Balla gati në gjunjë para Merkel, Zheji: ‘Dielli’ nuk i mbuloi ‘hallatet’ e palara

Ditën e djeshme kryeministri Rama, shoqëruar nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla dhe ministri Ditmir Bushati kanë pasur disa takime në Gjermani. Mes tyre dhe më i rëndësishmi ai me kancelaren Angela Merkel.

Më entuziasti nga të gjithë nga takimi, duket të jetë Taulant Balla, i cili e ka quajtur foton me Merkelin, foton e javës.

Duket se kjo përulësi e Ballës, tejkalon dhe atë të kryeministrit Rama që e krahasonte veten me një pelegrin që do të vizitonte Papën, duke iu referuar Angela Merkelit.

“PHOTO OF THE WEEK: Një pritje e shkëlqyer nga Kancelarja Angela Merkel gjatë vizitës që po zhvillojmë me Kryeministrin Rama në Berlin. Gjermania është një mbështetës i rëndësishëm i aspiratës sonë për integrim në familjen europiane”, shkruan Balla.

Po pavarësisht fjalëve të mira nga zërat qeveritarë, Gjermania duket ende shumë skeptike për çeljen e negociatave për Shqipërinë.

“Rama, pas kësaj eksperience të gjatë në politikë, por ende “aguridh”, në shpresën që, përmes ca frazave të latuara me kujdes, apo përmes ca metaforave “servilizmi të hollë dhe elegant”, do të mund të eklipsonte raportet e detajuara të burokratëve të zellshëm gjermanë, të hekurosura me kujdes, që lidhen padyshim dhe pasqyrojnë saktësisht, çorbën shqiptare.

Të drogave të lehta dhe atyre të forta.

Të sistemit qeverisës, të ndotur dukshëm dhe ndjeshëm, me mëkate tipike korruptive ballkanase dhe shqiptare. Me trafikantët e kokainës dhe tenderaxhinjtë e paradhomës kryeministrore, në aktivitet të plotë, të pandëshkueshëm dhe të paprekshëm, as edhe nga sistemi i “reformuar” më ngërçe i Drejtësisë Shqiptare.

Fraza e bukur, dhe e stiluar se: “Dielli i Shqipërisë dhe e shqiptarëve agon nga Perëndimi”, nuk mjafton dot më, si një gjethe fiku, për të mbuluar “hallatet” e palara, me të cilat përdhunohet ekonomia shqiptare dhe resurset kombëtare, të mbledhura grusht në fare pak duar sipërmarrësish, me trend të dukshëm oligarkik,” shkruan analisti Artur Zheji te portali 360grade.al

“Prandaj edhe Frau Merkel, në dijeni edhe të “bombave me sahat” të skandaleve shqiptare, që edhe mund të plasin nga ora në orë, apo nga dita në ditë, nuk mund të rrezikonte që të ekspozonte më shumë dashamirësi dhe më shumë besim publik, për shqiptarin e supertkurrur, nga “respekti” i thellë.

Në të vërtetë në një ankth real, sepse suksesi i “formës” dhe i “paraqitjes”, i ka shterrur tashmë mundësitë e veta.

Gënjeshtrave u ka dalë boja dhe çdo makiazh nuk mjafton për të mbuluar vragat e dështimeve ekonomike, sociale dhe që lidhen me shtetin ligjor.

Merkel u rrëfye sidoqoftë një mike e mirë e shqiptarëve duke u mirësjellë dhe duke fituar kohë.

Apo duke pritur që kërkesat e saja, të përmbledhura në takimin kokë më kokë, të mund të kurorëzohen deri në Qershor…

Por a është kjo e mundur?”

Shkruar Nga
More from Redaksia

Konfirmohen dyshimet, çfarë u gjet në laboratorin e vëllezërve Çilotaj në Fier

Në laboratorin e Çilotajve u gjetën mbetje të bimëve narkotike që ishin...
Read More