Belina Budini: Edi Rama, nga “produkt” i mediave në “xhelat” të tyre?!

Prof. as. dr. Belina Budini, drejtuese e Departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit në UET

Nisma e kryeministrit Edi Rama për të ashpërsuar ligjin ndaj shpifjes ka prekur drejtpërdrejt median në vend. Përse ky reagim në këtë kohë dhe a është një formë për të shkëputur vëmendjen nga disa përgjime, akuza, kundërpërgjime dhe publikime të tjera të cilat minimalisht ka dyshime për implikimin e zyrtarëve të lartë politikë brenda mazhorancës për afera apo lidhje me krimin?

Momenti kur vjen kjo nismë nga ana e kryeministrit, e nxjerr atë zbuluar si një akt të nxitur nga ndjeshmëritë dhe interesat vetjakë në qeverisje. Në kushtet e një atmosfere publike të ngarkuar me skandale dhe implikime të njëpasnjëshme të deputetëve të mazhorancës apo ministrave të kësaj qeverie, të gjithë po merren në to që nga gazetat e televizionet deri te portalet dhe individët në llogaritë e tyre në rrjetet sociale.

Pavarësisht dukurisë së fragmentarizimit ose copëzimit të audiencave, ngjarje me protagonistë vëllezër të ministrave apo djem deputetësh, histori të tilla krimesh dhe bandash, të ndërlidhura me politikën, janë unifikuese dhe tërheqin vëmendjen e të gjithëve. Interpretimet, gjykimet dhe reagimet ndaj këtyre rasteve dhe ngjarjeve janë të pashmangshme dhe të përpiqesh t’i kontrollosh apo të ndikosh perceptimet për to është aq e vështirë sa duket përpara kësaj vështirësie të re, as komunikimet e sofistikuara të PR-it qeveritar nuk kanë funksionuar.

Për t’i bërë të efektshme këto komunikime, duket se nuk mjaftojnë më dronët dhe operacionet digjitale, as lidhjet direkte me pronësinë e mediave të informacionit. Nuk mjaftojnë më flirtimet me politikat editoriale të redaksive të lajmeve dhe as imponimi me dhunën e fjalëve nëpër emisione televizive, ku ndodh që shpërthimet verbale të të kthehen në bumerang. Për të gjitha këto arsye, duket se e vetmja rrugë e shkurtër për të marrë një farë kontrolli mbi komunikimet publike, nga ana e qeverisë, ka mbetur shtrëngimi me anë të instrumenteve ligjore dhe shtetërore.

Asgjë demokratike në horizont! Kontrolli i komunikimeve me anë të një ligji të ashpërsuar që dënon shpifjen e pretenduar nga qeveritarët dhe njerëzit me pushtet, në një vend ku vetëm ata nuk mund të thuhet se janë të pambrojtur, tingëllon cinike dhe jodemokratike. Pavarësisht teprimeve me lirinë e të shprehurit, ajo është shumë më demokratike dhe e dobishme, sesa ndalimi dhe kontrolli i saj, edhe pse në pushtet lezetojnë më shumë këto të fundit. Një kryeministër që hyri në godinën qeveritare duke hequr kangjellat që e rrethonin, si dedikim ndaj lirisë, është në kontradiktë me një kryeqeveritar që ngre kangjella për informacionin dhe mediat e reja. 

Sa e prekur është media nëse ky draft i kryeministrit që dënon shpifjen kalon dhe miratohet. A do ketë edhe më shumë një autocensurë nga vetë gazetarët para se të publikojnë shkrime apo materiale komprometuese për qeverinë?

Të prekur janë në radhë të parë qytetarët si individë me të drejtën dhe lirinë për t’u shprehur dhe informuar. Më shumë të drejta, jo më pak, është ajo për të cilën kemi nevojë në një vend si Shqipëria ku ka mbizotëruar ligji i heshtjes për aq shumë kohë dhe me pasoja dramatike. Një rikthim i ligjit që u mbyll gojën politikisht qytetarëve të këtij vendi nën kërcënimin e dënimeve, është një lajm i keq të cilin mediat do të duhet t’ia komunikojnë publikut të tyre. Kjo çështje nuk u përket mediave në vetvete. Nuk duhet konsideruar si temë e mediave për mediat dhe politikën. Ajo është tema e publikut të këtyre mediave, pra e qytetarëve të këtij vendi. Kërcënimi përmes dënimeve për shpifje do të prodhojë jo thjesht vetëpërmbajtje apo autocensurë nga ana e gazetarëve, por më pak hapësira, dritare, apo porta prej nga mund të dalin ca të vërteta dhe perspektiva të ndryshme.

Në një përballje gjyqësore “politikan-gazetar”, me këtë drejtësi që aktualisht kemi, kush është më i favorizuari?

Në kontekstin e një drejtësie ku s’ka fund odiseja e kërkimit të së drejtës së pronës, është primitive jo avangardiste të ndërmarrësh nisma ligjore ndaj fjalës dhe mediave me motivin e teprimit. Është disi e tepërt të besojmë në drejtësi me akuza të politikanëve për shpifje ndaj gazetarëve në një vend ku drejtësinë nuk e gjen jo për imtësi të tilla, por as për tokën me tapi e kadastra e një mal me letra.

Rama ka një prirje për “kurim imazhi” dhe personazh që e njeh mirë komunikimin publik. A mendoni se pikërisht nga opozita dhe media që denoncojnë raste të dyshimta po i “shembet” linja propagandistike?

Do të ishte gjysma e së keqes që kjo nismë e Ramës të ishte thjesht një operacion komunikimi me qëllim kurimin e imazhit, se te ky i fundit, nuk ka asgjë të keqe në vetvete, kur bëhet në forma demokratike dhe të lira. Rama që kam marrë në studim në librin “Edi Rama, politikani pop(ulist)-star”, pavarësisht historisë së përdorjes së mediave prej tij, e ka bërë këtë në një kontekst demokratik dhe në kushtet kur nuk i është dashur të sanksionojë me ligj komunikimet për t’i patur ato në favor. Madje ka qenë një kandidat i mediave, në një farë mënyre, i prodhuar prej tyre, një lloj produkti mediatik sikurse shumë politikanë modernë në botën perëndimore.

Dalja e tij tanimë si kryeministër kundër mediave e nxjerr atë në një perspektivë dhe pozicion krejt tjetër, jo thjesht si rival apo konkurrent të tyre në një histori dashuri-urrejtje, por me imazhin e një lideri oriental dhe jodemokratik, si të ishte një xhelat. Po kështu, edhe për sa i përket qasjes ndaj opozitës në linjë institucionale, qasja nuk është demokratike apo perëndimore. Le të urojmë që e gjitha të jetë thjeshtë zhurmë komunikimi për të “kuruar imazhin” e dëmtuar nga mediat, gazetarët apo kundërshtarët.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Sebi Alla: Një vjeshtë me tri stuhi

Ndryshimet në kabinetin qeveritar dhe plani i Ramës për të ndryshuar imazhin...
Read More