Baton Haxhiu: Historinë e Berishës po e vret Shkëlzeni dhe Armina

Gazetari dhe publicisti nga Kosova ishte i ftuar në Forumet UET nën moderimin e Belina Budinit, ku analizoi politikën në Shqipëri dhe në Kosovë dhe komentoi sjelljet politike të liderëve kryesorë politikë  

Edi Rama është një autoritet intelektual në gjithë botën shqiptare, ndërsa Basha nuk është opozitari që krijon shpresë për të ardhur në pushtet. Sali Berisha po lufton për partinë duke vrarë historinë e vet politike. Argita Berisha është më e mira për në PD, por e pengon i vëllai duke u shfaqur në jetën e luksit me Arminën. Pak a shumë ky ishte profilizimi që gazetari nga Kosova Baton Haxhiu u bëri liderve politikë shqiptarë gjatë një bisede të hapur me studentë dhe pedagogë të UET-it gjatë Forumeve UET të mërkurën në mbrëmje. Ai analizoi qeverisjen, opozitën dhe vijëzoi një profil politik dhe psikologjik për disa prej politikanëve shqiptarë.

Rama reformator i shijes dhe autoritet intelektual

Duke e konsideruar ndikimin e faktorit shqiptar në Ballkan si më të fortin në histori, këtë meritë ai ia vesh Ramës dhe sjelljes së tij karshi Serbisë. “Referenca shqiptare nuk është më në periferi të Ballkanit”- tha ai dhe për këtë i ka meritat Rama duke qenë relaksues i marrëdhënieve me Serbinë, pavarësisht se rrezikonte të linçohej në Kosovë. “Rama është më popullor në Kosovë se të gjithë liderët e tjerë shqiptarë. Ai është një autoritet intelektual, jo politik, në botën shqiptare. E ka arritur pikën e autoritetit mbi konjukturat e tjera”- tha Haxhiu.  Duke iu përgjigjur pyetjes se për çfarë e ka këshilluar Ramën dhe cila është reforma e qeverisjes së tij të cilën ai vlerëson më shumë drejtuesi i “Klan Kosova” tha se “me Ramën njihemi që nga viti 1991 dhe nuk ka të bëjë me konsulencat politike. Ka të bëjë me  miqësinë dhe besimin. Por për një gjë kam qenë i sigurt tek Rama, që reformën e shijes do ta bëjë.  Reforma e parë për mua është reforma e shijes. Është ekselente  dhe është një  prej gjërave që do e shijojë çdo shqiptar për një kohë të shkurtër. Nuk ke pasur qytet në Shqipëri ku ke mundur t’a bësh një fotografi dhe shihni fotografitë, për vite të tëra i keni ose përpara sheshit “Skënderbej” ose tek një det i cili nuk përfaqëson asgjë. Dhe këto 4 vite nëpër qytetet mund të bësh fotografi. Me sa di unë një pjesë e shijes ndërtohet brenda dhe atëherë njerëzit duke parë diçka të bukur e zgjerojnë vetë shijen, nuk mundesh secilit  t’ja ndërtosh dhe  zgjerosh shijen, në rast se shteti nuk ka ndërhyrë në shijen e parë”.

Por ai pranoi më pas se tek profili psikologjik i Ramës, autoritarizmi ishte një rrezik. Sipas Haxhiut të qënit intelektual e bën njeriun arrogant dhe dëshirojnë ta imponojnë mendimin e tjetrit dhe të qënit intelektual dhe me shije e bën që të ndikojë shijen e tij në çdo gjë duke rrezikuar të kthehet në autoritarizëm. “Pikërisht për këtë duhet të jetë shoqëria, ne gazetarët, që të mos e lëmë të ndodhë, pasi nuk kam shpresë se mund të ndodhë ndonjë rebelim në Partinë Socialiste.”- tha ai.

Historinë e Berishës po e vret Shkëlzeni dhe Armina

Baton Haxhiu tregon se ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të Sali Berishës në vitin 2005 dhe ka ndihmuar shumë për ardhjen e tij në pushtet, por është zhgënjyer fort në mandatin e tij të dytë qeverisës. Nga ana tjetër, ai i këshillon Berishës që të tërhiqet dhe të ruajë historinë e tij politikë duke mos e banalizuar atë me facebook dhe me përpjekje për të mbajtur partinë duke vrarë historinë e tij politike. Problemi më i madh për Berishën dhe për gjithë familjen e ish-kryeministrit për Haxhiun është sjellja e të birit, Shkëlzenit dhe të dashurës së tij modele, Armina Mevlani. Duke shfaqur një jetë luksi në rrjetet sociale, sipas tij, ai po demonizon të atin dhe po pengon dhe motrën, Argitën, që të hyjë në politikë. “Nuk mund t’ia bësh babës që ka bërë diçka për Shqipërinë, në mënyrë më të vrazhdë  të mundshme me asi referencash kulturore njeriut që është munduar ta moralizojë çdo situatë në Shqipëri dhe afër në shtëpinë e tij ka një diçka që çdo ditë ia nxin jetën. Kjo është e padurueshme. Prandaj goditet Argita, e cila është një nga njerëzit më të zgjuar që njoh unë, me me karakter të fortë dhe më stabël, por si duket ajo nuk e ka guximin të hyjë në politikë për shkak të asaj që ka bërë vëllai i saj ose që i bën çdo ditë. Kujt i interesojnë darkat dhe veshjet dhe ku janë ato lekë që për çdo ditë të atij njeriu me të dashurën e tij në çdo cep të botës? Po mbase kjo nuk është një shfaqje e mirë për njerëzit të cilët kanë paguar taksa dhe kanë pasur bindjen se doktori është i pakorruptuar.Shkëlzeni dhe Armina e demonizojnë në mënyrë më të vrazhdë me prirjet sociale njeriun që ka kontribuar në histori dhe në politikë në Shqipëri. Kjo është për të ardhur keq. Unë po flas për të keqen e dukjes se për të keqen e mosdukjes le të merret prokuroria”.

Basha i shtypur psikologjikisht

“Opozitarizmi realisht kërkon shpresë, kërkon përballje, kërkon ikje nga konjuktura dhe për faktin që asnjë prej këtyre elementeve nuk është tek këto dy parti kemi kaluar në një periudhë të dembelizmit politik dhe dembelimi politik do të instalohet ndoshta nga vetë miku im Rama, i cili nuk ka një kundërpeshë politike për momentin”- u shpreh analisti nga Kosova duke analizuar opozitën në vend.  Ai nuk fshehu zhgënjimin që në krye të opozitën ndodhet Lulzim Basha, duke e cilësuar atë si të shtypur psikologjikisht gjatë rinisë së tij në Kosovë. “Deri pak javë më herët kam besuar, që Basha do të vijë në pushtet nga gabimet e pushtetit, por jo nga politika. Tani jam shumë skeptik, a do të vijë në pushtet nga gabimet e pushtetit. Duke njohur Lulin,  dhe jetën e tij në Kosovë, Basha ka jetuar në një atmosferë shumë të rëndë në Kosovë dhe ka pasur shef një njeri që ka qenë prokuror. S’dua të hyj në profilin psikologjik, por prokurorët janë personalitete profesionale që nuk të lënë të mendosh, të zhvillohesh, duan të të dominojnë, të të zhveshin prej autoritetit, prej idesë se mund të thuash diçka ndryshe. Mendoj që duke qenë në Kosovë për kaq vite i tillë, nën thundrën e një prokurori ndërkombëtar, kam përshtypjen që duke u rritur aty, Basha edhe kur bërtet për të shënuar një kthesë të vetën nuk është njeriu që del nga ajo shtypje që ka përjetuar”- theksoi Haxhiu.

Analisti pak e preku politikën në Kosovë, por në një analizë të shkurtër ai tha se në Kosovë është kjo kastë politike që e ka krijuar qeverinë, ose e krijon nesër, pasnesër, e cila është në fund të karrierrës. “Kur kundërshtitë grumbullohen në një pikë, atëherë ata hyjnë atje për të shpëtuar së fundmi rebelët dhe kjo ka ndodhur në Kosovë”- tha ai.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Gjok Nonaj: Shuhet rapsodi 107-vjeçar, më i vjetri edhe në Europë

Është ndarë nga jeta në moshën 107-vjeçare lahutari Gjok Nonaj, rapsodi më...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.