Basha nuk mund të ndërtojë “Republikën e Re” pa bashkëpunimin me Ramën

Nga Ervis Iljazaj

Edi Rama, i ka ofruar liderit të opozitës edhe njëherë bashkëpunimin e gjerë midis dy palëve, për të shpejtuar reformat që janë kushte për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Sinjalet që erdhën nga Brukseli janë më shumë se pozitive në takimin e radhës, ku dy liderët politikë udhëtuan së bashku, edhe pse atje paraqitën pikëpamje të ndryshme për sa i përket situatës politike dhe ekonomike.

Në parim, e vetmja rrugë për të shtyrë më tej proceset e integrimit, është bashkëpunimi midis opozitës dhe mazhorancës. Mirëpo, këtë bashkëpunim lideri i opozitës e ka refuzuar në mënyrë kategorike, duke akuzuar këtë qeveri, si qeveria e krimit. Përtej kësaj akuze, që edhe mund të qëndrojë, fakti është se politika njeh vetëm një rregull të saj, atë të legjitimimit të kundërshtarit politik, gjë të cilën, Lulzim Basha me deklaratat e tij, de fakto nuk po e bën.

Aq më tepër, që projekti politik i Bashës, është ai i ndërtimit të një sistemi politik totalisht të reformuar, ose të ashtuquajturën Republika e Re. Ky është një objektiv për t’u përshëndetur, por rruga që të çon drejt tij nuk është ajo e revolucionit, siç pretendonte disa muaj më parë Partia Demokratike, por rruga që vjen si pasojë e marrëveshjeve dhe vullnetit politik të përbashkët.

Problemi kryesor i Shqipërisë, nuk është drejtësia, por politika. Pa reformuar politikën, asnjëherë nuk do të kemi një drejtësi të pavarur, pasi në çdo pushtet tjetër buron nga ajo. Dhe, kjo po vërtetohet në këtë moment. Problemi i drejtësisë, nuk është nëse do të zgjidhet një kryeprokuror i përkohshëm nga Parlamenti me mazhorancë relative apo më të cilësuar, por fakti se politika është duke bllokuar zbatimin e Reformës në Drejtësi. Nëse do të kishte vullnet politik, tashmë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, atëherë s’do kishte asnjë ngërç institucional, siç po kalojmë në këtë moment.

Në këtë kuptim, reformimi i politikës merr një rëndësi jetike për ndërtimin e një shteti demokratik dhe të së drejtës. Prandaj, Lulzim Basha ka shumë të drejtë kur thotë se vendi ka nevojë për reformat e rëndësishme politike. Për shembull, një nga propozimet e tij, që në krye të herës të kësaj legjislature për reformën zgjedhore, ishte një propozim politik i drejtë, që për herë të parë kërkonte që një nga ligjet më themelore të një shteti, atë zgjedhor, ta ndryshonte që në fillim, dhe jo në fund të legjislaturës, siç ka ndodhur gjatë viteve të tranzicionit.

Reforma zgjedhore nuk është i vetmi aspekt për të ndërtuar një “Republikë të Re”. Për shembull, mjaft e rëndësishme është dhe reforma për financimin e partive politike, e cila në këtë mënyrë siç funksionon sot, ka krijuar një klientelizëm politik të paçmontueshëm, apo reforma të tjera kushtetuese, si ajo e krijimit të një Senati për të balancuar pushtetin e mazhorancës. Të gjitha këto propozime, që kanë ardhur nga Lulzim Basha, janë propozime që duhen mbështetur. Por, e vetmja mënyrë për t’i realizuar ato, është nëpërmjet bashkëpunimit me mazhorancën. Refuzimi apriori, që Basha i bën këtij bashkëpunimi, është i gabuar dhe aspak strategjik. Çdo gjë është mirë për Shqipërinë, është mirë dhe për Partinë Demokratike, si dhe mirë për kryetarin e saj. Sado, të mos jesh dakord me një mazhorancë për keqqeverisjen e saj, nëse do vërtet, të ndërtosh një sistem të ri politik, bashkëpunimi me të, është i paevitueshëm.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Integrimi i Shqipërisë në BE: Ç’do të ndodhë me identitetin tonë

Nga Hazbi Lika - Integrimi europian si projekt politik natyrisht ka dhënë dhe...
Read More