Basha zbulon sistemin e ri zgjedhor dhe reformën brenda PD

Basha për kritikët: “I kam ftuar publikisht, individualisht në të gjitha format e mënyrat dhe festa është e sinqertë”

TIRANË- Agjenda e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ditën e djeshme u fokusua te një bashkëbisedim, që ai pati me studentët e Universitetit të Tiranës, të cilët i ftoi që t’i bashkohen Partisë Demokratike.

“Ejani të bëhemi bashkë për të ardhmen tonë europiane. Partia Demokratike është një parti që ka nisur me rininë dhe do të ecë me rininë në krye…”, komentoi Basha në Facebook. Por përpos ftesës publike, kryetari i opozitës tha shumëçka mbi pikëpamjet e tij për reformën zgjedhore, dhe mënyrën se si e koncepton të ardhmen e PD-së.

“Sistemi zgjedhor duhet ndryshuar në pikëpamjen time sepse ky që kemi ka dështuar, ka dështuar jo vetëm për zgjedhje të lira e të ndershme dhe që rezultatin e ndikon paraja, po se shumica e shqiptarëve nuk njohin më kush është deputeti që e përfaqëson në Parlament, dhe që i shërben kryeministrit kur është në mazhorancë. Se si bëhet kjo me lista të hapura, sistem mazhoritar etj., çështje konsensusi mes forcave politike. Për sa i përket përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë, PD do të kryejë reformë të brendshme që do të çojë konsultim më të gjerë dhe hapjen më të madhe për këdo që ka interes dhe kualifikime të shërbejë si kandidat për deputet të PD. Ajo që unë dua të shoh, është një PD me rregulla loje europiane që zbatohen në mënyrë europiane. Produkti që dua të shoh është njerëz të përkushtuar ndaj fateve të qytetarëve. Natyrisht sa më shumë të rinj dhe të reja”, -tha Basha. Me tej, ai shtoi: “Me dy fjalë ju si studentë të Shkencave Politike i ndiqni lajmet, i shikoni zhvillimet besoj. Problematike kryesore e vendit cila është? Është korrupsioni, është krimi, është ekonomia, është varfëria, është papunësia. Po këto janë pasoja, janë pasoja të një sistemi, një sistemi politik të falimentuar. Këto të gjitha janë pasoja. Pse ka falimentuar sistemi? Shiko çfarë ndodh, nga njëra anë as të aftët, as të talentuarit, as të zotët, as njerëzit me ide, njerëzit me talent siç jeni ju, nuk çajnë dot përpara pa patur një ndërhyrje, një mik tek pushteti, te pushtetarët. Nga ana tjetër, edhe ata që nuk janë kaq të zotë, nuk janë kaq të aftë, janë me aftësi të kufizuara, janë të vjetër nuk punojnë dot edhe ata e kanë të vështirë të mbijetojnë. Pse? Sepse një qeveri që i thotë vetes e majtë ka hequr me një të rënë të lapsit 30 mijë familje nga ndihma ekonomike.

Kush ecën përpara sot në Shqipëri? Cila është industria më e suksesshme në Shqipëri sot? Bananet apo ato që janë poshtë bananeve?! Pra, kemi një sistem ku përpara ecin vetëm trafikantët, kriminelët, pushtetarët e korruptuar, servilët e pushtetit. Dhe ky është sistemi që duhet të ndryshojmë së bashkë”. Por, si ndryshohet ky sistem? “Duke bërë atë që shqiptarët kërkojnë duke shkuar në Europë: liri, meritokraci, konkurrencë; secili sipas meritës të ecë përpara. Këtë kërkojmë apo jo. Që kjo të ndodhë duhet të kemi një sistem politik që ka zgjedhje të lira dhe ku të zgjedhurit të japin llogari para zgjedhësve, jo para kryetarëve të partive dhe kryeministrave.

Ky është edhe thelbi i ndryshimeve që po nisim në Partinë Demokratike, që në Partinë Demokratikë të zgjedhurit të jenë produkt i drejtpërdrejtë i vullnetit të anëtarëve të Partisë Demokratike.

Duke demokratizuar Partinë Demokratike, duke e bërë PD një parti totalisht të vlerave dhe të modelit europian ne së pari ndërtojmë një garanci për betejën që kemi përpara. Garancia është që PD me këto vlera siç i zbaton sot brenda shtëpisë, nesër do ti zbatojë në qeverisje”, -tha Basha

Kryetari i opozitës foli edhe për kritikët brenda partisë. Ai theksoi se i ka ftuar edhe publikisht dhe individualisht që të bashkohen drejt një përgatitje për “përballje vendimtare me të keqen që sundon vendin”.

“I kam ftuar publikisht, individualisht në të gjitha format e mënyrat dhe festa është e sinqertë. Jam e bindur që PD do shkojë përmes bashkimit drejt një përgatitje për përballje vendimtare me të keqen që sundon sot vendin. Detyra sot nuk është vetëm elektorale, po të mbrojmë vlerat ekzistenciale të shoqërisë”, vijoi kreu i PD-së.

Prej disa ditësh, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vijuar një tur takimesh për të përcjellë mesazhet e tij për bashkim të partisë por pa iu shmangur edhe përgjegjësive të kësaj force politike. E tillë ishte edhe pjesëmarrja e tij dy ditë më parë në Konventën e të përndjekurve politikë, për gjetjen e eshtrave të të pushkatuarve me ose pa gjyq nga regjimi komunist. Gjatë kësaj konvente, Basha kërkoi ndjesë me argumentin se PD-ja nuk kishte arritur dot të përmbyllte me sukses procesin e gjetjes dhe nderimit të heshtrave të paraardhësve të përndjekurve politik, të ekzekutuar pa gjyq. Por jo vetëm. Basha i ftoi ata që t’i bashkohen sërish PD-së duke kaluar edhe ne emra nominal.

“Mendimi ndryshe, është tabani i demokracisë, tha Tomorr Alizoti. Unë dua ta falënderoj që është këtu në këtë sallë, e kundërta është bolshevike, po është e vërtetë, absolutisht e vërtetë. Bolshevike është edhe pagabueshmëria e liderit.

Edhe unë kam bërë gabimet e mia, nuk jam i pagabueshëm. Ndaj kërkoj nga ju të më njihni të drejtën që i njoh gjithsecilit prej jush, gjithë demokratëve, të drejtën për reflektim dhe të reflektojmë të gjithë së bashku.

Eja Tomorr! Ejani të gjithë ju dhe të bashkohemi në gjirin e PD; është vendi, është institucioni, është garancia e vetme për të drejtat e papërmbushme”, u shpreh Basha dy ditë më parë.

Në fund të muajit prill, Partia Demokratike pritet që të mbledhë Kuvendin e saj Kombëtar. Për agjendën e Kuvendit, Basha ka ngritur një grup pune për ndryshimet statutore dhe diskutimin e të gjitha propozimeve nga rrymat e ndryshme në PD. Çdokush që ka dëshirë të kontribuojë në parti, Basha ka garantuar se do të ketë hapësirën totale që të kontribuojë në proces. Për pasojë ai ka caktuar një periudhë kohore deri në fund të këtij muaji, ku çdokush që kërkon të kontribuojë të paraqesë propozime pranë grupit të punës që përbëhet nga nënkryetarët Paloka, Spaho, sekretari i Përgjithshëm, Ristani, sekretarët Bozdo, Kadilli dhe anëtari i kryesisë, Genti Malko.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Tranzitologjia: Një kritikë anti-teleologjike

Nga Gerti Sqapi Rënia e murit të Berlinit dhe përfshirja e një...
Read More