Bashkim Shehu, pas përvojës në jurinë e çmimit Kadare, kthehet në UET me një cikël leksionesh të hapura

Shkrimtari dhe publicisti i njohur shqiptar, i cili prej vitesh e ka vendosur karrierën e tij në Barcelonë është rikthyer në Universitetin Europian të Tiranës një vit pas përvojës si kryetar i jurisë së çmimit të letrave shqipe “Kadare” . Kësaj herë në auditorë, ku po zhvillon një cikël të gjatë leksionesh të hapura me studentë të Komunikimit. Shehu zbulon për MAPO se së shpejti do të vijë për lexuesin me një roman të ri

Nga një përvojë e re, si ajo e kryetarit të jurisë së çmimit të letërsisë shqipe “Kadare”, shkrimtari dhe publicisti i njohur Bashkim Shehu ka kaluar në një tjetër përvojë të re; atë të lektorit në Universitetin Europian të Tiranës.

Shehu ka lënë Barcelonën, qytetin ku jeton dhe punon prej vitesh për t’u gjendur këto kohë në Tiranë. Me studentë te Komunikimit në UET, ai ka nisur një cikël prej dhjetë leksionesh të hapura ku do të ndajë me të rinjtë në auditor jo përvojën si shkrimtar, por atë si lexues, të cilën e quan njësoj të rëndësishme sa të shkruarit në një temë kryesore që përfshin raportet mes letërsisë moderne dhe filozofisë.

Sa i përket krijimtarisë së tij, shkrimtari zbulon se është duke punuar për një roman të ri dhe po bashkëpunon me UET Press për të sjellë një biografi të Liri Belishovës, e cila është ndarë nga jeta pak kohë më parë. Një biografi e cila siç zbulon Bashkim Shehu do të përfundojë më 2019 –ën dhe është bazuar jo vetëm në të dhënat arkivore, por edhe bisedat që shkrimtari ka bërë me Belishovën, të cilën e cilëson si të vetmen që bëri katarsis brenda kupolës komuniste.

Jeni kthyer në Universitetin Europian të Tiranës, një vit pasi ishit kryetari i jurisë së çmimit Kadare. Si ishte ajo përvojë atëherë, e lidhur ngushtë me karrierën tuaj si shkrimtar e publicist dhe si është eksperienca që keni me studentët në auditorë me ciklin e leksioneve të hapura?

Lidhur me përvojën e jurisë, mund të them se ishte e re për mua ngaqë ishte hera e parë që kryesoja një juri dhe, veç asaj, ishte më së shumti nëpërmjet një komunikimi nga larg me anëtarët e tjerë të jurisë. Kjo krijonte për mua një gjendje të çuditshme, interesante. U takuam pasi erdha këtu, në mbledhjen përfundimtare të përcaktimit të fituesit. Nga ana tjetër, përvoja e periudhës paraprake ajo e leximit të librave të paraqitur për të konkurruar, më dha mundësinë që të njihesha me nja dy shkrimtarë mjaft të mirë. Ndërsa në rastin e tanishëm është e kundërta e përvojës së jurisë në kuptimin që studentët i kam vazhdimisht përballë gjatë leksioneve. Po edhe kjo është një përvojë e re për mua ngase është hera e parë që jap leksione në një auditor me studentë shqiptarë. Gjer tani kam dhënë dy leksione dhe, nga i pari tek i dyti, shoh se kemi bërë nga një hap në drejtim të njohjes së ndërsjellë. Veç asaj, duke qenë se janë leksione të hapura, kanë ardhur edhe të jashtëm, mes tyre edhe njohës të mirë të lëndës, dhe kësisoj komunikimi zhvillohet, si të thuash, në dy rrafshe njëherësh.

Prej sa leksionesh përbëhet ky cikël dhe ku janë të përqendruara? Auditori përbëhet vetëm nga studentë të Departamentit të Shkencave të Komunikimit apo është edhe më gjithëpërfshirës? Bazohen në përvojën tuaj si shkrimtar e publicist?

Cikli përbëhet nga pesë tema, për t’u zhvilluar në dhjetë orë leksionesh. Tema e përgjithshme është ajo e raporteve ndërmjet letërsisë moderne dhe filozofisë, pra ka një natyrë transversale. Nuk bazohet në përvojën time si shkrimtar, por në përvojën time si lexues, që është po aq e rëndësishme për mua sa ajo e të shkruarit. Madje Borgesi thotë se leximi është një akt më intelektual se të shkruarit. Auditori përbëhet vetëm nga studentë të Departamentit të Komunikimit: leksionet vërtet janë të hapura, por studentët e departamenteve të tjerë janë të zënë me programet e tyre të detyrueshme. Ndërkaq, siç thashë, në leksione kanë ardhur edhe të jashtëm, të interesuar për tematikën dhe njohës të saj.

Prej vitesh jetoni në Barcelonë dhe mbase i keni humbur kontaktet me zhvillimet në arsimin e lartë shqiptar. Si ju duket brezi i ri i studentëve? A janë të interesuar të dinë më shumë përtej kurrikulave? A tregojnë kuriozitet? Krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre në perëndim kanë ngjasime apo te ne sistemi arsimor nuk është përditësuar aq sa duhet me zhvillimet e reja?

Nuk jam në gjendje të flas për brezin e ri të studentëve në përgjithësi. Mund të flas disi vetëm për studentët e pranishëm në dy leksionet që kam dhënë. Dhe përshtypja ime është se kanë kureshtje për të mësuar përtej programit. Së paku disa prej tyre, por kështu ndodh kudo, veçanërisht kur është fjala për fushën e humaniteteve. Problemi kryesor që shoh gjer tani është se janë disi të ndrojtur. Nga ana tjetër, në tërësi mund të them se janë mjaft të vëmendshëm dhe shpresoj që kjo do të ndikojë që komunikimi të bëhet më mirë dhe kësisoj ta kapërcejnë drojën.

A keni pasur përvoja mësimdhënieje më parë në Spanjë? A është një dimension që e konsideroni në të ardhmen, atë të botës akademike?

Një cikël me të njëjtën tematikë, por me një shtrirje më të gjerë kohore, e kam dhënë edhe në një universitet popullor në Barcelonë, të quajtur Shkolla Europiane e Humaniteteve. Aty nuk kishte studentë universitarë, por një publik prej moshash dhe profesionesh të ndryshme, njerëz shumë të kulturuar, aq sa mund të them se ishte gati njëlloj si të ndodhesha përballë postuniversitarësh të fushave për të cilat po flisja. Ishin njerëz që s’kishin asnjë detyrim për të ardhur dhe vinin thjesht nga kureshtja intelektuale. Për sa i takon përvojës sime, më tepër është ajo e mbajtjes së ligjëratave në institucione kulturore, po edhe arsimore, dhe jo përvoja akademike në kuptimin e rreptë të fjalës.

Sa i përket krijimtarisë a keni në duar ndonjë vepër të re për lexuesin?

Po, jam duke shkruar një roman.

Kam dëgjuar që po shkruani një biografi për Liri Belishovën, e cila u nda nga jeta pak ditë më parë. Kur e planifikoni ta sillni të botuar? A jeni bazuar në bisedat dhe rrëfimet e saj apo edhe burime arkivore dhe kujtime të bashkëkohësve dhe si e keni parë ju figurën e Belishovës, çfarë përfaqëson ajo për një epokë, por edhe për kujtesën historike të një vendi? Me pak fjalë çfarë synon të sjellë ky libër?

Po, është e vërtetë, jam duke u përgatitur për një libër të tillë. Mendoj ta përfundoj nga mesi i vitit të ardhshëm. Jam bazuar edhe në bashkëbisedime që kam pasur me Liri Belishovën, edhe në burime arkivore. Materialet që jam duke mbledhur do përpiqem t’i plotësoj edhe duke biseduar me njerëz që e kanë njohur, ndonëse kjo është e vështirë – ma merr mendja se pak prej atyre që e kanë njohur në momentet kyçe të jetës vazhdojnë të jetojnë. Gjithsesi, Liri Belishova në vështrimin tim përfaqëson një tragjedi. Tragjedinë e saj si njeri, në radhë të parë, por në të përthyhet në mënyra të ndryshme tragjedia e një epoke. Pikërisht këtu qëndron synimi im për këtë libër. Dhe shumë e rëndësishme në rastin e Liri Belishovës është se ajo ka qenë nga të paktët prej kupolës komuniste që kanë bërë katarsis – me sa di unë, e kanë bërë vetëm ajo dhe Bedri Spahiu. I rëndësishëm po kështu është edhe fakti se Liri Belishova është grua. Kjo e bën të veçantë në aspektin e raporteve të ndryshme që ka pasur në rrjedhë të kohëve me pushtetin totalitar, si forma më e skajshme e shtypjes.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Tirana e Erion Veliajt, metropoli i taksave të larta

Rritja drastike e taksave dhe tarifave e ka bërë Tiranën një qytet...
Read More