BE-Shqipëri: Si u arrit konsensusi PS-PD për negociatat

PS e PD gjetën gjuhën e përbashkët për të miratuar një deklaratë me rekomandime në mbyllje të mbledhjes dyditore të Komitetit Ndërparlamentar të Stabilizim-Asocimit BE-Shqipëri.

Më në fund në sy të eurodeputetëve, mazhoranca dhe opozita gjejnë dakordësinë për çështjen e integrimit. Palët dolën me rekomandime të përbashkëta në përfundim të mbledhjes dyditore të Komitetit Ndërparlamentar të Stabilizim-Asocimit BE-Shqipëri. Dakordësia u njoftua që më parë nga deputeti Taulant Balla, i cili tha: “Kemi një dakordësi të plotë mazhorancë-opozitë, ku rekomandohet hapja e negociatave dhe caktimi i një date. Lajmi i mirë është që më në fund kemi një dokument të përbashkët edhe me opozitën. Jemi të gjithë bashkë për të punuar për Shqipërinë europiane”. Kjo ishte mbledhja e 12 e këtij komiteti. Në dy mbledhjet paraardhëse, nuk ka patur konsensus dhe punimet e këtij Komiteti nuk kanë dalë me një deklaratë të përbashkët. Në mbledhjen e djeshme foli edhe ambasadorja e BE në Tiranë që u përqendrua në rezultatet e Reformës në Drejtësi që sipas saj mbeten thelbësore. Romana Vlahutin tha se efektet e para të reformës po ndihen.

Prapaskenat e dakordësisë PS-PD

Po si u arrit në dakordësinë e mazhorancës dhe opozitës për hir të integrimit? Burime nga Kuvendi thanë se pas diskutimeve të hapura për median, ku anëtarët e këtij komiteti këmbyen replika dhe akuza që nga vjedhja e votës e deri te droga, u kërkua një pushim. Me daljen e mediave jashtë, për 1 orë e 45 minuta në një nga zyrat e Kuvendit, u mblodhën pa zhurmë kryetarja e delegacionit të komisionit parlamentar të stabilizim-asocimit BE-Shqipëri Monica Macovei, eurodeputetët Edurad Kukan dhe Vladimir Urutchev, ekspertët europianë, me kryesuesin e delegacionit shqiptar Taulant Balla dhe kryesuesin e deputetëve opozitarë në komitet Genc Pollo. Me bërjen të qartë në këtë takim të idesë nga zyrtarët europianë, Komisioni Europian do të japë dakordësinë dhe negociatat do të çelen, asnjë nga palët me sa duket nuk dëshiroi të bëjë rolin e penguesit. Pavarësisht kësaj, në takimin që u mbajt larg syrit të medias, saktësojnë të njëjtat burime, thuhet se janë diskutuar amendamentet që më pas morën miratim. Ndër të tjera, PD nguli këmbë te rekomandimi për ndalimin e përdorimit të gjuhës së urrejtjes dhe sulmeve politike ndaj gazetarëve.

Macovei: Luftoni korrupsionin

Kryetarja e delegacionit të Parlamentit Europian në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asocimit, BE-Shqipëri, në sesionin e dytë të tryezës u ndal te korrupsioni. Eurodeputetja kërkoi nga klasa politike shqiptare më shumë përpjekje në luftën kundër korrupsionit. “Opozita dhe mazhoranca duhet të kuptojnë se korrupsioni çon në varfëri. Paratë e buxhetit janë para që dalin nga xhepat e qytetarëve”, deklaroi ajo. Sa u takon zgjedhjeve dhe shqetësimeve të opozitës, Macovei i komentoi shkurt duke u ndalur te raporti i OSBE/ODIHR. “Në raportin e OSBE/ODIHR thuhet se zgjedhjet kanë qenë në përputhje me standardet. Rekomandimet janë që reforma duhet të jetë gjithëpërfshirëse”, u shpreh ajo. Po ashtu, Macovei ka qenë tejet e ashpër dhe e drejtpërdrejtë me të dyja palët, kur u ka kërkuar bashkëpunim dhe lënien mënjanë të kundërshtive, për hir të integrimit.

Kukan: Bëhuni bashkë për integrimin

Eurodeputeti Eduard Kukan u shpreh i bindur se Komisioni Europian do të rekomandojë hapjen e negociatave të anëtarësimit për vendin tonë. Por, vendimi përfundimtar merret nga Këshilli i Europës dhe për të bindur këtë këshill, Kukan i këshillon klasës politike shqiptare, që përveç reformave dhe shtetit ligjor, nevojitet edhe uniteti. “Shoh që ka një unitet nga të gjitha partitë politike për të mirëpritur hapjen e negociatave. Është e domosdoshme që të jeni të gatshëm dhe të tregoni që e meritoni. Unë nuk kam asnjë dyshim që Komisioni do të rekomandojë hapjen e negociatave, por Këshilli e merr vendimin”, u shpreh ai. Deklarata e Kukan u bë në sesionin e dytë të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit, BE-Shqipëri.

Opozita: Rama përgjegjës për kanabisin

Por dakordësia nuk e ka penguar opozitën për të qenë e ashpër në trajtimin e kauzave të saj në mbledhjen e Komitetit Ndërparlamentar të Stabilizim-Asocimit BE-Shqipëri. Deputetët e opozitës u fokusuan te përgjegjësia e kryeministrit Edi Rama për çështjen e kanabisit. Kryetari i Komisionit të Integrimit Genc Pollo tha se në vend është krijuar infrastrukturë kriminale prej kultivimit të kanabisit dhe se rasti i ish-ministrit të Brendshëm tregon lidhjen e bandave me qeveritarët. “Kjo është një sfidë për Shqipërinë dhe njohja e problemit në kohë është e rëndësishme, jo siç ndodhi, duke e mohuar këtë situatë për vite të tëra”, u shpreh Genc Pollo. Ndërsa deputeti Aldo Bumçi iu referua edhe raportit të Departamentit të Shtetit dhe tha se “kanabizimi i Shqipërisë është projekt politik i kryeministrit Rama”. “Kryeministri publikisht bënte shaka me ministrin e tij të Emigracionit, kur i thoshte se për ditëlindjen tënde të kam sjellë verë dhe jo hashash, sepse ti nuk e pi”, vuri në dukje Bumçi bisedën e Ramës me Majkon. Ai përmendi edhe qëndrimin e kryeministrit në një takim publik me fermerët, kur i pyeti se si janë me mbjelljen e hashashit.

Bylykbashi: Duhet votimi elektronik

Partia Demokratike iu referua raportit të OSBE/ODIHR për të ngritur shqetësimet e veta në lidhje me zgjedhje në sesionin e dytë të takimit të Komitetit të Stabilizim-Asocimit BE-Shqipëri.

Në fjalën e mbajtur në këtë komitet, deputeti Oerd Bylykbashi renditi vërejtjet kryesore që jepen në raport. “Rekomandimi prioritar i OSBE/ODIHR ka dalë shitblerja e votës. Rekomandimi i dytë lidhet me presionin mbi zgjedhësit dhe se kemi përfshirje të krimit të organizuar në proceset zgjedhore”, deklaroi ai. Zgjidhjen për zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, opozita e sheh te votimi elektronik, por thotë se duhet vullnet dhe konsensus nga të gjitha palët. “Votimi elektronik do të adresojë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR, por nëse Reforma Zgjedhore nuk ka konsensus nuk do të prodhojë asgjë”, u shpreh deputeti i PD. Përmes Klajda Gjoshës, edhe LSI ka vënë theksin dhe nevojën, sipas saj, urgjente për një reformë zgjedhore.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Si mund të shpëtojnë botën, idetë më radikale të Kejnesit

Nga Ryan Cooper, The Week Teksa po afrohej Lufta së Dytë Botërore, ekspertët...
Read More