Bashkim Shehu: Shokë të një kalvari

Vetëm pak kohë pasi është botuar në spanjisht romani “Angelus Novus” i shkrimtarit Bashkim Shehu nga Shtëpia Botuese “Siruela” me përkthim të María Roces González dhe parathënie të Bernardo Atxaga-s, vjen një shënim kritik nga Ignacio Vidal-Folch në median spanjolle. Ky roman është publikuar fillimisht në shqip nga Botimet Toena në vitin 2005 dhe është përzgjedhur si finalist në konkurrimin për çmimin “Balkanika 2007”.

Nga Ignacio Vidal-Folch

Kur Enver Hoxha vendosi ta eliminonte Mehmet Shehun (në vjeshtën e 1981-shit), në një nga spastrimet periodike paranojake me të cilat kërkonte të imunizohej nga puçet e mundshme brenda pallatit dhe nga spiunazhi i të gjitha fuqive armike të botës, edhe familja e atij njeriu, gjer atëherë të pushtetshëm dhe të frikshëm (që kishte qenë shok i Hoxhës qysh nga vitet e luftës partizane kundër pushtuesve italianë), ra në fatkeqësi, sipas normës së diktaturave të orientalizuara.

Për Mehmet Shehun s’u mor vesh më asgjë. I biri, Bashkimi, hyri në burg, prej ku do të dilte pas vitesh të shumta, me shembjen e botës komuniste, i shndërruar në shkrimtar. Po çfarë shkrimtari se! Romanet e tij, të shkruara në Barcelonën ku jeton, të gjitha të shkëlqyera, janë të mbrujtura me këto përvoja kafkiane, frymojnë atmosferën toksike që është karakteristike për totalitarizmin e burgjeve, një botë e çuditshme, në kufijtë e marrëzisë së kulluar, dhe shpalosen, duke u mbështetur në përvetësimin e kulturës europiane moderne, përmes dëshirës për të ndriçuar kuptimin e fshehtë të përvojës së tragjedisë dhe përmes një rrugëdaljeje inteligjente.

Sapo është botuar (nga “Siruela”) Angelus Novus, titull (dhe subjekt) që i referohet akuarelit të famshëm të Paul Klee-së, që e ka pasur njëfarë kohe Ëalter Benjamin-i, i cili, kur u nis të ikte në Shtetet e Bashkuara duke kaluar nga Spanja, ia besoi Georges Bataille-it, pastaj u bë e Theodor Adorno-s, pastaj e Gershom Scholem-it, ndërsa tani ndodhet në muzeun e Izraelit, në Jerusalem.

Benjamin-i ka shkruar (dhe falë atij shkrimi ky akuarel është vepra më e famshme e Klee-së) se engjëlli i hutuar i kësaj tabloje është “engjëlli i Historisë”: “Fytyrën e mban të kthyer nga e kaluara. Aty ku ne shohim një vargëzim ngjarjesh, ai shikon një katastrofë të vetme, që grumbullon gërmadha mbi gërmadha duke i hedhur te këmbët e tij. Ai do të donte vërtet të rrinte e të vonohej, t’i zgjonte të vdekurit dhe të mblidhte gjithçka të copëtuar.

Mirëpo, ndërkaq, nga parajsa fryn shakullina e një shtrëngate që përplaset në flatrat e tij, aq furishëm sa ai, engjëlli, më nuk mund t’i mbyllë. Kjo shakullinë shtrëngate e shtyn pandalshëm drejt një të ardhmeje, së cilës ai i ka kthyer shpinën, teksa pirgu i gërmadhave përpara tij lartohet gjer në qiell. Kjo shtrëngatë është ajo që e quajmë progres”.

KUPTIMI I VUAJTJES DHE I VDEKJES

Edhe Shehu është ai Angelus Novus, ai Ëalter Benjamin që, pas Anschluss-it, pyeste veten “nëse është i mundshëm një konceptim i kuptimshëm i vuajtjes dhe i vdekjes”. Por, nëse do të thosha që romani i sapodalë është një meditim mbi jetën, veprën dhe vdekjen e parakohshme dhe tragjike të Ëalter Benjamin-it, lexuesi potencial ndoshta do të sprapsej, ngaqë Benjamin-i është mendimtari më i përmendur nga gjithfarë mashtruesish e snobësh intelektualë në këto tridhjetë vjetët e fundit, një epidemi e vërtetë.

Dhe do të ishte gjynah. Angelus Novus është, gjithashtu, rrëfimi i miqësisë së fortë dhe i bisedave meditative të autorit me një bashkëvuajtës të quajtur Mark Gjoka, tek bëjnë shëtitje në oborrin e burgut të Burrelit, ashtu si grekët e lashtë në Stoa. Një jetë në robëri dhe e varfër, e thjeshtuar gjer në kockë, si të thuash, por ndoshta pikërisht për këtë përjetohet dhe kujtohet intensivisht, njëlloj sikurse dhimbja e një plage na bën të vetëdijshëm për organin e dëmtuar. Liria dhe njohja, ndoshta, mund të ndihen më shumë si aspiratë sesa përvojë e arritshme. Mungesa e tyre është prania e tyre.

Ky roman i shkurtër, i përpiktë, mbi miqësinë dhe njohjen (dhe mbi Ëalter Benjamin-in), portretizim i tre apo katër ritakimeve të Mark Gjokës, të cilin, ashtu si mendimtarin gjerman, liria e priste (duke vështruar sahatin) në Shtetet e Bashkuara, arrin të plazmohet në mënyrë të mahnitshme dhe befasuese si monument i një të burgosuri që, pasi lirohet, bëhet mendim, duke u përpjekur të përfundojë atë punë që engjëlli, i rrëmbyer nga stuhia, me krahë të shqyer, i shtyrë drejt progresit, nuk mundi ta përfundonte.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Sa iu kushton qytetarëve bllokimi i sheshit ‘Skënderbej’

Nga Ing. Xhevair Ngjeqari - Bllokimi i sheshit “Skënderbej” iu kushton shqiptarëve: V...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.