Basha duhet dhe mund të shpallë “qeverinë hije” edhe më të mirë se Rama 2

Nga Ervis Iljazaj

Më fund, pas një suspanse kohore të pakuptimtë, Edi Rama ka shpallur emrat e ministrave që do të formojnë qeverinë e tij në mandatin e dytë. Sapo dolën emrat, impresionet e para mbi të ishin nga më të ndryshmet. Megjithatë, qeveria Rama dy , është një qeveri e cila u krijua në kushtet e një mazhorancë parlamentare jo shumë të gjerë. Për këtë arsye, ajo duhet të ruante ekuilibrat partiakë dhe politikë brenda Partisë Socialiste.

Qeveria Rama 2, përtej debateve të shumta që ka mbi të, ka disa avantazhet dhe disavantazhet e saj. Një nga pikat e forta, është padyshim numri i reduktuar i ministrave dhe, nëse përkthehet në një reduktim të drejtorive dhe agjencive të pafundme, të cilat harxhojnë para publike duke mos patur asnjë vlerë, do të krijonte një administratë efikase në shërbim të qytetarëve dhe biznesit. Megjithatë ideja e qeverisë së vogël duhet të ishte çuar deri në fund. Për shembull nuk ka asnjë kuptim që në një qeveri të përmasave të tilla të ekzistojë si ministri më vete ajo e kulturës.

Gjithashtu, në qeverinë e re janë rikthyer disa emra me peshë politike siç janë ai i Pandeli Majkos apo i Fatmir Xhafës. Edhe ministrat e tjerë, tashmë duke qenë se kanë patur po të njëjtin funksion edhe në katër vitet e kaluara kanë akumuluar eksperiencë të mjaftueshme për të performuar më mirë në mandatin e dytë. Por, kjo mund të jetë një thikë më dy presa, pasi ministrat tetëvjeçarë kanë treguar edhe në qeverinë e djathtë se humbin motivimin.

Ministrat e Financës mund të qëndronte e ndarë nga ajo e ekonomisë. Njëra prodhon të ardhura dhe tjera i mbledh ato. Apo Ministra e Mjedisit dhe Turizmit, fare mirë mund të integroheshin në një ministri tjetër.

Përtej emrave këto janë disa aspekte ku duhet të përqendrohej debati mbi qeverinë e re. Megjithatë kjo qeveri është një evoluim i administrimit të pushtetit ekzekutiv dhe ka sjellë një risi të pamohueshme.

Tashmë që emrat e qeverisë së re u bënë të njohur, është në interesin publik që Partia Demokratike të shpallë “qeverinë e saj hije”, duke ndjekur modelin britanik të cilin duhet ta ketë si referencë për të gjithë aksionin politik të saj, duke qenë se është një parti e spektrit të djathtë. Në këtë mënyrë do të kishte një reagim opozitar konkret si alternative qeverisëse e së nesërmes. Nuk mjaftojnë deklaratat publike nga ana e saj apo denoncimet për emra të caktuar të qeverisë. Partia Demokratike duhet të dalë njëherë e mirë nga spontaniteti i saj politik që e ka karakterizuar gjatë katër viteve të kaluara dhe të futet në një politikë strategjike për t’iu ofruar shqiptarëve një alternativë të besueshme. E vetmja mënyrë për ta bërë këtë është krijimi i një “qeverie hije” si një kundërpeshë e qeverisë Rama.

Nëse krijohet që tani, Basha ka të gjithë mundësinë, por, mbi të gjitha detyrimin t’iu paraqesë qytetarëve një alternativë politike edhe më të mirë se mazhoranca aktuale.

Të gjitha këto aspekte të qeverisë Rama, Partia Demokratike duhet t’i përmirësojë dhe ka të gjitha shanset për t’i bërë gjatë opozitës të saj dhe, kjo është në favor të kulturës demokratike dhe Shqipërisë. Por, këtë operacion të shpalljes së alternativës duhet ta fillojë që tani.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Rikonceptimi i qeverisjeve është një domosdoshmëri!

Nga Gentian Kaprata  Shqipëria ka domosdoshmëri një ‘Republikë të re’, por nuk...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.