Bashkimi i opozitës, i pashmangshëm dhe i dobishëm

Nga Ervis Iljazaj

Të gjitha partitë politike të opozitës janë bashkuar në një front opozitar të përbashkët si pasojë e situatës që është krijuar me ngjarjet e fundit politike. Sapo u publikua dosja Habilaj që implikonte ish-ministrin e rendit, nën drejtim e Bashës opozita thirri një tryezë të përbashkët me të gjitha forcat opozitare.

Ende nuk është e qartë axhenda dhe aksioni politik i këtij fronti për sa iu përket veprimeve politike që do të ndërmarrë, por në këto momente ky bashkim ishte i pashmangshëm dhe në dobi të interesit publik, për të zhvilluar detyrën opozitare në mënyrë sa më efikase.

Ka shumë paragjykime ndaj këtij bashkimi, për faktin se për të luftuar fenomene të tilla kaq shqetësuese kërkohet një aleancë, më së pari morale dhe më pas politike. Dhe sa për moralin e këtij bashkimi ka vend për diskutim.

Por, degradimi i situatës në këto nivele dhe kontrolli i disa prej strukturave të policisë së shtetit nga ana e krimit të organizuar sipas hetimeve, kërkonte me patjetër një aksion politik të kësaj përmase.

Vetëm nëse opozita është e bashkuar mund t’i bëjë ballë situatës aktuale në interes të qytetarëve, dhe të bëhet zëri i tyre duke denoncuar implikime të tilla edhe në nivel politik.

Deri më tani opozita ka qenë në detyrë dhe e ka bërë mirë atë.

Prandaj, nuk ka rëndësi nëse para zgjedhjeve Partia Demokratike dhe LSI, zhvilluan një fushatë agresive kundrejt njëra-tjetrës edhe me akuza të rënda.

Politika funksionon me logjikën e momentit. Kështu që në këtë moment ky bashkim në një farë mënyre është i detyrueshëm.

Partia Demokratike, duhet të jetë në krye të këtij aksioni, duke qenë se është forca më e madhe opozitare. Sepse nga protagonizmi i forcave të tjera, siç po ndodh në fakt me Lëvizjen Socialiste Për Integrim, krijohet ideja që ky bashkim ka dy bashkëkryetarë.

Ndërkohë që, LSI është një forcë politike në përmasa që as nuk e mban dot një peshë të tillë politike dhe as nuk është në kushte ta ushtrojë atë.

Prandaj, Lulzim Basha duhet të ketë kujdes dhe nuk duhet të vërë në diskutim rolin e tij si lideri i opozitës. Në të kundërt ky aksion do të sfumohet në sytë e opinionit publik.

Bashkëpunimi i Partisë Demokratike me LSI, përtej çdo diskutimi moraliteti apo korrektësie politike, është i pashmangshëm dhe i dobishëm. Në këtë mënyrë opozita e bashkuar është më e fortë politikisht dhe presioni dhe kontrolli ndaj mazhorancës për sa iu përket çështjeve kaq delikate është më i madh, gjë e cila shkon në interes të politikës dhe qytetarëve.

Në këtë situatë politike, debate për bashkimin e këtyre dy partive, nëse është i duhur apo jo nuk ka asnjë rëndësi. E rëndësishme është që opozita të zhvillojë detyrën e saj në mënyrë sa më efikase për interesin publik.

Ditët në vijim, nga veprimet që do të ndërmarrë ky front opozitar do të shihet nëse aksioni i tij do të jetë efikas apo jo. Është shumë e rëndësishme që ky aksion të fokusohet te çështjet e interesit publik dhe jo tek interesi politik i momentit, siç ndodh shpeshherë në këto raste.

Është detyra e opozitës që të ketë në fokus të axhendës së saj interesin e shqiptarëve dhe Shqipërisë, sidomos në një situatë të tillë shqetësuese dhe delikate për fatin e vendit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Tensioni i ulët i gjakut, kur duhet të shqetësohemi, shenjat

Tensioni i ulët që nuk shkakton shenja apo simptoma të lehta nuk...
Read More