Basha s’mund të jetë kryeministri hije, nën hijen e ish- Kryeministrit Berisha në Parlament

Nga Ervis Iljazaj

Sot hapen punimet e seksionit të ri parlamentar, i cili pritet të jetë ndryshe nga ai i kaluari  për shumë arsye. Zgjedhjet e 25 Qershorit nxorën një parti të vetme politike në qeverisjen e vendit dhe , në këtë kuptim rikonfiguruan sistemin politik tërësisht. Gjithashtu në krye të institucionit më të rëndësishëm, tashmë gjendet Ilir Meta, një personalitet i fortë politik, që do të ndikojë me siguri dhe në ushtrimin e funksionit   të qytetarit të parë të Shqipërisë.

Mirëpo, zhvillimet më të rëndësishme që pritet të ndodhin në mandatin e ri parlamentar, padyshim, janë  në kampin opozitar.

Për herë të pare, që nga koha kur ka marrë drejtimin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, do të jetë prezent në Parlament ku do kërkojë të krijojë alternativën si Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë. Nëse do të merrnim për analogji modelin politik britanik, Basha, duke qenë se është Kryetari i Partisë më të madhe opozitare, është  që tani kryeministri hije.

Por, Lulzim Basha, edhe pse u rikonfirmua në krye të Partisë Demokratike me zgjedhjet e brendshme që zhvilloi ajo pas humbjes në 25 Qershor, nuk do ta ketë aspak të lehtë të krijojë profilin e tij si kandidati për kryeministër. Nëse Sali Berisha, do të  ketë të njëjtin protagonizëm si në mandatin e kaluar, atëherë ky do të jetë një problem i madh për Lulzim Bashën për të konsoliduar lidershipin e tij, pasi dihet që karizma e Berishës vazhdon ende të elektrizojë militantët e Partisë Demokratike.

Sali Berisha  ka qenë dhe është  një  lider i fortë politik dhe, nuk është e lehtë të fshihet nga kujtesa e militantëve të Partisë Demokratike.  Kështu që, prania e tij në Parlamentin e ardhshëm, qoftë edhe si deputet i thjeshtë, do të rivalizojë ndjeshëm me protagonizmin e Lulzim Bashës.

Meritat që ka Berisha brenda Partisë Demokratike dhe jashtë saj në politikën shqiptare, e bëjnë në mënyrë automatike një zë të rëndësishëm që nuk mund të anashkalohet .

Në këtë kuptim, Lulzim Basha, nëse vërtet dëshiron të jetë Kryeministri i ardhshëm i shqiptarëve, duhet të dali nga pesha dhe hija e rëndë dhe e paevitueshme e Sali Berishës, pasi politika ka nevojë për qartësi. Kësaj here Lulzim  Basha nuk ka asnjë rrugë tjetër për të ndërtuar fatin e tij politik përveçse të ushtrojë funksionin e Kryetarit të Partisë Demokratike me ‘’dorë të hekurt’’.

Nuk ka asnjë vend tjetër demokratik ku një ish-kryeministër dhe politikan i rëndësishëm, të vazhdojë të jetë protagonist pas dorëzimit të këtyre posteve. Sepse ciklet politike janë me afat të caktuar, nuk zgjasin përjetësisht. Nuk ka rëndësi nëse Berisha është thjesht deputet, vetëm prezenca e tij në Parlament,   nuk ndihmon aspak protagonizmin dhe ndërtimin e Lulzim Bashës si një lidership i fortë dhe i besueshëm.

Tashmë, po ndodh një fenomen që politologët e quajnë demokraci plebishitare. Në momentin që lideri i partisë zgjidhet me një anëtar-një votë’, i fortë me mbështetjen e anëtarësisë, anashkalon të gjitha strukturat e partisë dhe çdo ndikim ndaj aksionit të tij politik.  Gjithashtu, sot, ndryshe nga dekada më parë, funksionet e partive janë të shumta. Në këtë mënyrë kanë nevojë për një katalizator dhe një vendimmarrje të përqendruar për të kontrolluar të gjitha aktivitetet. Këtë e bëjnë nëpërmjet liderit, i cili i fortë me mbështetjen  anëtarësisë, nuk ka nevojë për legjitimitetin e strukturave për vendimmarrjet politike. Pra, si të thuash, kemi të bëjmë me një liderizim të politikës me të gjitha elementet që kjo nënkupton.

Për të gjitha këto arsye, Lulzim Basha e ka të detyruar rrugën e tij drejt qeverisjes së vendit. Është ajo e një lideri të fortë politik, që për qëllimin kryesor, atë të ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike, duhet të tregojë se ai është i vetmi zë që ka rëndësi në opinionin publik dhe në  Parlamentin e Shqipërisë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Uji e koncesionet: Veliaj bën bashkë PS-LSI, konfirmohet bashkëpunimi në pushtetin lokal

Debatet për rritjen e çmimit të ujit dhe loja që u bë...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.