen nga një mazhorancë dhe përkojnë në mandate nga një mazhorancë tjetër dhe nga përvoja dihet se ato kanë dalë krejtësisht jashtë funksionit. Aq më tepër që shumë prej tyre janë dubluar nga qeveria. Rasti konkret është ai i Autoritetit të Konkurrencës, që supozohet të jetë institucion i pavarur që zgjidhet nga parlamenti në të njëjtën kohë që ekziston dhe drejtoria e mbikëqyrjes së tregut në Ministrinë e Ekonomisë. Këto dy institucione kryejnë të njëjtin funksion, janë të natyrave të ndryshme dhe nisur nga ky shembull, është absolutisht e nevojshme që përveç institucioneve që janë shprehimisht në Kushtetutë si të pavarura, të tjerat janë krejtësisht të pakuptimta në kushtet e sotshme dhe ato duhet të kthehen nën autoritetin dhe përgjegjshmërinë e qeverisë. Pavarësia e tyre mund të ishte kryesisht nëpërmjet ndërtimit të bordeve apo mekanizmave të tjerë të ngjashëm. Më shumë se sa pavarësia e tyre, emergjente për fazën e tyre të zhvillimit është koncepti i përgjegjshmërisë dhe eficiencës së tyre.

Grupi i pestë i institucioneve është sistemi i drejtësisë. Është një sferë më e pavarur dhe më e komplikuar e faktuar edhe nga Reforma në Drejtësi. Por këto institucione janë me të vërtetë ato që do të duhet të quhen institucione të pavarura sepse në fund të fundit çdo kontradiktë mes institucione përfundon me zgjidhjen e saj përmes një vendimi gjyqësor. Institucionet e sistemit të drejtësisë sapo janë reformuar për shkak të Reformës në Drejtësi por sidoqoftë, nga pikëpamja e organizimit mund të shikohej për këto institucione qëndrimi në 12 gjykata dhe prokurori të mëdha në 12 qarqet e vendit. Ato do të ofronin numër të bollshëm gjykatësish, administratë dhe godinash dinjitoze për të dhënë drejtësi. Shpenzimet administrative do të mund të kurseheshin për të shkuar në funksion të rritjes së kapaciteteve të sistemit të drejtësisë. Reduktimi në 12 qarqe e bën padyshim të panevojshme ekzistencën e prokurorisë së Matit apo gjykatës së Përmetit apo ndonjë të ngjashme me to.

Grupi i gjashtë, institucionet kushtetuese janë ato për të cilat ka vendosur sovrani. Janë institucionet e rëndësishme, si: presidenca, kryeministria, KLSH, Avokati i Popullit, KQZ e të tjera, kanë krijuar një traditë dhe funksion për shkak të mbështetjes së gjerë në Kushtetutë. Ndërsa shumë prej institucioneve të tjera të pavarura, të krijuar këto vite, gati me statusin e institucioneve parësore, janë thuajse pa kuptim dhe është e nevojshme që ato duhet të vendosen nën kontrollin e qeverisë.

Grupi i shtatë, Pushteti Lokal që iu nënshtrua një reforme në vitin 2014, ka mbetur i paplotë. Me të vërtetë u reduktuan mbi 300 njësi vendore dhe u grupuan në 61 bashki por ka mbetur e paplotësuar dhe disa procese janë në një fazë të ndërmjetme. Janë reduktuar bashkitë dhe komunat por kanë mbetur prefekturat dhe qarqet, struktura pa kuptim. Në studimin e profesorëve të UET, sugjerohet që të krijohen katër rajone të mëdha të cilat mund të kenë një bashkim të funksioneve të prefekturave dhe të këshillave të qarqeve. Do të mund të mblidheshin kompetencat e prefekturës dhe këshillit të qarkut për t’u ngritur në një nivel shumë të lartë, si p.sh. presidenti i rajonit dhe kështu pjesa e administrimit do të ishte shumë më efikase në përputhje me formatin europian.

Grupi i tetë janë institucionet kërkimore shkencore. Në Shqipëri ka ekzistuar sistemi i akademisë së shkencave, i cili u reformua në një fazë të caktuar por shumë institucione kërkimore janë ende sipas mënyrës së funksionimit të shtetit të vjetër komunist. Ato kanë gjetur strehë nëpër disa ministri. Kanë mbetur si xhepa fallco, sepse institucioni i tyre i varësisë ka karakter krejtësisht të kundërt me to. Ajo çfarë profesorët e UET propozojnë është domosdoshmëria për t’i grumbulluar nën shembullin pozitiv të institucionit të kërkimeve Albanologjike. Propozohet të grumbullohen në një pol zhvillimi, në një pol brenda një strukture më të madhe kërkimore shkencore që funksionon me dy këmbë, nga njëra anë studimet albanologjike dhe nga ana tjetër qendra e studimeve të zhvillimit ku bëjnë pjesë të gjitha institutet, si ai i Shëndetit Publik, i sizmologjisë, i zhvillimit të bujqësisë, hidrokarbureve. Këto institucione kanë karakter të dyfishtë, mund të ofrojnë shërbime, kundrejt paketës por edhe mund të bënin punë kërkimore të cilat mund të sillnin një rritje të eficiencës së përdorimit të parave publike por edhe rritje të ekspozimit të tyre ndaj nevojave të vendit, shoqërisë, biznesit apo partnereve të huaj. Është me shumë rëndësi për rritjen e eficiencës së tyre orientimi drejt një modeli sipas të cilit, planet e tyre të kërkimit të shkojnë drejt modelit të granddhënies. Nuk ka asnjë arsye pse këto institucione të harxhojnë më shumë se 25% të parave publike ndërkohë që pjesa tjetër që iu nevojitet të garantohet përmes grandeve të lira për kërkuesit shkencorë në vend ose të huaj.

Ju nuk e dini por Shqipëria ka ende 38 ndërmarrje shtetërore. Është grupimi i nëntë i institucioneve. Janë të tipit, Posta shqiptare, Ndërmarrja e Kripës, ndërmarrja e librit shkollor e të tjera si këto. Janë ndërmarrje që kanë mbetur si fosile të komunizmit të cilat nuk dihet kush i financon, si funksionojnë etj. etj. Këto ndërmarrje ose duhet të merren masa të kthehen në eficiente kur ato janë me fitim, ose duhet të privatizohen.

Si përfundim studimi i profesorëve të UET bazuar në ndarjen në nëntë kategori të institucioneve, krijon premisën bazë për të kuptuar grupimin e tyre në funksion të ndërtimit të strukturës së re qeverisëse. Në të vërehet se është shumë e rëndësishme që disa sektorë siç është rasti i shëndetësisë, arsimit të lartë dhe medias publike, të cilat duken tre ishujt absolut të komunizmit shqiptar, të ndryshohen plotësisht ose drejt korporatave publike ose drejt institucioneve jofitimprurëse siç është rasti i universiteteve, korporatave publike siç mund të ishte rasti për televizionin publik apo për spitalet publike, të cilat do të kishin një mekanizëm ekonomik shumë më të qartë të mbështetur mbi konkurrencën apo mbi eficiencën e tyre. Studimi thekson se më e rëndësishme se të gjitha, është ndarja e dy funksioneve bazë që ka shteti. Duke qenë përgjegjës për ofrimin e shërbimeve për të gjithë qytetarët, shteti e realizon këtë përmes dy mekanizmave; krijimit, rregullimit dhe mbikëqyrjes së tregjeve si një logjikë krejtësisht më vete për të prodhuar eficiencë si dhe politikat sociale më vete si një instrument i aksesit që duhet të kenë shtresat në nevojë në këto shërbime që ofron shteti.

Studimi i UET vëren se, më shumë se sa?! duhet të jenë institucionet e reja, më e rëndësishme është se si?! do të jenë ato ose të çfarë karakteri do të kenë ato. Nga institucionet e pavarura, te ndërmarrjet shtetërore, publike, nga shërbimi publik te pushteti lokal, nga pushteti lokal tek institucionet kërkimore shkencore, ka një ngatërresë të madhe midis administratës publike, sektorit publik, prodhimeve publike, të cilat mbahen me të ardhurat që vijnë nga taksapaguesit shqiptarë. Tipizimi i tyre drejt funksionit të tyre bazë, është një nga detyrat themelore për reformën e shtetit shqiptar.

Nga epoka në epokë, nga emergjenca në emergjencë, nga ngjarja në ngjarje, askush nuk ka vënë re se si është krijuar ky “Babel”, i pakuptueshëm, i padeshifrueshëm. Ekzistojnë tashmë modelet e avancuara të ndërtimit të sektorit publik dhe administratës publike. Administrimi publik është një fushë mjaft e specializuar dhe nevoja e akademikëve është më shumë se domosdoshme edhe pse kryeministrat apo ministrat shpesh vijnë nga bota akademike, kryesisht nga universitetet shtetërore.

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

Dea Open Air, kinemaja dhe imazhi i Europës në brigjet e Jonit

Prej datës 27 gusht deri në 2 shtator në Sarandë shtrohet tapeti...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.