Basha: Rama dekonspiroi aksionet, Xhafaj po mbron vëllain


Kreu i PD-së, Lulzim Basha zhvilloi një takim me deputetët e tij në Kryesinë e Kuvendit.

Basha mbërriti i shoqëruar nga zv/kryetari i Kuvendit, Edi Paloka, por asnjë prej tyre nuk bëri komente për gazetarët.

Pas takimit, Basha foli për gazetarët, duke akuzuar Edi Ramën dhe Fatmir Xhafajn për dekonspirimin e aksionit për arrestimin e ish-zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit.

“Edi Rama nuk mund të lejojë arrestimin e njerëzve që luajnë rol në inkriminimin e Tahirit, Xhafajt dhe vetë Edi Ramës. Si mund të arrestojë Xhafaj ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, që për katër vite ka mbrojtur vëllain e tij. Fatmir Xhafaj po refuzon të zbatojë urdhrin ndërkombëtar të arrestimit për vëllain e tij.

Këto fakte provojnë se Policia e Shtetit ka funksionuar si një kupolë kriminale. Pastrimi duhet të nisë me vetingun jo të policisë, por të ministrisë dhe të qeverisë. Kjo duhet kryer nga ekipe profesionale dhe me integritet. Natyrisht kjo nuk mund të ndodhë pasi gjithë skema kontrollohet nga Edi Rama. Hapi i parë është largimi i Edi Ramës. Hapi i dytë do jetë një proces spastrimi i Ministrisë së Brendshme. Gjendja është alarmante.

Veprimi i parë që inkurajojmë Prokurorinë është arrestimi një orë e më parë i Saimir Tahirit dhe kokave të policisë, të përzier në këto afera kriminale, është aksioni i parë për pastrimin nga krimi. Edi Rama do bëjë gjithçka për të ndaluar këto arrestime. Ai ka mbështetjen e Fatmir Xhafajt, që po bën gjithçka për të penguar arrestimin e vëllait të tij, Agron Xhafaj. Ndaj PD parashtroi si domosdoshmëri largimin e Edi Ramës. Ne e kemi kërkuar këtë dhe do e kërkojmë me forcë,” tha Basha.

I pyetur për nismën e mazhorancës për shkarkimin e kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Basha tha: “Nuk ka asnjë mundësi kushtetuese që kreu i KQZ të shkarkohet nga kjo mazhorancë. Çdo shkelje do marrë përgjigjen e merituar”.

Kurse për emërimin e Kryeprokurorit të ri, Basha tha: “Qëndrimi ynë për Prokurorin e Përgjithshëm është i qartë: atë nuk mund të emërojë Edi Rama, Fatmir Xhafaj apo Saimir Tahiri. Ne kemi një plan të qartë veprimi”.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Cilët janë anëtarët e vettingut dhe “ndarja” e balancuar politike

Përzgjidhen shtatë anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe shumicën e...
Read More