Basha: Kur regjimet nisin të bien, skërmitin dhëmbët! PD lë sallën

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në fjalën e tij në Kuvend deklaroi se krimi e droga kanë zaptuar vendin dhe kjo duket në sallën e Kuvendit.

“Që krimi e droga kanë zaptuar Shqipërinë, treguesi më i mirë është puna e këtij Kuvendi. Ja ku jemi prapë duke u marrë me një tjetër kriminel. Kuvendi i Shqipërisë, që pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës, është rasti i vetëm në botë që është marrë më shumë me kriminelët se me mirëqenien e njerëzve. Po shpenzojmë më shumë kohë për të larguar kriminelët, sersa të punojmë për investime të huaja dhe hapur vende pune,” tha Basha.

“Është hera e parë që Kuvendi hedh poshtë kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit. Iu është hequr imuniteti të majtëve dhe të djathtëve, në pushtet dhe në opozitë, u është hequr për akuza të rënda dhe të lehta. Arsyeja për këtë qëndrim të pandryshuar të Kuvendit është se kemi respektuar parimin se pushtetet janë të ndara, se i takon drejtësisë të vendosë për këdo. Sot ky Kuvend është kthyer në vulën e narkoshtetit Rama-Tahiri,” vijoi Basha.

Ai përmendi rastin e ish-oficerit Dritan Zagani, duke thënë se ai denoncoi se krimi kishte kapur policinë.

“Dritan Zaganin e morën me makina të zeza, e mbajtën tre ditë dhe e dërguan përpara gjykatës, të akuzuar për shpërdorim detyre. Sot Zagani fatmirësisht ndodhet në Zvicër me azil politik.

Një 22-vjeçar e çuat në vetëvrasje për një cigare hashash, ju mbroni Tahirin që merr 30 mijë euro për një ngarkesë. Ky është shteti mafioz, që dhunon të varfërit, dhe u bëhet mburojë mafiozëve. Trëndafilin e keni zëvendësuar me lulen e hashashit.

Historia tregon se kur regjimet nisin të bien, skërmiten dhëmbët. Kjo e sotmja ishte e tillë. Kjo qeveri ka rënë,” tha Basha.

Më pas fjalën e mori kryeministri Edi Rama, por opozita braktisi sallën.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

A mund të luftojë Edi Rama kundër vetes së tij

Nga Armand Shkullaku Po të ndjekësh videoselfie-t apo statuset e Edi Ramës...
Read More