Bashkëqeverisja, arma e fundit e komunikimit politik të Edi Ramës

Nga Ervis Iljazaj

Edi Rama njihet si Kryeministri që më shumë se të tjerët përdor instrumentet e komunikimit për të ushtruar pushtetin politik të tij. Ka nga ata që thonë që vetë ai, është krijesë politike më shumë se kushdo i mënyrës mjeshtërore të përdorimit të këtij instrumenti.

Në këtë kuptim, aksioni politik i Kryeministrit është i bazuar në të gjitha mjetet e mundshme të strategjisë komunikative. Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme dhe të gabuar në këtë drejtim, pasi në shoqërinë që jetojmë sot, politika, mbi të gjitha është komunikim. Por, edhe ky instrument ka limitin e tij për sa i përket efikasitetit në fitimin e konsensusit popullor.

Arrin një pikë, që përmbajtja e politikës, edhe pse nuk është më e rëndësishme se komunikimi në shoqërinë që jetojmë, kthehet e domosdoshme.

Kjo pikë ka mbërritur edhe për qeverinë Rama Dy. Duket sikur Kryeministri i ka ezauruar të gjitha armët komunikative dhe ndodhet përballë përgjigjeve që presin qytetarët për shumë çështje.

Qeveria aktuale ndodhet përballë shumë çështjeve që kërkojnë vullnet për t’u zgjidhur, dhe nuk mund të anashkalohen duke komunikuar, por duke hyrë në përmbajtje të tyre. Duke filluar që nga Reforma në Drejtësi, Reforma e administratës publike, lufta kundër krimit të organizuar e deri te çështjet ekonomike, janë fronte të hapura nga të cilat varet suksesi apo dështimi i kësaj qeverie.

Për të mbushur formën me substancën, Edi Rama ka menduar të bashkëqeverisë me popullin, për të zgjidhur problemet e tyre. Bashkëqeverisja është krijesa e fundit e Kryeministrit, e cila tingëllon si zgjidhja e të gjithave të metave që kanë ekzistuar deri më tani për sa i përket marrëdhënies midis popullit dhe qytetarëve.

Mirëpo a është vërtet kështu, apo bashkëqeverisja është gjithashtu një instrument komunikativ për t’u larguar nga përmbajtja?

Bashkëqeverisja, e thënë më fjalë të tjera, nuk është gjë tjetër përveçse demokracia direkte, ku populli merr vendime për të zgjidhur problemet që ka një shoqëri. Formë bashkëqeverisjeje tjetër nuk ekziston, dhe nuk ka ekzistuar ndonjëherë.

A po ndodh kjo në këtë rast? A vendos populli shqiptar për çështje të ndryshme të qeverisjes së vendit apo bashkëqeverisja është thjesht një dëgjesë publike për të kuptuar hallet e qytetarëve?

Për sa i përket pyetjes së parë, është e qartë që një gjë të tillë nuk e kemi parë deri më tani. Nuk e kemi parë, pasi deri më tani nuk është zhvilluar asnjë referendum popullor ku qytetarët të vendosin për një çështje të caktuar. Megjithatë edhe zhvillimi i një referendumi nuk është medoemos bashkëqeverisje. Është një instrument i demokracisë direkte që ushtrohet në mënyrë të kufizuar dhe në raste të veçanta. Sepse edhe nëse do të ekzistonte vullneti i qeverisë për të aplikuar demokracinë direkte, në shoqërinë e masave dhe komplekse ku jetojmë, është tërësisht e pamundur. Prandaj forma e qeverisjes sot kudo në Botë, është demokraci përfaqësuese. Pushteti popullor delegohet te përfaqësuesit që kanë për detyrë të qeverisin, dhe kontrollohet në mënyrë periodike nëpërmjet llogaridhënies dhe zgjedhjeve.

Për sa i përket pyetjes së dytë, mund të jetë një formë dëgjese për problematikat e qytetarëve, por presupozohet që një qeveri e di fare mirë se cilat janë ato dhe zgjidhja për to, në të kundërt s’ka kuptim që është votuar nga populli.

Atëherë çfarë është nocioni unik i bashkëqeverisjes që po dëgjojmë shpesh kohët e fundit?

Nuk është gjë tjetër, përveçse një instrument komunikimi nën vazhdën e instrumenteve që janë përdorur më parë për të ushtruar pushtetin politik. Me siguri, është instrumenti i fundit që kjo qeveri ka në dorë si strategji në këtë drejtim.

Edi Rama është duke pësuar një metamorfozë nga mandati i parë tek ai i dytë. Nga një politikan që guxoi duke ndërmarrë një serë reformash, Edi Rama rrezikon të kthehet në një politikan populist.

Reformat e ndërmarra nga qeveria Rama në katër vitet e kaluara ishin tërësisht në drejtimin e kundërt. Për shumë aspekte, ato mund të përbënin dhe një kosto elektorale për të. Mjafton këtu të përmendin formalizimin e ekonomisë, tregun e sektorit të energjisë apo ndalimin e ndërtimeve pa leje, të cilat ishin për shumë arsye jo të mbështetura nga një pjesë e madhe e shoqërisë për shkak të mungesës të humanizmit, por që ishin të domosdoshme dhe efektin e tyre pozitiv e kanë dhënë që tani.

Ndoshta, Rama i fortë me mandatin popullor po bie në grackën e aleancës me të, duke bërë çdo politikë bashkërisht. Por, shumë shpejt do kuptojë se politika dhe ekonomia nuk janë profesione për çdokënd, edhe për një shtëpiake çfarëdo në një provincë të Shqipërisë.

Ndaj, kthesa që ai po merr drejt një populizmi të pafre duhet të braktiset dhe të ndiqet rruga e reformave edhe më e vendosur se më parë, në të mirë të vendit, duke marrë çdo përgjegjësi për politikat e ndërmarra. Përgjegjësi që tashmë është e plotë duke qenë se e ka timonin i vetëm.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Uji e koncesionet: Veliaj bën bashkë PS-LSI, konfirmohet bashkëpunimi në pushtetin lokal

Debatet për rritjen e çmimit të ujit dhe loja që u bë...
Read More