Baza e NATO-s në Kuçovë, politika e mirëpret me xhelozi

Petro Koçi: Kjo bazë, e para e këtij lloji në Ballkanin Perëndimor dëshmon përparësinë e Shqipërisë për sigurinë në rajon. Tritan Shehu: S’mund të përdoret si fishekzjarr politik!

Ndonëse janë në një linjë për përfitimin e modernizimit të bazës ajrore të Kuçovës nga NATO, palët politike nuk kishte se si të mos reagonin me xhelozitë përkatëse se kush e ka meritën e afrimit të vendit me Aleancën Veriatlantike. Ndërkohë që në postimin e tij zv.ministri i Mbrojtjes Petro Koçi paraqitet më i përmbajtur, në reagimet që kanë ardhur nga e djathta nuk fshihet ‘mëria’ për atë që shumica e ka paraqitur në publik si një fitore të saj në marrëdhëniet ndërkombëtare. Tritan Shehu, thotë se oferta e pranuar nga NATO po përdoret për përfitim politik, ndërkohë ish-kryeministri Berisha shkon edhe më tej duke i akuzuar socialistët për devijim të projektit nga Farka në Kuçovë.

Koçi: Shqipëria rol për paqen në rajon

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, përmes një statusi në ‘Facebook’ e cilësoi projektin e NATO për modernizimin e bazës ajrore në Kuçovë një investim me rëndësi të madhe politike dhe ushtarake. Kjo bazë, sipas Koçit dëshmon peshën dhe përparësinë që përfaqëson Shqipëria për sigurinë dhe paqen në rajon. Po ashtu, ai shtoi se nga ana tjetër rritet prezenca e NATO-s në rajonin tonë në përgjigje të rolit jomiqësor ndaj interesave euroatlantike të vendeve të tilla si Rusia. “Zhvillimi i Bazës Ajrore të Kuçovës nën kujdesin e NATO-s për t’u shndërruar në një bazë bashkëkohore për qëllime mbështetjeje logjistike për operacionet e furnizimit të forcave ajrore, për mbështetje të operacioneve të patrullimit ajror dhe natyrisht për qëllime stërvitore të forcave ajrore të Aleancës përbën një investim me rëndësi të madhe politike dhe ushtarake.

Kjo bazë, si e para e këtij lloji ne Ballkanin Perëndimor dëshmon peshën dhe përparësinë që përfaqëson Shqipëria për sigurinë dhe paqen në rajon si edhe rritjen e prezencës së NATO-s në rajonin tonë në përgjigje të rolit jomiqësor ndaj interesave euroatlantike të vendeve si Rusia. Ndërkohë ky modernizim do të rrisë kapacitetet ushtarake të Forcës tonë Ajrore”, shkruan Koçi.

Tritan Shehu: S’mund të përdoret si fishekzjarr politik

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, tha se kryeministri Rama nuk mund ta përdorë këtë ngjarje si “fishekzjarrë” politik për të kamufluar realitetin e brendshëm. Ai thotë se i gjithë rrugëtimi i Shqipërisë drejt NATO-s, lidhet me qeverisjen e PD deri në anëtarësimin e plotë. “Çdo rritje e prezencës së NATO në Shqipëri, është thellësisht e dëshiruar, stimuluar dhe mirëpritur nga ne; kjo është e “shkruar edhe në gjenet” tona. Por është më e dobishme që kjo Qeveri të përpiqet të realizojë “detyrat e shtëpisë” e të mos përdori vendime të mundshme pozitive të NATO ndaj nesh e Rajonit, si “fishekzjarre” politike për të kamufluar realitetin tonë të brendshëm”, shkruan ndër të tjera në statusin e tij deputeti Tritan Shehu.

Berisha: E vërteta e bazës ajrore të Kuçovës!

Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar një mesazh të një grupi ushtarakësh në lidhje me bazën e Kuçovës, duke theksuar se plani për shndërrimin e saj në bazë ajrore të Forcave të Armatosura dhe të NATO-s është penguar prej vitesh. “Përse e kanë kërkuar sot? Sipas gjykimit tonë, tani u intereson që tokat e Farkës ku është Grupi i Helikopterëve, t’i privatizojnë. Firma shumë e përfolur Fusha ka influencën më të madhe në atë zonë dhe në atë tokë ku sot është Regjimenti i Helikopterëve. Projekti i gatshëm, i përfunduar në shtator 2011 është 45 faqe. Madje në procesin e turpshëm kundër Gjeneral Syrja Gjokes, është dorëzuar si material i plotë komplet Masterplani i zhvillimit të Bazës Ajrore Kuçovë por prokuroria e Beratit nuk e mori fare në konsiderate”, shkruhet në postimin e publikuar në faqen e tij nga Berisha.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Bëhet ‘modë’: Dhunohet dhe sulmohet me thikë trajneri i Tiranës

Një ngjarje e rëndë nga ndodhur pak minuta më parë në kompleksin...
Read More