Basha ia kërkon Ramës, Rama Berishës

Alfred LelaNga Alfred Lela

Lulzim Basha të martën dhe Ben Blushi të mërkurën, edhe pse në dukje nga skaje të ndryshme, i kanë dhënë një shenjë kryeministrit Rama. Shefi i opozitës është ofruar si zgjidhës i nyjës, më të fundit dhe më të re, vetingut, të ‘lidhur’ në Gjykatën Kushtetuese dhe në pritje të një ‘korrektimi’ në Komisionin e Venecias. Kreu i partisë së re, LIBRA, në përpjekje dhe në të drejtën e vet për t’u faktorizuar, gjithashtu ka folur për një pakt mes palëve, edhe pse, gjasat që të mëdhenjtë ta ftojnë në tryezën e bisedimeve do të jenë të vogla.

Shkrimtari politikan ka propozuar një Pakt për Europën. Duke ritheksuar skepticizmin për ‘partitë e vjetra’ dhe duke i mbajtur ato përgjegjëse për ngecjen, fituesi i Çmimit Europian për Letërsinë ka folur, megjithatë, për atë që e quan ‘koha për t’u marrë vesh’. Për marrëveshje pat folur një ditë më parë edhe Lulzim Basha kur, pas breshërisë së zakonshme të kritikave për qeverinë, ka ofruar një ‘armëpushim politik’ nëpërmjet amendimit të ligjit për vetingun. Duke ‘shmangur’ Gjykatën Kushtetuese dhe, rrjedhimisht, edhe rekomandimin e pritshëm të Komisionit të Venecias, kryetari i PD ka lëshuar një ‘unë jam gati që tani’.

E së njëjtës linjë, por tri ditë përpara eksponentëve politikë, ka qenë edhe gazeta MAPO me editorialin e së shtunës: Sado romantike të tingëllojë kjo, sado europeiste, e butë, e pamundur, Rama e Basha mund ta bëjnë negociatën dhe paktin që i sheh të dy si bashkautorë të çeljes së negociatave. Një dokument i firmosur prej të dyve, ku Kryeministri garanton opozitën për zgjedhjet, dekriminalizimin, e të gjitha kushtet e tjera të Krichbaum (që janë edhe të opozitës) iu hap rrugën, jo vetëm negociatave me BE, por edhe një numri reformash që i vlejnë Shqipërisë, por asnjë forcë nuk mund t’i kryejë e vetme. Një pakt i tillë nuk ka ndodhur kurrë, por pikërisht kjo shterpësi e fatit dhe vullnetit mund ta prodhojë. Përndryshe kemi skenarin e kahershëm: Shqipërinë që ecën anash, si karavidhe, me shpresën se do ta hasë Perëndimin diku aty (shih: http://www.mapo.al/2016/11/a-jane-gjermanet-si-grate-me-jo-kane-ndermend-po/1).

Ky përkim nuk është ndonjë meritë e Bashës, Blushit apo MAPO. Mbi 90 për qind e shqiptarëve bashkohen në këtë pikë. Megjithatë, shefi i opozitës, më shumë dhe kryetari i LIBRA-s më pak, kanë në dorë shumë më shumë se një gazetë (ikur janë kohët napoleonike kur një gazetë frikësonte më shumë se 4 mijë bajoneta). Ai që e ka në dorë realisht, më shumë se opozita, shoqëria civile, gazetat dhe bajonetat, quhet Edi Rama dhe është Kryeministër i Shqipërisë. Sinjali i parë, dhënë përmes Fatmir Xhafës, ‘kuratorit’ socialist të Reformës në Drejtësi nuk është i ngjyrës së shpresës. Sidoqoftë, negociatat nuk hapen kurrë me gatishmëri të mëdha; madje brofjet e shpejta flasin po aq shpejt për dështimin. Kjo nuk do të thotë se koha është me okë. Për të bërë atë Pakt me Europën duhet dalë së pari nga ai bllokim i brendshëm politik e antropologjik që Ismail Kadare e quan ‘Mosmarrëveshje’ dhe e shtjellon në librin me titull homonim.

Shenjën e dytë, jo premtuese, por sfiduese, shefi i qeverisë e ka dhënë dje në Kuvend kur i kërkoi zhbllokimin e vetingut arkarmikut të tij, Sali Berishës. Duke etiketuar ish-kryeministrin dhe trupën gjyqësore si pengues të vetingut, Rama e ka ftuar paraardhësin për zhbllokim. Lufta politike është në paktin e përhershëm të hidh-e-prit. Me të vetmin ndryshim: Basha ia kërkon Ramës, e Rama Berishës.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Roshi: Mesazhi ishte i pahijshëm, por ndjesa ime nuk është për Blushin

Kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi, reagoi pas deklaratës së deputetit socialist, Ben...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.