Bashkim Shehu, dilemat e implikimit të të atit me krimet e komunizmit

I ftuar në një bashkëbisedim me studentë dhe pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës, në moderimin e Shefes së Departamentit të Komunikimit, Belina Budini, ishte shkrimtari dhe publicisti Bashkim Shehu. Ai foli rreth letërsisë së tij, kujtesës, së shkuarës dhe përjetimeve personale. I pyetur rreth debatit të fundit rreth kampit të Tepelenës, Shehu foli për kushtet e tmerrshme në të cilat mbaheshin njerëzit aty

I gjendur në Tiranë për të mbajtur një cikël leksionesh të hapura në Universitetin Europian të Tiranës mbi raportin mes letërsisë moderne dhe filozofisë, shkrimtari dhe publicisti i njohur, i cili prej vitesh jeton në Barcelonë të Spanjës, zhvilloi sot një bashkëbisedim me studentë e pedagogë të këtij universiteti në kuadër të Forumeve UET, që zhvillohen çdo të martë pasdite në mjediset universitare.

Shehu ndau me të pranishmit përvojën e vjetshme si kryetar i jurisë së çmimit letrar “Kadare”, ku pranoi se ishte ky aktivitet i një lloji të veçantë ku konkurrojnë autorë të brezave të ndryshëm me vepra në dorëshkrim, që e kishte bërë të njihej me prurjet e reja të letrave shqipe, ku ai veçoi dy konkurrentë të edicionit të kaluar të këtij konkursi si Rigels Rizaj dhe Balil Gjini.

I pyetur rreth pozicioneve dhe qëndrimeve të papajtueshme që ka në opinionin publik rreth krimeve të komunizmit – nisur edhe nga debati mes shkrimtarit Agron Tufa dhe historianit Pëllumb Xhufi për kushtet e kampit të internimit në Tepelenë, Shehu u përgjigj se pozicioni i tij është i ngjashëm me atë të Agron Tufës. “Dhe për çështjen e burgut të Tepelenës që është diskutuar mund të them se krahasuar me kampin e Tepelenës e më vonë ai i Beratit apo edhe më të vegjël si ai në kështjellën e Porto Palermos, burgu i Burrelit ku kam qenë unë ishte hotel. Në ato kampe-burgje kishte fëmijë, gra, pleq dhe madje edhe foshnja të lindura atje. Ato burgje i mbylli Ministria e Brendshme e Shqipërisë, ngaqë mortaliteti infantil ishte shumë i lartë. Ç’mund të themi tjetër! Edhe atyre iu duk tepër, kurse ndonjëri sot i duket se kanë qenë mirë” – tha Shehu.

Bashkëbisedimi preku edhe figurën e politikanes gjatë regjimit komunist, Liri Belishova e cila u nda nga jeta vetëm pak kohë më parë e për të cilën Shehu së bashku me “UET Press” po përgatisin së shpejti për botim një libër me natyrë biografike. Mungesën e autoriteteve shtetërore në ceremoninë mortore të së vetmes politikane që bëri një “mea culpa” dhe pranoi krimet në komunizëm, Shehu e komentoi me një fjali. “Ndoshta kjo është një arsye” – tha ai, duke iu referuar faktit se ishte e vetmja që pranoi krimet e komunizmit.

Ndërsa për ndarjen mes së Djathtës dhe së Majtës në politikën shqiptare e quajti një ndarje

me retrovizorë. “Për mua janë të dyja të djathta; edhe PD edhe PS. Nuk shoh ndryshim në programet e tyre sociale, është ndarje në retrovizorë, ndarja e luftës “ballistë- partizanë” dhe projektohet në kohën tonë me ndarje “E majtë – E djathtë”. Është një anomali në shoqërinë shqiptare. Shohin pas, e kanë kokën të kthyer pas ngaqë nuk i kanë mbyllur hesapet me të kaluarën” – tha Shehu.

 

Letërsia dhe burgu si çlirim

I pyetur sesi do të kish qenë jeta e tij pas viteve ’90, nëse nuk do të ishte shënjuar nga tragjedia pas vdekjes së të atit, kryeministrit Mehmet Shehu, shkrimtari tha se nëse nuk do të kishte qenë në burg, ato nëntë vite do të kishin qenë të shoqëruara nga një dozë konformizmi.

“Do e kisha pasur të vështirë në momentin e ndryshimit të regjimit për pozicionin ku do të ndodhesha. Ata që e kanë njohur regjimin e dinë, por është ndryshe të kesh qenë në burg; qartësohen mendimet më tepër.

Nga ana tjetër nuk do di si do kishte qenë jeta ime, më mirë apo ndoshta më keq, por me siguri di që të shkruarit do të kishte qenë më keq, sepse ato 9 vite burg do të kishin qenë një dozë e rëndësishme konformizmi dhe, në pikëpamjen letrare burgu ishte çlirim. Jam ndier më i lirë sepse në burg nuk ishte ajo lloj censure që ishte jashtë”.

Shehu rrëfeu se ka nisur të shkruajë qysh në moshën 17–vjeçare, fillimisht tregime të cilat u botuan më pas dhe tha se ka shkruar edhe gjatë kohës kur vuante dënimin në burg.

I pyetur nëse kishte kaluar në anën e duhur të historisë, Shehu tha se nuk e ndan historinë kështu.

“Fjala Histori më tremb. Historia nuk është perëndi, është një sfinks që shqyen, shkatërron e që shkakton viktima” – tha ai.

I ndalur edhe njëherë te debati i raportit të së Majtës shqiptare me të kaluarën dhe diskutimi mbi krimet e komunizmit, Shehu tha se e Majta Shqiptare i sheh shtrembër ata që nuk kanë qenë me Enver Hoxhën. “Mund të kenë qenë komunistë, socialdemokratë, progresistë… në përgjithësi shihen shtrembër. Kriteri është Enver Hoxha dhe linja e tij, ADN–ja zyrtare. Pse fondacioni politik i Partisë Socialiste quhet “Qemal Stafa” dhe jo “Musine Kokalari”? Meqë e konsiderojnë veten socialistë apo socialdemokratë i takonte të quhej Musine Kokalari”.

Shehu tha gjithashtu se në Shqipëri mungon sfera publike dhe kjo është një mangësi e madhe për shoqërinë. “Mendoj se Publiken duhet ta mbrojnë jo vetëm intelektualët, por të gjithë qytetarët. Por më shumë intelektualët si qytetarë me vizibilitet dhe Publikja është një sferë që mungon. Kur flitet për Publiken këtu flitet për Shtetëroren, sepse mungon ajo sferë e pavarur mes privates dhe pushtetit shtetëror. Disa e quajnë shoqëri civile, sferë publike për ta dalluar nga sfera politike, mungon dhe kjo është mangësi, Secili sheh parcelën e vet dhe ka ndikuar që gjatë këtyre viteve të rikthehen atavizmat autoritare”.

Sa i përket kujtimeve të tij apo aspektit autobiografik në letërsi, Shehu pohoi se ka shkruar dy të tillë, por që tanimë është një fazë e kapërcyer në letërsinë e tij. “Pastaj kujtimet janë në librat që kam shkruar më vonë. Tamam kujtimet që kanë zëne vendin e duhur në letërsi për mua nga 2004-2005, nga romani Angelus Novus”.

I pyetur nga studentë nëse mendon se në shekullin XXI mund të flitet për një fund të letërsisë, Shehu tha se megjithëse është kohë e vështirë për artet, nuk ka ardhur fundi i saj”.

“Është folur kundër romanit, por nuk më duket me vend, fundi i autorit thotë Foucault, fundi i njeriut thotë Erich From, fundi i metafizikës thonë pozitivistët dhe Marksi, me këto është e mbushur historia e maternitetit. Ndodh një ndryshim jo se merr fund. Por nga ana tjetër them se letërsia, artet dhe Humanitetet në përgjithësi janë në një moment të vështirë”.

 

Njeriu i Ri si e keqja më e madhe e Totalitarizmit

Për Shehun, epitoma e së keqes në sistemin diktatorial është krijimi i njeriut të ri.

“E keqja më e madhe që ka bërë ai sistem është krijimi i njeriut të ri, modeli apo specia antropologjike që synoi të krijonte dhe pikërisht regjimet totalitare në përgjithësi nga regjimet e tjera, mendoj unë, se tipologjikisht dallohen, duke u nisur jo nga ekonomia e planifikuar apo sistemi partiak, është pikërisht modeli antropologjik. Andej duhet të nisen mendoj, për ta përcaktuar një model totalitar dhe dëmi më i madh është përçudnimi shpirtëror që kanë krijuar tek njerëzit”.

Ato që do të ruante nga ai sistem do të ishin të gjitha ato gjëra që i kanë shpëtuar përçudnimit. “Është e vështir të dallohen. Nuk mund të ketë një recetë apo një etalon për t’i matur. Po marr një vlerë nga fusha ime dhe them se “Pallati i Ëndrrave” i Ismail Kadaresë është një nga ato që i ka shpëtuar përçudnimit”.

Duke cituar filozofen gjermane Hanah Harendt në librin e saj “Origjina e Totalitarizmit”, Shehu tha se nga konstatimi i tij personal është se përditësia apo gëzimi në gjërat e vogla mund të ishte jo vetëm një dobësi, por edhe një anë e mirë.

“Përditësia e robëron, e skllavëron njeriun. Ekzistenca e përditshme, gëzimi për gjërat e vogla mund të thuash se është dobësi njerëzore, por mund të jetë ana e mirë. Por Harendt thotë se përditësia, gjërat e rëndomta janë ato që e gërryejnë totalitarizmin”.

Shkrimtari u përgjigj edhe mbi arsyet se pse ka zgjedhur të jetojë në Spanjë, pasi hoqi disa paralele apo të përbashkëta mes dy popujve, si mendësi, “Mundësia që pata ishte të shkoja ose në një qytet të vogël, në Tirol të Austrisë ose në Barcelonë. Zgjodha Barcelonën se është qytet i madh. Kur jam në qytet të vogël më kujtohet internimi” – tha ai.

 

Tensioni me autoritetin shtetëror si tension me pushtetin atëror

Në librin e tij “Loja, shembja e qiellit” me të cilin u shpall edhe fitues i çmimit “Balkanika 2015”, shkrimtari ka ndërtuar një alterego të tij në personazhin e Aleks Krastës, i biri i një pushtetari të kohës, të cilin e mundojnë pyetje sesa ishte i përfshirë babai i tij në përndjekjen e klerit katolik.

“Jo konkretisht në rastin e klerit katolik, por për gjithçka e kam këtë. Pyes veten sa ka qenë i implikuar, kur nuk e di sesa ka qenë.

A ka tek unë nga Aleks Krasta nuk e di, por pikënisja është kjo. Ka një moment që lexova te libri i At’ Zef Pllimit ku tregon vuajtjet dhe m’u duk sikur isha në kampin e Spaçit dhe po m’i tregonte mua. Ky është në strumbullarin e romanit, janë dy kapituj ku At’ Shtjefni i tregon Aleks Krastës dhe tensioni me

autoritetin shtetëror që identifikohet me identitetin atëror është i qartë, s’ka nevojë për komente. Por nuk jam nisur të bëj libër autobiografik, ashtu më doli nga vetja dhe krijova një alterego dashur-padashur. E nisa ta shkruaja në vetën e parë, por më ngecte. E pata më të lehtë ta shkruaja ashtu”- rrëfeu Shehu, ndërsa u ndal te raporti i tij me hyjnoren, ngacmuar sërish nga personazhi i Aleks Krastës.

“Kam pasur një edukatë ateiste, materialiste, pastaj më vonë, duke kuptuar se me çfarë kisha të bëja, se nuk kisha të drejtën në politikë, fillova të vija në pikëpyetje doktrinën materialiste dhe atë Marksizëm aq simplist që paraqitej në atë kohë- versioni më i keq i Marksizmit por në përgjithësi edhe i Materializmit. Kam pasur edhe një mik shumë të ngushtë që ishte besimtar, Petro Zheji, që më fliste vazhdimisht dhe jam përpjekur të besoj, por nuk kam mundur. Është diçka që duhet të ushqehet qysh në fëmijëri. Por edhe pse nuk ngeli tek unë Marksizëm-Leninizmi, ngeli racionalizmi që ka brenda filozofia Marksiste. Arma që kisha unë ishte arsyeja, besimi ishte tjetër gjë. Arsyeja nuk i jep dot përgjigje ekziston apo jo zoti. Këtu arrita si përfundim. Mund të them se sot jam agnostik, as ateist, as fetar”.

A është letërsia një mjet ku Shehu përpiqet të gjejë përgjigjet rreth nivelit të përfshirjes së të atit në krimet e komunizmit?

“Duke u marrë me letërsi apo duke pasur kureshtje për një pjesë të filozofisë më çon drejt diçkaje që asnjëherë nuk arrij ta kuptoj, por sikur hedh dritë tërthorazi mbi misterin e qenies. Për shembull librin “Fjalor mbi misterin e dosjeve”, e morën se kishte të bënte me Dosjet, por kishte bënte me njeriun, sistemin ekstremist dhe njeriun sesi del përmes këtij sistemi”.

Si ishte Mehmet Shehu baba në krahasim me kryeministrin e vendit, ishte një tjetër pyetje që përmbylli edhe bashkëbisedimin e së martës, ndërsa shkrimtari i rezervuar në detaje nga jeta personale tha: “Sillej me po atë rreptësi që sillej me pjesën tjetër të shoqërisë, megjithëse vitet e fundit, nga mosha a nuk e di pse, nisi të mbante një qëndrim më të butë me ne” – përfundoi ai.

Shehu do të jetë edhe për disa kohë i pranishëm në auditorët e Universitetit Europian të Tiranës me ciklin e leksioneve të hapura.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Osteoporoza: Shkaktarët e sëmundjes së kockave dhe si mjekohet

Osteoporoza është shumë herë më e shpeshtë në femra, aq sa prania...
Read More