BE, e paqartë për të ardhmen e Shqipërisë

Nga Blendi Lami

             Sipas një studimi të Universitetit të St Gallen-it, nëse do të ndiqet lista e kritereve për hyrjen në BE dhe zbatimi i reformave të imponuara nga Brukseli, vendet e Ballkanit Perëndimor si Shqipëria dhe Maqedonia do ta kenë të vështirë të gjejnë “ritmin europian zhvillimor” dhe mund të pranohen në BE nga viti 2050. Si pengesë për përmbushjen e këtij synimi më herët, studimi nënvizon situatat kaotike politike në këto vende, dhe përplasjet gjeopolitike të fuqive të mëdha. Një pikë tjetër kryesore e studimit është se zgjerimi bazohet në progresin e një vendi dhe jo në politikën “ekspansioniste” të Unionit.

Ka një kontradiktë thelbësore mes organeve të BE, siç u demonstrua në mosrakordimin e fundit mes rekomandimit të Komisionit Europian dhe vendimit të Këshillit të Ministrave të BE: nga njëra anë, përfshirja në BE përmes progresit të arritur dhe nga ana tjetër, vendimi politik i Komisionit që – më në fund – ka një vizion më të gjerë dhe afatgjatë për ndërtimin e Europës së ardhshme.

Komisioni doli me konkluzionin se vendi i Shqipërisë është në Europë dhe ftesa duhet të materializohet në projekte konkrete, gjë që do të thotë se viti 2050 mund të afrohet përmes një mbikëqyrjeje më të rreptë nga BE. Sipas Juncker, kjo do të sillte dy avantazhe: së pari, “do të ishte e rrezikshme që të linim vendet aspirante për në BE në një pasiguri strategjike, pavarësisht sfidave në Union”; dhe së dyti, “refuzimi ndaj politikës së ‘dyerve të hapura’ do të ishte një gabim i madh për projektin europian, sepse kjo gjë do të aktivizonte Rusinë në rajon dhe do të ndikonte në humbjen e konfidencës së këtyre vendeve për të ardhmen europiane”. Për këtë arsye, Juncker thotë se “e inkurajoj Perëndimin të marrë vendime të rëndësishme strategjike”.

Por me raportin e 26 qershorit 2018 rezultoi se vendet sovrane janë më të fuqishme se institucioni supranacional – BE, dhe e përmbysin vendimin e tij. U vendos që për një periudhë prej një viti e gjysmë do të ketë monitorim të reformave dhe progresit në bazë të raportit vjetor të Komisionit. Vendimi për të hapur negociatat me Shqipërinë do të kryhet pas një Konference Ndërqeveritare në fund të vitit 2019, nëse do të gjykohet se është arritur progres. Reformat do të bazohen në pesë prioritete: reforma në administratën publike, reforma në gjyqësor, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut. Me shumë gjasa, Shqipëria do ta ketë të pamundur të realizojë progresin e pritshëm për shumë arsye politikës së brendshme shqiptare.

Ka edhe arsye me rrënjë në politikën e BE që Shqipëria të mos pranohet as në fund të vitit 2019 dhe as më vonë. Kriza e anëtarësimit pas Brexit, populizmi që i ka shtënë frikën politikanëve të shumë vendeve, dhe euroskeptizicmi i disa shteteve ka sjellë në vëmendje debatin e sovranitetit në kurriz të supranacionalitetit. Siç u demonstrua, Franca, Holanda dhe Danimarka shpërfillën vendimin e Komisionit në lidhje me hapjen e negociatave me Shqipërinë. Në këtë mënyrë, më shumë përparësi mori interesi kombëtar i këtyre shteteve përpara interesit të përgjithshëm europian. Mbetet një diskutim i vazhdueshëm, por është e qartë se ekziston një kontradiktë mes interesit kombëtar dhe atij mbikombëtar, gjë që e pengoi edhe këtë proces – apo afrimin e Shqipërisë me Europën. “Barrat” e përmendura më sipër, pikat që duhet të përmbushë Shqipëria për të qenë “e denjë” për BE, janë relative dhe të interpretueshme.

Në këtë spektër, me ndryshimet e mundshme edhe në arkitekturën e sigurisë, të diktuar edhe nga roli i SHBA në NATO në raport me aleatët e tjerë, Shqipëria mund të mbetet jashtë zonës së influencës së “perandorisë” europiane.

Nisur nga nisma e Juncker për marrjen e një “vendimi strategjik” për Shqipërinë, por edhe nga mënyra se si BE ushtron tashmë politikën e jashtme, tentohet të kapërcehen kufijtë e vendimmarrjes së Këshillit Europian. Sipas strategjisë aktuale (EU Global Strategy), të parashtruar nga Federica Mogherini më 2016, “asnjë shtet nuk duhet të kundërshtojë sfidat e jashtme që ndikojnë Unionin nga brenda”.

Por krisja mes vendimmarrjes së Unionit dhe shteteve anëtare e dëmton pozitën europiane. Kjo strategji konsiderohet si domosdoshmëri në rritjen e profilit të Unionit në arenën ndërkombëtare. Vetëm pas përcaktimit të interesave të qarta të përbashkëta dhe identifikimit të kërcënimeve nga jashtë, BE do të jetë në gjendje të fitojë status si fuqi e madhe dhe do të neutralizojë fuqi të tjera, si SHBA, Rusi dhe Kinë në zonat e saj të influencës – nëse hapësira shqiptare merr interes prej BE.

Me vendimin për Shqipërinë, Europa tregoi se për momentin mjaftohet me ruajtjen e status quo-së: një prani të cunguar dhe me një shtyrje afati në letër, por pa garanci për të ardhmen. Me sa duket, në konceptin e francezëve, holandezëve dhe danezëve, por edhe gjermanëve si lider të Unionit, hapësira shqiptare nuk ka rëndësinë e duhur dhe është në interesin e tyre strategjik. Kështu mund të veprohet si në rastin e Turqisë, e cila tashmë konsiderohet për BE më shumë partnere sesa kandidate. Ky hezitim i BE, në varësi të situatave të ardhshme dhe lojës së aktorëve të tjerë, mund të ketë parashikuar edhe një skenar tjetër për të ardhmen e Shqipërisë: mospërfshirjen në BE. Në këtë rast, do të ndiqet një model tjetër si p.sh. partneritet i privilegjuar apo fqinjësi e mirë, thjesht për hir të stabilitetit në periferi të saj. Vendimi i fundit tregon se, nëse një ditë Shqipëria do të futet në BE, kjo do të ndodhë jo për meritë të saj, por për interes të BE.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Lindita Bajraktari: Pas 22 vitesh karrierë m’u desh një Master

Një moment i pafavorshëm siç ishte shkurtimi i vendit të punës, u...
Read More