Basha me NDI: Kanabizimi ishte projekt elektoral i Ramës


Në një takim me përfaqësues të Insititutit Demokrat Amerikan (NDI), kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ndau shqetësimin për “situatën e rëndë politike pas publikimit të fakteve për lidhjet e qeverisë me trafikun ndërkombëtar të drogës, që provuan se kanabizimi i vendit ishte një projekt politik dhe elektoral i Edi Ramës”.

“Ndërlidhja e krimit me politikën rrezikon të kompromentojë rëndë gjithçka ka arritur Shqipëria në këto vite, si edhe të asgjesojë çdo reformë për zhvillimin e vendit”, tha Basha në takimin me delegacionin e NDI, i drejtuar nga Robert Benjamin, Drejtor për Europën Qendrore dhe Lindore.

Kryetari i PD theksoi se zgjidhja për këtë situatë të rëndë politike është krijimi i një qeverie antimafia për të bërë të mundur çmontimin e sistemit mafioz politik të ngritur mbi blerjen e votës.

“Për këtë qëllim, zbatimi i identifikimit biometrik dhe votimit elektronik, si dhe kontrolli i financimit të rreptë të partive, është domosdoshmëri jetike për zgjedhje sipas standardeve demokratike”.

Delegacioni i NDI-së është në Tiranë për t’u ofruar partive politike asistencë për transparencën, menaxhimin dhe mbikqyrjen financiare.

PD është e gatshme ta zbatojë këtë përvojë, por zoti Basha shprehu shqetësimin e përdorimit të parave të pista në fushatë, “siç është faktuar nga përgjimet e antimafias italiane se Saimir Tahiri shpenzoi 20 milionë euro, të ardhura nga trafiku i drogës, për fushatën e PS-së në Tiranë në zgjedhjet e fundit”.

Përfaqësuesit e Institutit Demokrat Amerikan e vlerësuan shqetësuese situatën në Shqipëri dhe treguan gatishmëri për të dhënë mbështetje duke përshtatur eksperiencat më të mira ndërkombëtare në problematika të ngjashme.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Horoskopi për ditën e sotme, e shtunë 16 Qershor 2018

Ky është horoskopi për ditën e shtunë, 16 qershor 2018. Njihuni me...
Read More