Bardhok Pulaj: Kemi rikthyer profesionalizmin në arsimin e Lezhës

Flet drejtori i Drejtorisë Arsimore, Lezhë Bardhok Pulaj: Reformat kanë bërë që të mos kemi mësues pa arsim përkatës dhe asnjë mësues që jep mësim jashtë profilit të tij

Intervistoi: Linda Noka

Nuk ka shumë kohë që ka nisur viti i ri shkollor dhe sigurisht që të gjithë nxënësit, prindërit dhe mësuesit janë fokusuar tek mbarëvajtja e këtij procesi. Por, Bardhok Pulaj, drejtori i Drejtorisë së Arsimit Lezhë duket se është ai që mban dhe menaxhon përgjegjësitë më të mëdha të të gjithë institucioneve arsimore për këtë qark. Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, Z. Pulaj na tregon me detaje jo vetëm reformat për të cilat mund të thuhet që kanë përfunduar me sukses, por edhe për ambiciet e radhës, që në bashkëpunim me drejtoritë e shkollave të qarkut do të arrijnë.

Prej disa vitesh jeni drejtor i Drejtorisë Arsimore Rajonale, Lezhë. Cilat janë disa nga reformat, për të cilat mund të thoni se kanë përfunduar me sukses deri më tani?

Po bëhen rreth katër vite qe jam në këtë detyrë kaq të bukur dhe të vështirë njëkohësisht. E bukur, sepse ke të bësh me nxënësit që janë pjesa më e brishtë, më e mrekullueshme e kombit dhe me mësuesit që janë “heronjtë” tanë, të cilët me pasionin, vullnetin dhe profesionalizmin e tyre mbajnë në këmbë me dinjitet ngrehinën e kombit tonë. E vështirë, sepse arsimi sot nuk matet thjesht me standardet shqiptare, por me standardet e shoqërisë europiane ku duam të integrohemi dhe integrimi i arsimit është rruga e vetme dhe e sigurtë e integrimit të shoqërisë shqiptare.

Reformë, është një term abstrakt në dukje, e përmendur dendur nga të gjithë, por kur vjen fjala tek arsimi është e matshme, e dukshme dhe që jep shpresë për të ardhmen. Së pari, kemi patur mbështetjen e pakursyer të kryeministrit Rama dhe ministres Nikolla për lirinë e mësueseve dhe largimin e politikës nga shkolla, duke i dhënë mbështetje vetëm profesionalizmit dhe kjo ndikoi dukshëm në menaxhimin e burimeve njerëzore. Portali “Mësues për Shqipërinë”, i cili do përsoset më tej ishte fillimi i një ere të re në emërimet dhe lëvizjet e mësuesëve, duke larguar përfundimisht korrupsionin, miqësitë, ndërhyrjet, politikën nga shkolla. Sot mësuesi nuk ka nevojë të jetë peng i drejtorit, apo ryshfetit, i falet vetëm diplomës dhe pikëve të fituara prej tij. Kjo solli, që sot të mos kemi mësues pa arsim përkatës dhe asnjë mësues që jep mësim jashtë profilit të tij. Kjo nuk ishte e lehtë për të thyer mentalitetin korruptiv dhe mosbesimin e ngulitur prej vitesh.

Së dyti, ulja e normës së mësuesit, rritjes së orës kujdestari, largimi i dhunës nga shkolla kanë krijuar një klimë më edukative dhe mirëkuptimi midis mësuesve dhe nxënësve, por dhe prindërve. Prindërit janë shumë më të interesuar për shkollën dhe kanë shtuar presionin pozitiv me mendimet dhe përvojat e tyre, duke e bërë shkollën më të hapur për alternativa të suksesshme edukimi dhe mësimi. S

ë treti, Shkollat e Lezhës, si rezultat i reformave të ndërmarra, u renditën në vendin e katërt në shkallë vendi përsa i përket perceptimit të prindërve, mësuesëve dhe nxënësve për cilësinë e procesit mësimor dhe edukativ. Një opinion që nxit për më tej. Së katërti, Lezha ka një infrastukuturë arsimore të përshtatshme për zhvillimin normal të veprimtarive mësimore dhe edukuese, një kusht i rëndësishëm për cilësi. Gjatë katër viteve janë rikonstruktuar rreth 10 shkolla. Pas Gjadrit që përfundoi këto ditë, pritet të fillojë rikonstruksioni i shkollës Zejmen dhe së fundi, jo për nga rëndësia, por që është themeli i reformës, ka të bëjë me programet mësimore dhe tekstet. Kemi një panoramë të qartë të të mësuarit me kompetenca që po zbatohet me sukses në të gjitha shkollat, duke i paraprirë dhe me kualifikimin e mësuesve për të ndjekur këtë proces.

Në fillim të sezonit kishte ankesa për rritjen e çmimit të teksteve shkollore. Cila mendoni ju është zgjidhja përfundimtare e këtij problemi?

Problemi i teksteve ka qenë një nga shqetësimet e mësuesve, nxënësve dhe prindërve nëpër vite. Për çmimet, cilësinë, përmbajtjen, etj., pasi libri u pa thjeshtë si mall tregu nga të gjithë aktorët që merreshin me këtë çështje. Vitet e fundit u bënë përpjekje serioze nga Ministria, duke shkurtuar dukshëm alternativat deri në tre tekste për lëndë, duke hequr nga qarkullimi rreth 600 tekste ta pavlefshme,por dhe duke i marrë nga shtëpitë botuese nga më autoritaret në botë, kjo për të vendosur standarde dhe në këtë fushë kaq prioritare. Në këtë kuptim dijet që jepen janë të njëjtat me fëmijët e vendeve më të përparuara të botës. Përsa i përket çmimit, duhet të dimë se të gjithë nxënësit që kanë probleme ekonomike, apo fëmijë të familjeve që kanë shumë fëmijë, të ivalidëve, ushtarakëve të rënë në krye të detyrës, etj., i marrin librat falas. Kështu rreth 25 përqind e nxënësve të Lezhës nga klasa e parë deri në shkollë të mesme i marrin librat falas. Po nxitoj të pranoj se vitin tjetër, për nxënësit e klasave të para, deri në të pestën do të jepen librat falas. Besoj në këtë, pasi politikat sociale që po ndjek qeveria Rama, do të përfshijnë dhe sistemin arsimor, duke lehtësuar barrën ekonomike të familjeve për shkollimin e fëmijëve. Besoj të jetë hapi i duhur për ta shtrirë këtë vit pas viti dhe në ciklet e tjera të shkollimit.

Kryeministri Rama ka shprehur pakënaqësi lidhur me rezultatet e testimit të mësuesve, nga ku ka paralajmëruar shkarkime për rezultatet e dobëta. Si është kjo situatë në shkollat e Lezhës?

Cilësia e mësuesve dhe drejtuesve të shkollave është thelbi i sistemit arsimor. E në kuptim kryeministri Rama, i cili e ndjek arsimin si një prioritet kombëtar përcjell një shqetësim të konstatuar gjatë testimeve të mësuesve. Nga përditësimi i informacionit, duhet të përditësohen dhe mësimdhënësit. Disa prej tyre nuk e kapin ritmin që kërkohet, e kësisoj drejtuesit duhet të lënë vendin e ndërkohë mësuesit duhet të kualifikohen. Po bëhen hapa të sigurtë në këtë drejtim, pasi të ashtuquajturat “agjenci të kualifikimit të mësuesve” ishin kthyer në matrapazë që jepnin kreditë me pagesë pa iu nënshtruar një kualifikimi të nevojshëm. Ne kemi nxjerrë nga ky testim nevojat konkrete të çdo mësuesi dhe fushat, ku duhet përqendruar trajnimi i vazhdueshëm për të qëmtuar risitë e domosdoshme për t’ju përshtatur standardeve që kërkohen. Nuk bëhet fjalë për të hequr mësues nga puna, por për t’u dhënë mundësinë atyre të kualifikohen realisht, qoftë përmes Institutit të Zhvillimit të Arsimit, apo dhe Universiteteve që realizojnë programe edukimi. Në Lezhë kemi një bërthamë mësuesish ekselentë gati në çdo shkollë dhe përvojën e dijet e tyre do t’i përdorim për modele, siç kemi dhe mësues me problem të evidentuar tashmë dhe për secilin do hartojmë programe specifike për kualifikim, duke ndjekur ecurinë e rezultateve në procesin mësimor. Mësuesit po kuptojnë se janë në një monitorim të vazhdueshëm pozitiv, që ka në thelb cilësinë e dijeve dhe edukimit të nxënësve. Secili duhet të ndërgjegjësohet për këtë mision.

Ende në shkolla vijon mësimi me turne. Kur do të marrë fund ky shqetësim?

Lezha kishte pesë shkolla që vijonin mësimin me turne. Gjatë kësaj kohe u ndërhy në katër prej tyre nga drejtuesit e shkollave, por dhe nga bashkia dhe sot bëhet mësim pasdite vetëm në dy klasa në shkollën “Nënë Tereza” në Kodër Marlekaj, zonë e populluar së fundi nga shumë familje.

Fenomeni i dhunës është prezent në familjet shqiptare dhe shkolla. Si paraqitet situata në Lezhë? Ka psikologë për të asistuar dhe parandaluar dhunën dhe efektet e saj tek nxënësit?

Dhuna, parandalimi dhe eliminimi i saj është një proces që shkon paralel me zhvillimin e shoqërisë. Dihet se të gjitha problematikat që zhvillohen jashtë shkollës, vijnë e shfaqen në një formë, apo tjetër tek institucioni arsimor. E kështu mësuesve, drejtuesve u duhet të menaxhojnë shumë probleme sociale, për të cilat duhet të reagojë e gjithë shoqëria dhe të mos i lihen vetëm shkollës. Realisht janë bërë hapa të dukshëm në eleminimin e dhunës në shkolla, kjo për rrjedhojë e presionit të vazhdueshëm ndaj drejtuesve të shkollave, mësuesve, por dhe ndërgjegjësimit të vetë aktorëve të shkollës. Është krijuar një rrjet psikologësh e mësuesish ndihmës që trajtojnë, zgjidhin dhe asistojnë format e shfaqura nëpër shkolla, sëpari përmes parandalimit. Kësisoj konstatojmë se ka më pak dhunë, ka më shumë komunikim, marrëveshje dhe zgjidhje. Mjafton të themi se para tre vjetësh nxënësit me aftësi ndryshe pranoheshin me vështirësi nga drejtuesit, mësuesit, nxënësit dhe prindërit, sot janë në qendër të vëmendjes dhe mbështeten nga të gjithë. Mësuesit ndihmës kanë ndikim thelbësor në këtë drejtim dhe do vijojmë ta kemi si një matës të harmonisë dhe përpjekjes njerëzore për ta pranuar tjetrin siç është. Pothuaj në të gjitha shkollat zhvillohen veprimtari sensibilizuese dhe po japin produkt konkret. Ditët e fundit u zhvillua një veprimtari kundër bullizmit me pjesëmarrjen e nxënësve, mësuesve, drejtuesve dhe prindërve dhe me prezencën e Këshillit të Europës. Mendoj se po përmbushim dhe një mision të rëndësishëm të shkollës që është edukimi.

Mund të na flisni për projektet e qeverisë për Lezhën në fushën e arsimit. Cilat janë ato?

Kur flitet për projekte, menjëherë na shkon mendja tek investimet. Do ketë dhe investime siç është shkolla Zejmen, apo rikonstruksione të tjera të nevojshme. Por në këtë fushë roli i bashkisë është parësor, pasi duhet të bëjë projekte dhe t’i dërgojë në Ministri sipas përparësive që së bashku përcaktojmë. Mbeten të nevojshme rikonstruksioni i shkollës së vjetër “Kolin Gjoka” për ta kthyer në shkollë 9 –vjeçare, i shkollës Ishull Lezhë, Ishull Shëngjin, Shëngjin, por dhe vazhdimi i kopshtit “Besëlidhja” Lezhë dhe mjediseve sportive në shkollën “Gjergj Fishta” dhe “Nënë Tereza” që janë papërfunduar. Ndërkohë në katër qarqe dhe katër shkolla të qarkut Lezhë do fillojë pilotimi i nismës: “Bëjmë detyrat në shkollë”, e cila ka për qëllim që shkolla të kthehet në një mjedis edukues dhe nxënie gjatë gjithë ditës. Është një projekt që do t’u vijë në ndihmë jo vetëm nxënësve, por dhe prindërve, pasi fëmija i tyre do të jetë nën asistencën e mësuesit gjatë gjithë kohës dhe nuk do jetë i detyruar të lërë punën dhe të vijë të marrë fëmijën e ta çojë në shtëpi. Nxënësit do të shmangen nga rruga, do të realizojnë detyrat me ndihmën e mësuesit, por dhe do ushqehet dhe do edukohet e zhvillojë veprimtari në mjediset e shkollës. Mendoj se ia vlen të pilotohet për të nisur një mendësi dhe mundësi ndryshe në sistemin tonë arsimor. Një investim i rëndësishëm për të ardhmen është hapja e klasave të muzikës në shkollën “Besëlidhja”, projekt i cili vijon prej tre vitesh dhe po jep produktet dhe vlerat e para jo vetëm të një edukimi artistik, por po evidentohen instrumentistët e së ardhmes. Shkollat tona janë të përfshira në projekte të ndryshme shkollore, rajonale dhe kombëtare, duke u ballafaquar me sukses me nxënësit dhe shkollat e vendit.

Në media dhe kryesisht nga partitë janë bërë denoncime për përdorimin e kanabisit në shkolla. Sa reale janë shqetësime të tilla?

Shkolla nuk mund të jetë e izoluar nga shoqëria, qoftë për zhvillimet pozitive, por aq më pak e izoluar ndaj së keqes, që në përgjithësi “vrapon zbathur” më shpejt se e mira. Më të shqetësuar për këto fenomene si drogat, alkooli dhe dukuri të tjera, janë së pari mësuesit dhe prindërit para së gjithash, pastaj media, të cilën e vlerësoj për shqetësimet që përcjell, ndërsa partitë politike nuk mund të jenë konstatuese tani kur kishin në dorë të krijonin mundësi dhe kushte më të mira për shkollimin e fëmijëve të Shqipërisë edhe të Lezhës.

Për hir të së vërtetës nuk kemi një statistikë të përdoruesëve të kanabisit, por mund të them se nuk është një fenomen i përhapur dendur. Për këtë qëllim janë zhvilluar një serë veprimtarish sensibilizuese gati në të gjitha shkollat, e sidomos atje ku mendohet se mund të ketë përdorues. Mësuesit dhe drejtuesit e shkollave janë shumë të angazhuar, bashkëpunues dhe me institucione të tjera që t’i mbajnë nxënësit larg veseve të tilla. Mbetet një detyrim i vazhdueshëm për parandalimin dhe kurimin e kësaj “epidemie”, që mund të prekë dhe fëmijët e shkollave të Lezhës.

Së fundmi, mund të them me optimizëm së kemi mësues dhe nxënës të mrekullueshëm dhe sado negativitete të përcillen nuk mund të zbehin përpjekjet dhe vullnetin e misionarëve “heronjve tanë” për të bërë më të mirën për brezin e së ardhmes. Nganjëherë rendja pas lajmit të keq më shumë se duhet, krijon një klimë jo të përshtatshme dhe dhunë psikologjike tek fëmijët. Një mësues, apo nxënës problematik nuk mund të zbehë arritjet e sistemit arsimor, me gjithë problematikën që e shoqëron shkollën tonë sot. Lufta midis së mirës dhe së keqes është universale dhe e përjetshme. Mësuesit dhe shkolla jonë e kanë fituar gjithnjë këtë luftë, duke shkuar guximshëm kah e mira.

Shkruar Nga
More from Revista User

Aksident në Vlorë, makina përplas këmbësorin në mes të qytetit

Një aksident ka ndodhur mëngjesin e sotëm në qytetin e Vlorës. Ngjarja...
Read More