Basha ka të drejtë, reforma zgjedhore duhet të jetë çështja e parë dhe jo e fundit e legjislaturës

Nga Ervis Iljazaj

Kryetari i Partisë Demokratike ka kërkuar ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar për të filluar punimet mbi reformën zgjedhore. Ky është një lajm i mirë për politikën shqiptare, pasi ligji zgjedhor është ligji më i rëndësishëm për një shtet demokratik.

Në këtë kuptim, Basha ka meritën që një reformë kaq të rëndësishme e ktheu në çështjen e parë të legjislaturës së re, dhe jo siç jemi mësuar, në çështjen e fundit të saj.

Përtej çështjeve teknike që ndikojnë në sigurimin e votës apo në marrjen e masave për të evituar manipulimin e saj, siç është votimi elektronik, ligji zgjedhor ka një impakt të rëndësishëm në të gjithë sistemin politik dhe mënyrën e qeverisjes.

Nëse do të lihet për momentet e fundit të legjislaturës si zakonisht, atëherë do të përdorej si një strategji e mirëfilltë politike në interes të atyre që e kanë si mjet shkëmbimi në marrëveshjet politike.

Ndërkohë që, reforma zgjedhore ka nevojë për një diskutim të gjerë dhe gjithëpërfshirës nga të gjithë aktorët e interesuar. Aprovimi i saj që në fillim të legjislaturës do të bënte të mundur qartësimin e mënyrës së garës politike dhe ndërtimin e rregullave të lojës që ndikojnë në transformimin rrënjësor të sistemit politik shqiptar.

Sistemi zgjedhor është ligji më themelor i një shteti demokratik, jo vetëm për faktin se është instrumenti kryesor i shprehjes së vullnetit të sovranit, por edhe për efektin e drejtpërdrejtë që ka në sistemin politik.

Sistemi zgjedhor aktual për shumë arsye që janë thënë e stërthënë ka dështuar, dhe është e qartë që ka nevojë të ndryshojë.

Për sa i përket propozimit të Partisë Demokratike për një sistem mazhoritar të pastër, mbetet për t’u diskutuar, edhe pse do të ishte një formulë e mirë duke parë kontekstin politik dhe shoqëror të momentit në Shqipëri. Nuk është e vërtetë që një sistemi i tillë na çon drejt dy partive politike, rasti i Britanisë së Madhe e tregon më së miri këtë.

Megjithatë, e rëndësishme është që reforma zgjedhore të aprovohet sa më parë, modelet janë të gjitha të diskutueshme.

Nuk ekziston një sistem zgjedhor perfekt. Sistemi zgjedhor duhet të reflektojë kulturën, historinë dhe momentin politik në një shtet të caktuar.

Modele të ndryshme mundësojnë realizimin e parimeve të ndryshme. Sistemi proporcional mundëson një përfaqësim më të mirë, por jo një qeveri të qëndrueshme. Ndërsa ai mazhoritar, mundëson një qeveri të qëndrueshme , por jo një përfaqësim të drejtë.

Të dyja këto aspekte janë të rëndësishme, pasi demokracia nuk është vetëm përfaqësim, por edhe vendimmarrje.

Andaj, në shumë vende të ndryshme përdoren korrektues për të evituar efektet radikale që ka njëri apo tjetri sistem.

Për këto arsye, debati për modelin që i duhet Shqipërisë në këto momente mbetet i hapur dhe ka nevojë për një reflektim të thellë. E rëndësishme është që këto debate të mundësojnë një reformë zgjedhore që duhet aprovuar që në fillimet e legjislaturës. Politika shqiptare duhet t’i japë fund traditës së shëmtuar, që ligjin zgjedhor e aprovon gjithmonë në fund të çdo legjislature, duke deformuar çdo sjellje politike që duhet t’i paraprijë garës elektorale.

Sistemi politik shqiptar ka nevojë për një reformë thelbësore dhe, ajo zgjedhore duhet të jetë akti i parë i tij dhe jo i fundit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Qeveria e rrugës së tretë, pro biznes e Edi Ramës

Nga Ervis Iljazaj Edi Rama ka zhvilluar një takim me sipërmarrësit më...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.