Bashkëpunimi MAPO-Danas: Si po e ndryshojnë narrativën serbo-shqiptare dy gazetarë

Gazetarët Mustafa Nano dhe Zoran Panovic iu përgjigjen diplomatëve, gazetarëve dhe studentëve gjatë vizitës së Nanos në Beograd, në dhjetor të 2017-s.
(OSCE/Milan Obradovic)

Vitin e kaluar, Mustafa Nano dhe kolegu i tij serb Zoran Panovic, u angazhuan në një eksperiment ndërkulturor, propozuar nga Misioni i OSCE-së në Serbi dhe Ambasada Shqiptare në Beograd. Nga shtatori deri në dhjetor ata botuan në MAPO dhe Danas artikuj që goditnin narrativën negative të medies, që i përshkruajnë serbët dhe shqiptarët si antagonistë. Misioni i OSCE-së ka vendosur të vazhdojë ta mbështesë shkëmbimin e gazetarëve nga Serbia dhe Shqipëria

Vjeshtën e kaluar, dy gazetarë nga Beogradi dhe Tirana ranë dakord të angazhoheshin në një eksperiment ndërkulturor, propozuar nga Misioni i OSCE-së në Serbi dhe Ambasada Shqiptare në Beograd. Nga shtatori deri në dhjetor ata shkëmbyen 12 tekste, botuan njëherazi në të përditshmet serbe dhe shqiptare , duke goditur me vendosmëri trendin e narrativës negative të medies, që i përshkruajnë serbët dhe shqiptarët si antagonistë. Në një artikull botuar në website-in e Misionit të OSCE-së shpjegohet ideja e këtij projekti, ecuria, si edhe planet për vazhdimësi me qëllimin e ndërtimit të dialogut pozitiv mes dy kombeve.

Të kundërshtosh paragjykimin

Pavarësisht marrëdhënieve të përmirësuara mes Serbisë dhe Shqipërisë, paragjykimet ende i rëndojnë marrëdhëniet mes dy shoqërive, pasqyruar në mediet e të dyja vendeve. Në një periudhë të rëndësishme për Beogradin dhe Tiranën, Misioni i OSCE-së në Serbi mbështeti propozimin me vizion nga Ambasada Shqiptare: për të nxitur një diskutim publik më konstruktiv duke ofruar një platformë të hapur dy gazetarëve të mirënjohur, një për secilin vend.

E përditshmja e Beogradit Danas ra dakord për të marrë pjesë dhe propozoi ish-kryeredaktorin Zoran Panovic, si partnerin serb të diskutimit. Ambasada Shqiptare siguroi pjesëmarrjen e së përditshmes nga Tirana, Mapo dhe i kërkoi gazetarit të mirënjohur të shtypit dhe televizionit Mustafa Nano nëse do të ishte dakord të bëhej homologu shqiptar i Panovicit.

“Nuk e mendova dy herë idenë e të këmbyerit të mendimeve me kolegun serb”, ka thënë Nano. “U ndjeva sikur isha i ftuar të merrja pjesë në një aventurë pioniere. Kureshtja intelektuale për të komunikuar me një koleg nga Beogradi ishte më e madhe sesa çdo mëdyshje”. Panovic shprehu po të njëjtën ndjesi.

Pas një takimi ballë për ballë në Tiranë të organizuar nga Misioni, gazetarët nisën shkëmbimin e tyre publik, që u shfaq për 12 javë në të dyja gazetat. Për të përmbyllur eksperimentin, ata u takuan edhe njëherë tjetër, në Beograd.

Gazetarët Mustafa Nano dhe Zoran Panovic gjatë vizitës së Nanos në Beograd, në dhjetor 2017

Shkëmbim novator

Për çfarë shkruan Nano dhe Panovic? Jetën e përditshme, çështje politike, kundërshti historike, gjithçka për të cilën kishin interes, pa u druajtur prej polemikave. Ata krahasuan perspektivat për figurën e shekullit të 15-të, Skënderbeun; komandanti ushtarak shqiptar, i cili fillimisht luftoi për Perandorisë Osmane e më pas u rebelua kundër saj. Ata shpjeguan pikëpamjet përkatëse mbi Kosovën. Ata gjithashtu ndanë këndvështrimet mbi incidentin e famshëm të futbollit, në tetor të 2014-s, gjatë ndeshjes për eliminatoret e Kampionatit Europian mes Serbisë dhe Shqipërisë, ku një dron që mbante një flamur nacionalist shqiptar me imazhin e Shqipërisë së Madhe u shfaq në fushë.

“E vetmja mënyrë për t’i dhënë kësaj qosheje të botës një mundësi për paqe është t’i lësh intelektualët, shkencëtarët, akademikët, shkrimtarët dhe artistët të ndërmarrin një lloj katarsisi”, ka shpjeguar Nano.

Mund të jetë e vështirë që njerëzit ta kuptojnë, por motivi pas korrespodencës sonë është thelbësisht kureshtje dhe dëshirë për dialog, pa kurrfarë ambicie – siç pres të bini dakord – për të nxjerrë hamendësime rreth një dakordësie të madhe mes dy kombeve tona pas gjithë brutalitetit të urrejtjes dhe krimit – ka shkruar Panovic.

Efekti i shumëfishimit

Artikujt shkaktuan trazim në të dy komunitetet, atë serb e atë shqiptar. Ata u ribotuan gjerësisht në të dy gjuhët; në Beograd, Tiranë, Prishtinë, Serbi e jugut ( përfshi Preshevën dhe Bujanovcin), dhe në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Vlerësimi që morën artikujt e shkruar profesionalisht në të dyja komunitetet treguan se media tradicionale e shtypur ka rol në bashkimin e bashkësive. Ndërsa ndërveprimi i medieve sociale është ndonjëherë i kufizuar për shkak të barrierave të gjuhës, artikujt e gazetave, të përkthyera me profesionalizëm, u transferuan lehtë në blogje apo formate të tjerë të aksesueshme për audienca të ndryshme.

“Jemi shumë të kënaqur që ky projekt tërhoqi vëmendjen e publikut në të dyja vendet, ka thënë Andrea Orizio, Kreu i Misionit të OSCE-së në Serbi. “Personifikon një shpirt të bashkëpunimit rajonal mes dy shoqërive që dinë pak rreth njëra-tjetrës”.

Përmirësimi i kuptimit të ndërsjellë mes bashkësive serbe e shqiptare është e një rëndësie vendimtare për të kapërcyer trashëgiminë e së shkuarës që ende ndikon komunikimin dhe pikëpamjet rajonale. Misioni i OSCE-së ka vendosure të vazhdojë ta mbështesë shkëmbimin e gazetarëve nga Serbia dhe Shqipëria. Në bashkëpunim me Praninë e OSCE-së në Shqipëri, ka për qëllim të zgjerojë nismën duke përfshirë edhe palë të tjerë të interesuara, zëra të shërbimeve publike, shkolla të gazetarisë dhe organizata studentore.

“Misioni i OSCE-së në Serbi është i përkushtuar për promovimin e kontakteve njerëzore dhe zhvillimin e narrativave konstruktive. Gazetarët dhe media luajnë rol jetik në këtë proces. Ata kanë pushtetin për të ndërtuar formalisht dhe joformalisht dialogë të rinj dhe i ndihmojnë shoqëritë të fokusohen te ngjashmëritë më shumë sesa tek ndryshimet”, ka përfunduar Orizio.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Greqia nuk mund të na japë mend për ligjin e pakicave

Nga Ervis Iljazaj Parlamenti i Shqipërisë ka aprovuar ligjin për minoritetet para...
Read More