Balancimi i popullsisë nëpër territorin kombëtar është domosdoshmëri! 

Nga Gentian Kaprata

– Memo Sovranit 

Tri tumoret që kanë shtrirë metastazat në trupin social dhe territorial të Atdheut: imigracioni nga territoret periferike dhe kufitare drejt Durasanës; emigracioni masiv drejt vendeve të zhvilluara perëndimore; dhe ulja e rritjes natyrore të popullsisë, po e shkatërrojnë Shqipërinë e sotme. Çdo simptomë që konstatohet në mënyrën tonë të jetesës, dhe që mendjet e pastërvitura ia faturojnë sistemit kapitalist, ka komponent shkaktues të paktën një nga këto tri tumore. Të tria kërkojnë ndërhyrje radikale dhe të menjëhershme, por ne do fokusohemi te balancimi i shpërndarjes së popullsisë nëpër territorin kombëtar, sepse ky është kurimi ku rezultatet mund të jenë më të shpejta dhe politika ka kompetenca dominuese. Sepse politikat publike jo vetëm mund të stimulojnë një qasje patriotike të shoqërisë për të mos u larguar më nga trojet e të parëve apo për të rikonstruktuar modelin e saj politik dhe ekonomik, por edhe për synime të tjera kombëtare.

Në këtë shkrim modest të opinionit do fokusohemi vetëm te disa prej tyre, duke e nisur me problematikën akute të dëmeve nga përmbytjet. Tashmë ato janë të konsiderueshme dhe dimensioni periodik i tyre na shtron përgjegjësinë shoqërore për t’i dhënë një zgjidhje reformatore dhe të guximshme. Kjo na hap dyert për ta trajtuar çështjen e dëmshpërblimeve për përmbytjet si një komponent të agregatit të çështjeve territoriale. Nga njëra anë përmbytjet shkaktojnë dëme në banesa dhe mjete prodhimi (dëmshpërblimi apo zëvendësimi i të cilave ka kosto, pavarësisht kush i përballon), dhe nga ana tjetër, koncentrimi i popullsisë ka krijuar banesa apo mjete prodhimi të papërdoruara, që gjenden në treg me çmim të ulët. Vlerësuar rast pas rasti, atje ku është e mundshme dhe zgjidhje më e mirë, ne nuk duhet të dëmshpërblejmë por të zhvendosim banorët e dëmtuar në zonat e përshtatura për zhvillim por të braktisura për shkak të imigracionit.

Një problem i madh global, me të cilin shoqëria shqiptare gjithashtu duhet të përballet, janë impaktet nga ndryshimet klimatike. Studime serioze europiane (programi ESPON) thonë se rajonet më të prekura nga këto impakte gjenden në Europën Lindore dhe vendet e Mesdheut, veçanërisht në ato vende ku ekonomia është në varësi të thellë nga industria e turizmit veror. Ekzaktësisht, sikurse ne po tentojmë (ëndërrojmë) ta drejtojmë ekonominë tonë, dhe pa marrë asnjë masë balancuese. Të njëjtat studime theksojnë se rajonet veriore dhe malore jo vetëm nuk po impaktohen negativisht, por po përfitojnë nga këto ndryshime klimatike. Ndërkohë, trendi i imigracionit shqiptar është në kah të kundërt, nga zonat malore e veriore drejt zonave bregdetare dhe të ultësirës perëndimore. Për këto arsye, duhet të orientojmë politika publike që synojnë, së pari, frenimin e këtij fenomeni imigrues dhe më tej, ripopullimin e zonave veriore e malore.

Nëse bëjmë një analizë mbi vëzhgime të situatës urbane në vend do të identifikojmë me lehtësi se qytetet shqiptare, në këta 27 vjet, janë zhvilluar të diferencuara në dy tipologji diametrikisht të kundërta: në qytete me shtrirje të gjerë (të tejshtrira), të mbipopulluara dhe me densitete të larta banimi (banor për njësi të sipërfaqes); dhe në qendra të vogla banimi, të nënpopulluara dhe me densitete të ulëta banimi. Dhe kjo është një mënyrë shumë e keqe zhvillimi, jo vetëm se impaktet nga ndryshimet klimatike janë të larta, por çka është më e rëndësishme edhe se kostot për administrim dhe menaxhim publik janë të papërballueshme. Qyteteve të mëdha iu mungojnë hapësirat e hapura apo korridoret rrugore për të zhvilluar infrastrukturën inxhinierike apo sociale, edhe në rastin kur paratë publike nuk mungojnë. Kurse qendrave të vogla urbane iu mungojnë paratë (sepse mungojnë taksapaguesit) për këto investime, megjithëse nuk iu mungojnë territoret.

Shoqëria shqiptare duhet të kuptojë sa më shpejt se ky shteg që kemi marrë na drejton e mban  asgjëkund tjetër veçse në një Atdhe territorialisht të përdhosur, të braktisur dhe të disbalancuar në popullim; në një sistem politik të centralizuar dhe të dominuar vetëm nga tre-katër njerëz; në një model ekonomik oligarkik të mbështetur vetëm në konsum; në një model urban të mbështetur vetëm në dy tipologji qendrash të banuara të cilat prodhojnë varfëri urbane, keqjetuarje dhe shëndet publik të rrezikuar. Është dhe mbetet detyrë patriotike e elitës politike të marrë një qëndrim të qartë politik për një rishpërndarje të balancuar të popullsisë nëpër territorin kombëtar. Është dhe mbetet detyrë deontologjike e elitës teknike dhe intelektuale që këtë qëndrim politik ta përkthejnë në teza teknike. Dhe është e mbetet obligim i administratës publike që këto teza teknike që zbërthejnë këtë qëndrim politik, t’i përkthejnë masa, programe dhe projekte konkrete.  

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

‘Shullazi’: Prokurorët marrin zemër nga amerikanët

Ambasada e SHBA në Tiranë reagon për dosjen “Shullazi” duke dalë në...
Read More