Basha ndryshon strategjinë javën e fundit

Lulzim Basha mblodhi kandidatët për deputetë dy ditë më parë. Porosia kryesore e ditëve në vijim është: një sulm frontal ndaj kundërshtarit. Targeti i fushatës së mbetur do të jetë kryeministri Edi Rama. Jo më LSI.

Nga Nevila Perndoj

Harrojini mitingjet e mëdha, banderolat, këngëtarët, fishekzjarrët e flamujt. Partia Demokratike ka ndryshuar faqe këtë fushatë dhe jo më kot. Fillimisht përmes formatit town-hall, më pas kontakte të drejtpërdrejta me qytetarët, bashkëbisedime në rrugë e lagje e së fundmi, takime të zgjeruara rreth një skene të vogël të rrumbullakët  ngjyrë blu e rrethuar anembanë me njerëz, aty ku edhe distanca e kryetarit me dëgjuesin bëhet njësh. Blu-ja do të mbizotërojë këto ditë të mbetura. Jo më fjalime të gjata. Konsiderohen të lodhshme dhe shkëpusin vëmendje. Mesazhe të shkurtra, fokusuar jo vetëm te pika e fortë e programit, ulja e taksave, por edhe kundërshtari.

Lulzim Basha mblodhi kandidatët për deputetë dy ditë më parë. Porosia kryesore e ditëve në vijim është: një sulm frontal ndaj kundërshtarit. Targeti i fushatës së mbetur do të jetë kryeministri Edi Rama. Jo më LSI. “Votat për LSI janë vota në gjol. Kthehuni në shtëpinë tuaj. Nuk do ketë më Pazar…”, ishte një ndër thirrjet e Bashës në një hark kohor jo shumë të vogël të fushatës. Për pasojë, mesazhi për këtë forcë politike (LSI) është përcjellë tashmë.

Që prej të premtes, Basha i është kthyer qëndrimeve të forta ndaj Ramës. Ai i është kthyer akuzave me oligarkë e kriminelë, një pikë kjo e atakuar edhe në media, se Basha e kishte harruar si fjalor.

“…Nuk ka pasur plan për ju, por vetëm për veten e tij dhe një grusht pushtetarësh, oligarkësh dhe kriminelësh”, iu tha Basha qytetarëve të premten e kaluar. Edhe dje, Basha rriti tonet duke veçuar ndryshimin mes tij dhe Ramës.

“Dua t’iu them atyre që ende nuk e kanë ndarë mendjen këtë javë të fundit se ndryshimi themelor mes asaj që premton Edi Rama dhe asaj që përfaqësoj unë është ky; Edi Rama nuk i mbajti premtimet sepse nuk kishte kurrë prioritet mbajtjen e premtimeve. Nuk kishte as plan për t’i mbajtur premtimet. E tani vjen përsëri me premtime të tjera të cilat po kështu nuk do t’i mbajë sepse i vetmi qëllim i tij është timoni. Unë nuk vij me premtime, por me një plan që ka për qëllim të nxjerrë ekonominë nga kriza, të krijojë vende pune përmes uljes së TVSH-së, përmes uljes së taksave dhe përmes investimit të parave jo në palma dhe në fasada, jo në zyra dhe makina luksi, jo në udhëtime të zyrtarëve dhe tenderë e koncesione korruptive, por në rritje pensionesh, në paga më të mira, në mbështetje për studentët, në shkolla dinjitoze për fëmijët shqiptarë me drekën e paguar nga Republika e Re…”, -tha ai.

Jo pak vëmendje edhe për batutat. Ato ngjisin te njerëzit. “…Shqiptarët do i japin të dielën (Ramës) timon prej kalamajsh…”, -tha dje Basha në Lushnjë.

Apo edhe kundërpërgjigjet. Deklaratës së Ramës se Basha vishet si llogaritar kooperative, Basha iu përgjigj:  “Do ikësh Edi Rama, mos u kap kot pas pantallonave të mia. Do largohesh me votën e shqiptarëve…”

Një tjetër tipar i kësaj fushate është orientimi i qartë i votuesit te faqja zyrtare e kryetarit në Facebook. Gjithçka në Facebook dhe direkt. Aktualisht, Basha ka  579 398 ndjekës në faqen e tij.

Vëmendje më e madhe ndaj mediave online, aty ku klikimet janë të mëdha. Gjithashtu, shfrytëzimi i çdo takimi të rëndësishëm ndërkombëtar. Së fundmi, foto me presidentin amerikan, Donald Trump, për të treguar se PD (ashtu si në SHBA) ndjek shembullin e uljes së taksave, mbështet sipërmarrjen dhe investimet në infrastrukturë.

“Isha në Amerikë këtë javë dhe takova Presidentin Trump, takim i jashtëzakonshëm, dhe kjo ishte java e zhvillimit të fuqisë punëtore. Çfarë po bënte administrata e Presidentit Trump?! Po financonte stazhet për studentët, po ulte tarifat dhe po e bënte më të mundshme për studentët amerikanë të ndiqnin shkollën e lartë. Po ndihmonte biznesin e vogël, po ulte taksat në tërësi dhe po krijonte një klimë më miqësore për investimet. Kjo është mënyra se si rritet ekonomia. Unë nuk kam premtime, kam një plan ekonomik dhe pika e parë është ulja e taksave që do fuqizojë ekonominë dhe hapjen e vendeve të punës”, -tha Basha të shtunën.

Reklamat gjithashtu, jo diletanteske. Ato duhet të fokusohen te profili i kryetarit. E tillë është edhe reklama e PD-së ku dukshëm në fokus është kryetari, shkolla që ka mbaruar dhe çfarë ka bërë që prej 2005-ës.

Edhe antireklama në këtë rast për kundërshtarin vlen sipas PD-së. “Ky është Edi Rama në timon. Edi Rama thotë se do të marrë timonin. Të drejtojë timonin sepse e bën më mirë. Por Edi Rama nuk di t’i japë makinës. As të mbajë premtimet”, thuhet në reklamën e PD, që shoqërohet me video.

Kjo është fushata që trumbeton PR amerikan pranë Bashës. Kur Basha garoi për Tiranën, ajo funksionoi. A vlen kjo edhe për votuesin jashtë kryeqytetit? 25 qershori do e tregojë.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Aleksandar Vuçiç pret Inva Mulën në Beograd

Dje, mediat serbe, kanë shkruar për koncertin historik që sopranoja shqiptare do...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *