Basha bën ftesë, Kryemadhi e mbështet: Kemi vetëm një qëllim



Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u bëri ftesë shqiptarëve që të protestojnë të shtunën më 27 janar në orën 12:00. Ai tha se qëllimi i protestës është që t’i jepet fund paligjshmërisë në vend. 

“Ftoj të gjithë shqiptarët që të na bashkohen më 27 janar, të shtunën në orën 12:00 në një protestë kundër varfërisë, kundër krimit, kundër padrejtësisë dhe drejtësisë së kapur politikisht, drejtësi për të papunët, drejtësi përt të rinjtë, drejtësi për studentët, drejtësi për ata që duan ta ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri. Gjithçka nis nga kthimi i ligjshmërisë në vend.

Nëse sot kemi një narko-shtet, siç thuhet në raportin e sapopublikuar të CIA-s, ai është ndërtuar mbi paligjshmërinë në vend, që nis me blerjen e votës dhe që ka çuar në një parlament të paligjshëm dhe një kryeministër të paligjshëm. Papunësia ka për shkak kryesor paligjshmërinë,” tha Basha.

Kreu demokrat kërkoi një “qeveri antimafia, me mandatin e organizimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.

“Prandaj ftoj të gjithë shqiptarët, që ka për qëllim largimin e paligjshmërisë. PD dhe gjithë koalicioni opozitar, dhe të gjithë aleatët, kanë nisur dhe do të intensifikojnë një dialog për t’i paraprirë protestës. Të gjithë duhet të marshojmë drejt një Shqipërie europiane, duke treguar se e keqja ka marrë fund,” tha Basha.

Nga ana tjetër, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi tha se janë dakord me datën e protestës.

“Sigurisht që jemi dakord. Kjo ka qenë direktiva për të lëvizur dhe për të zgjuar ndërgjegjën ndërkombëtare kundër kësaj qeverie të narkoshtetit.

Ky është vetëm fillimi i protestave, që do vazhdojnë dhe do jenë të pandalshme,” tha Kryemadhi për News24.

Ajo komentoi edhe deklaratën e aleatit të PD, Dashamir Shehit se “PD nuk duhet të martohet me gruan e divorcuar pardje”.

“Dua ta filloj me atë që thotë zoti Berisha: “Fronti opozitar ka nevojë për çdo grimcë opozitare”. Ne kemi numrat tanë, nuk duam vende në listat e PD.

Problemi i sotëm është që Shqipërisë i rrezikohet demokracia. Sot kemi vetëm një qëllim: të rrëzojmë Edi Ramën.

Këto janë aludime të tjera për tituj gazete që i vendos Endri Fuga apo Erion Veliaj. Opozitën tonë nuk e drejton Edi Rama,” tha Kryemadhi.

Kryemadhi ka bërë një paralajmërim të ngjashëm me atë që Rama bënte kur ishte në opozitë dhe përgatitej për protestën tragjike të 21 janarit 2011.

“Çfarë bën populli është punë e popullit. Populli i zemëruar mund ta tejkalojë opozitën”, shprehej Rama shtatë vite më parë.

Ndërkohë, sot, në studion e ‘News 24’, Kryemadhi tha: “Të largojmë qeverinë e narko-shtetit është një mision kombëtar dhe jo trafik kombëtar.

Protesta e opozitës do të jetë e pandalshme, e po të dojë opozita nuk do e ndalojë dot.”

Shkruar Nga
More from Redaksia

Sherebela, bekimi i malësive shqiptare – Si ta përdorni për mëlçinë

    Sherebela shqiptare eksportohet shumë në disa kontinente, duke e lënë...
Read More